Kriza ballkanike drejt shpërthimit
Nga Sadedin Çeliku/
Kohët e fundit shoqëria dhe partitë politike ballkanike po ballafaqohet me probleme të mëdha që edhe pse nuk pranohen, duket se ka tiparet e një krize politike rajonale.
Kosova
Kështu është shfaqur kriza shqiptare e Kosovës edhe pse nga pikëpamja e rregullave të lojës e rregullave konsitucianale nuk mund të quhet e tillë. Dy partitë e mëdha politike PDK dhe LDK i kanë numrat dhe shumicën parlamentare që të qeverisin me komoditet. Duke arsyetuar kështu gjykojmë se kriza është artificiale e pa bazë juridike. Siç kemi parë partitë opozitare atje kanë përdorur mjete të papërshtatshme dhe të palejueshme për të bllokuar parlamentin dhe duket se deri tani ja kanë arritur të bllokojnë punimet e kuvendit. Përballë kësaj situate Presidentja Ahtifete Jahjaga organizoi ditën e hënë 19 tetor një takim me objekt zgjidhjen e këtyre problemeve. Në takim morën pjesë Visar Ymeri i vetëvendosjes, Fatmit Limaj i Nismë-s, AAK e përfaqësuar nga Ramush Haradinaj dhe ajo e listës Serbe që përfaqësohesh nga Aleksandër Jabllaniviç. Takimi nuk rezultojë me sukses dhe plani i zonjës Jahjaga dështoi. Opozita i sheh marrëveshjet si të dëmshme për Kosovën, të njëanshme ku nuk përfaqësohen interesat e shqiptarëve. Pra opozita kërkon anulimin e marrëveshjes së demarkacionit (marrëveshje e kufirit) me Malin e Zi dhe marrëveshjen e asosacionit me komunat serbe e cila është në kundërshtim me Kushtetutën. Nga ana tjetër opozitarët theksojnë se nuk ka reciprocitet që marrëveshja dhe kushtet e saj të shtrihen edhe në Luginën e Preshevës. Kështu ata në deklarimet e tyre theksuan se do të vazhdojnë protestat por nuk harrojnë të kërkojnë dorëheqjen e Mustafës ose zgjedhje të parakohshme. Një ditë më parë Presidentja Jahjaga priti dhe bisedojë dhe me PDK e përfaqësuar nga Thaçi, LDK e përfaqësuar nga Mustafa dhe Kryetarin e Parlamentit z.Veseli. Duke analizuar situatën mendoj se opozita shqiptare po shpreh mllefin ndaj kryeministrit Isa Mustafa për prishjen e koalicionit me ta fill pas zgjedhjeve dhe kërkojnë të pengojnë me çdo kusht zgjedhjen e Hashim Thaçit si President i Kosovës. Problemi është i thjeshtë. Qeveria e Kosovës marrëveshjet e firmosura dhe të tjera që do firmosen në të ardhmen janë pjesë përbërëse e strategjisë së unionit europian që lidhet me përgatitjen e terrenit për njohjen nga ana e Serbisë të shtetit të Kosovës. Mos harrojmë se qëndrimin e tri partive shqiptare e kanë kritikuar si të papranueshme dhe qeveria e Shqipërisë, Bashkimi Europian por dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë. Gjykoj se Shqipëria dhe qeveria e saj ndofta duhet të jetë pak më aktive që të mos degjenerojë më keq situata e atjeshme dhe për të amortizuar situatën atje sigurisht pa ndërhyrë në punët e brendshme të tyre.
Mali i Zi
Podgorica është përfshirë nga protesta popullore e cila udhëhiqet nga opozita dhe kërkon zgjedhje të parakohëshme. Shkas ka qenë kërkesa opozitare për dorëheqjen e kryeministrit Milo Gjukanoviç i cili vijon pushtetin prej dy dekadash. Opozita ka paralajmëruar protesta të mëdha e të përshkallëzuar në qoftë se Gjukanoviçi nuk dorëhiqet. Gjatë protestave ka patur të plagosur midis të cilëve dhe deputetë. Opozita gjithashtu akuzon kryeministrin për korrupsion dhe autokraci.
Maqedoni
Muaj më parë opozita maqedonase e drejtuar nga Zaev filloi protestat që e kishin zanafillën tek publikimi i përgjimeve, korrupsioni, shteti autokratik dhe me shkallëzimin e protestave u përvijua kërkesa për zgjedhje të parakohshme, kërkesë kjo e miratuar nga kryeministri Gruevski. Me shpalljen e zgjedhjeve u nënshkrua një marrëveshje që daton më 2 qershor 2015 sipas se cilës pas reformës zgjedhore palët angazhohen të shkojnë në zgjedhje me qeveri teknike.
Marrëveshja edhe pse me ndërmjetës ndërkombëtar duket se nuk është arritur edhe pse ka disa qëndrime të përbashkëta për disa çështje. Kështu deklaroi përfaqësuesi i VMRO-DPMNE, Ilia Dimovski. Eurokomisioneri Johanes Han deklaroi se ka mbetur i zhgënjyer nga qëndrimi i partive politike po insistoi që të zbatohet marrëveshja e Perzhinos. Sipas marrëveshjes sot duhet të ishte krijuar qeveria teknike e cila do të çonte popullin në zgjedhjet e parakohshme të prillit. Lidhur me krizën ka ndërhyrë dhe Ambasadori Amerikan në Shkup. Një koalicion midis liderëve Zaev, Ahmeti dhe Thaçi do ti jepte fitoren menjëherë atyre por Ahmeti e ka të vështirë të bëjë ndryshe nga Gruevski. Vlen të theksohet se deri më tash marrëveshja e Ohrit edhe pse kanë kaluar vite nuk është zbatuar dhe pengesa kryesore ka qenë koalicioni qeverisës në pushtet dhe për rrjedhojë dhe interesat e shqiptareve që banojnë në trojet e tyre atje nuk janë përfaqësuar.
Greqia
Pas përfundimit të zgjedhjeve të reja në Greqi duket se sfida më e madhe janë reformat shtrënguese ekonomike, përballimi i krizës financiare dhe dalja nga kriza e thellë që sipas ekspertëve në se do zbatohen reformat sipas rekomandimeve të Bashkimit Europian dhe Bankës Qëndrore Europiane ndofta do duhet një dekadë. Sigurisht nuk duhet askush të mendojë se kriza ekonomike greke nuk do të ndikojë në vendet e rajonit. Sidoqoftë stabiliteti i tregueseve makroekonomik i shoqëruar me stabilitetin politik do krijoi një klimë të përshtatshme për të dalë nga situata.
Shqipëria
Vendi ynë nuk ka krizë politike dhe as destabilitet siç thotë opozita apo ndonjë parlamentar.Krizën ekonomike dhe financiare e gjeti, trashëgoi dhe qeveria pavarësisht nga të metat, po përpiqet të korrigjoi, amortizoi në mënyrë që ekonomia të dali nga kriza dhe të vazhdoi rrugën e zhvillimit e të rritjes ekonomike. Aksionet opozitare për vjedhje, korrupsion, dekriminalizim, vjedhje në sistemin energjetik etj, janë aksione politike dështimi që në se vazhdon opozita ta bëjë opozitarizmin kështu do t’ia japë fitoren lehtësisht pozitës. Sigurisht që korrupsioni është fenomen si të gjithë fenomenet e tjera, pra ka korrupsion dhe nuk mohon askush ekzistencën e saj, por siç e kam thënë dhe në shkrimet e tjera opozita duhet të bëhet bashkëpunuese për problemet e mëdha që lidhet me integrimin por dhe mëkëmbjen e ekonomisë të lënë nga ata. Ecejaket e Bashës katund në katund nuk do ti bëjë mirë opozitës dhe as vetë Bashës.
Europa
Me sa duket Bashkimi Europian përballë problemeve që lidhet me dyndjet e refugjatëve nuk ka mundësi të merret me hallet e vendeve të Ballkanit.Kriza e refugjatëve krijon bindjen se ajo nuk kalohet dhe as tejkalohet vetëm e pa eleatë. Këtë e vërtetojë vizita e kancelares Mercel në Turqi, ku i shtrin dorën e bashkëpunimit dhe i kërkon ndihmë për mbajtjen e refugjatëve sirianë në Turqi. Kjo do të thotë se integrimi i vendeve të Ballkanit bëhet dhe më i domosdoshëm dhe më emergjent dhe qëndrimi i qeverisë shqiptare që lidhet me integrimin duket se është i drejtë. Si konkluzion mendoj se zgjidhja e problemeve duhet të kërkohet me dialog, mirëkuptim dhe jo me aksione artificiale që dëmtojnë interesat e popujve.Çdo veprim ekstrem nuk do të jetë i dobishëm për askënd. Interesi për pushtetin duhet të jetë parimor e konstruktiv e i bazuar në kodin etiko-moral por dhe në ligj.