Kritika për mediet në Ballkan nga “Reporterët pa kufi”

“Reporterë pa kufi” publikon raportin për lirinë e shtypit për 2015. Christian Mihr, drejtues ekzekutiv i organizatës thotë se Maqedonia, Shqipëria e Kosova kanë ndërhyrje politike e jo transparencë në pronësi mediatike.

DW: Në bazë të cilave kritere dhe me cilat metoda e mat “Reporterë pa kufij” lirinë e shtypit?

Christian Mihr: Lista e përvitshme e renditjes së lirisë së shtypit vlerëson lirinë e shtypit dhe të informacionit në 180 vende. Bazë e renditjes është një pyetësor për të gjitha aspektet e gazetarisë së pavarur, të cilin ne e dërgojmë në të gjithë botën në njëzet gjuhë, tek qindra gazetarë, shkencëtarë, juristë, mbrojtës të të drejtave të njeriut e edhe te rrjeti i korrespondentëve tanë. Studimi i listës së re të renditjes i referohet vitit 2015 dhe trajton si shtesë sulmet, aktet e dhunës dhe arrestimet në periudhën nëntor deri dhjetor 2014. Në pyetësor janë 87 pyetje cilësore në gjashtë kategori për shummëllojshmërinë e medieve, pavarësinë e medieve, ambientin e punës gazetareske, vetëcensurën, kushtet juridike kuadër, transparencën institucionale dhe – shumë e rëndësishme – infrastrukturën e prodhimit. Nga përgjigjet që peshohen…ne caktojmë në fund pikë nga zero, që është më e mira, në 100, që është më e keqja.

Kësaj i shtohet, edhe kjo është e rëndësishme edhe një kategori kuantitative për sulmet, aktet e dhunës dhe arrestimet e gazetarëve, të cilat ne i hetojmë në bazë të kritereve të forta dhe që shkojnë në fund në një numër të përgjithshëm pikësh, prej të cilave në parim del rezultati i listës së renditjes.

DW: Fokusi ynë është tek Evropa Lindore dhe Juglindore. Këto vende janë – po të jemi informuar saktë – në nivelin e mesëm. Polonia ka rënë nga vendi i 18-të më parë shumë poshtë, dhe pastaj kemi një ngjitje të numrit në 118 te Mali i Zi dhe Maqedonia. A ka këtu ngjashmëri, modele të ngjashme për këto vende?

Christian Mihr: Po të flasim për Evropën në përgjithësi, mund të thuhet se erozioni i nisur që në vitin 2014 në renditje për rolin pararojë të Evropës, në parim ka vazhduar. Besoj që kjo mund të shihet si tendencë për tri vitet e fundit. Që në këto vende, si të thuash në zemër të Evropës, por edhe në periferitë e Evropës shohim ligje kundër terrorizmit dhe spiunazhit, të cilat përdoren për kufizimin e të drejtave të lirisë, këto janë si të thuash tendenca në Evropë. Dhe këtu duhet ta hedhim edhe njëherë vështrimin drejt Evropës Perëndimore, që në disa vende pavarësia gazetareske buron nga koncernet e mëdha, të cilat kontrollojnë jo vetëm gjithnjë e më shumë medie – përmendim këtu Francën, por edhe Bullgarinë.

DW: Koncentrimi dhe mungesa e transparencës, presioni i drejtpërdrejtë i politikanëve ndaj medieve – prej këtyre janë prekur shumë shtete të Evropës Lindore dhe Juglindore. Maqedonia po përjeton aktualisht një krizë të rëndë në politikën e brendshme, në të cilën një rol qendror luajnë edhe mediet, dhe presioni ndaj gazetarëve – kjo duket edhe në renditje – në fakt në vitet e fundit është shtuar në mënyrë të vazhdueshme. Si e vlerëson organizata juaj gjendjen në Maqedoni?

Christian Mihr: Maqedonia është fare poshtë, në fakt ajo është një fëmijë problematik, që mund të kthehet edhe më shumë në fëmijë problematik, po të shohësh zhvillimin aktual. Dhe ka disa pika që kanë kontribuar njëherësh në pozicionimin e keq të vendit: nga njëra anë, vitin e kaluar patëm skandalin e madh të përgjimit të qeverisë konservatore Gruevski, ku në parim u bë i njohur një përgjim masiv, midis tyre 100 gazetarë. Dhe përgjimi dhe mbikqyrja janë për mendimin tonë gjithmonë të kritikueshme dhe gjithmonë një problem për lirinë e shtypit, sepse në këto raste nuk mund të respektohet mbrojtja e burimeve dhe e drejta për të refuzuar dhënien e dëshmisë.

Nga ana tjetër, që prej tri vjetësh, besoj, në Maqedoni ekziston një i ashtuquajtur këshill mediatik, i cili është nën kontrollin e personave besnikë ndaj qeverisë dhe që pak a shumë mund të heqë në mënyrë arbitrare lincenca. Dhe këto janë probleme shumë të mëdha, krahas faktit që gazetarëve mund t’u ndodhë – Tomislav Kezarovski është njëri prej rasteve më të njohura – që të arrestohen për shkak të investigimeve të tyre kritike.

DW: Cila është puna që bën Reporterë pa kufi në raste shkeljesh kaq evidente të lirisë së shtypit?

Christian Mihr: Njërat nga detyrat tona është në radhë të parë tërheqja e vëmendjes së opinionit publik, dhe këtë ne e bëjmë duke u shprehur fillimisht për Maqedoninë. Unë isha vetë në Maqedoni dhe atje ne u shprehëm në një konferencë shtypi për shembull për gjëra, për të cilat të paktën indirekt, ka reagime përmes medieve. Pra në Maqedoni ne nuk kemi kontakte të drejtpërdrejta qeveritare, por të paktën pozicionime dhe reagime. Dhe një objektiv i listës me renditje është në fakt ngjallja e diskutimit publik, një gjë që ne, si një NGO krahasimisht e vogël, jemi në gjendje ta bëjmë. Dhe në rastin e Maqedonisë duket fare mirë që atje të paktën ndihen të provokuar.

Christian Mihr, drejtues ekzekutiv i organizatës Reporterë pa kufiChristian Mihr, drejtues ekzekutiv i organizatës “Reporterë pa kufi”

DW: Shqipëria. Përsa i përket Shqipërisë: cilat janë problemet kryesore të gazetarëve dhe të medieve në Shqipëri?

Christian Mihr: Kushtetuta garanton lirinë e shtypit, por shumë kompani radiotelevizive janë në pronësi të sipërmarrësve me shumë ndikim, të cilët përcaktojnë një linjë të qartë politike. Edhe autoriteti rregullator i medieve, AMA nuk është i pavarur politikisht. E ngarkuara e OSBE-së për lirinë e medieve tha për këtë në maj 2015: “Si shumë shtete të tjera anëtarë të OSBE-së, Shqipëria mund të përfitonte nga një shkallë më e lartë e pavarësisë mediatike”, tha Mijatovic. “Politikanët dhe pronarët e bizneseve duhet të ndalojnë manipulimin e medieve dhe institucioneve si AMA, dhe t’i lënë gazetarët dhe profesionistët ta bëjnë në mënyrë profesionale dhe në mënyrë të pavarur punën e tyre, në përfitim të publikut shqiptar”. BE kërkoi në raportin e tij vjetor për Shqipërinë në fund të 2015 më shumë pavarësi për radiotelevizionet publike dhe një zbatim më të mirë të ligjeve të lirisë së shtypit.

DW: Kosova. Deri tani nuk e kam marrë renditjen e Kosovës. Ç’vend zë Kosova?

Christian Mihr: Kosova është në vendin 90 minus tri vende dhe në fakt, në krahasim me një vit më parë – numri i pikëve këtu është i rëndësishëm – ka jashtëzakonisht pak ndryshim: 0,13.

DW: Pra njësoj keq, mund të thuash. Si paraqitet pavarësia e gazetarëve dhe e medieve?

Christian Mihr: Kjo në Kosovë është shumë e vështirë. Kemi të bëjmë me një vend të vogël dhe si pasojë kemi një treg të vogël mediatik, pra edhe një treg të vogël për reklama, kur flasim për mediet private. Kjo do të thotë se mundësia e financimit për gazetarinë e pavarur në fund të fundit është e shumë vështirë dhe kjo hap dyer e dritare për ndikim politik. Kjo është njëra anë, që edhe përmes ndikimit financiar mund të ushtrosh presion ndaj raportimit, dhe kjo bëhet shumëfish. Dhe presioni politik do të thotë, që në parim gazetarët, që kritikojnë një politikan shumë shpesh duhet të llogarisin që në parim do të damkosen, ose si tradhtarë ose si simpatizantë të Serbisë. Në të kaluarën ka pasur raste kur gazetat i kanë vënë nën presion edhe duke i paditur për mashtrime në taksa. Këto janë mjete të njohura, për të ushtruar presion në Kosovë.

DW: Shumë falemnderit. Cila është kërkesa e Reporterëve pa Kufi në lidhje me vendet tona, në lidhje me BE dhe me demokratizimin? Çfarë dëshiron të dërgojë Reporterë pa Kufi si mesazh nga renditja e këtij viti tek vendimmarrësit në këto vende?

Christian Mihr: Në fakt ne duam të bëjmë të qartë, se edhe liria e shtypit në Evropë nuk është diçka që është e vetëkuptueshme. Besoj se liria e shtypit duhet mbrojtur edhe në Evropë rishtas dhe sërish, meqenëse liria e shtypit ndodhet nën presion prej shumë shteteve. Dhe unë besoj – këtë sapo e konstatuam në udhëtimin tonë nëpër Evropë – se para së gjithash transparenca në pronësinë e medieve është një problem shumë, shumë i madh. Dhe këtu të gjitha qeveritë në Evropë duhet të përpiqen të ndryshojnë diçka, sepse në fund kjo çon në më shumë besueshmëri. Nëse mediet presupozohet që të luajnë rolin e tyre të rëndësishëm në demokraci, interesat pas medieve duhet të jenë transparente dhe të njohura. Dhe këtu, besoj unë, duhet të ndodhë diçka.

SHKARKO APP