Kriza e refugjatëve nuk zgjidhet me një vakt ushqimi. Duhet strategji e BE

Nga Antonio Guterres

Deklarate e komisionerit te larte te Kombeve te Kashkuara per refugjatet, Antonio Guterres, mbi krizen e refugjateve ne europe

Bashkimi Euroian po përgatit takime urgjente të rëndësishme për të marrë vendime në përgjigje të krizës aktuale të refugjatëve dhe migracionit. Situata kërkon një përpjekje masive dhe të përbashkët e cila nuk është më e mundur me përqasjet e pjesshme të kryera deri tani më. Europa po përballet me prurjet e refugjatëve më të mëdha të dekadave të fundit. Këtë vit, më shumë se 300,000 njerëz kanë rrezikuar jetët e tyre për të kaluar Detin Mesdhe. Mbi 2,600 nuk i mbijetuan këtij kalimi të rrezikshëm, duke përfshirë Aylan, 3 vjeç, fotografia e të cilit ka trazuar zemrat e mbarë botës. Mbas mbërritjes në brigjet dhe kufijtë e Europës, ata vazhdojnë udhëtimin e tyre – duke u përballur me kaos, dhe duke vuajtur çnderimin, abuzimin dhe rrezikun në kufijtë dhe gjatë gjithë rrugës. Zemërgjerësia fisnike e qytetarëve të thjeshtë dhe e organizatave të shoqërisë civile për të mirëpritur dhe ndihmuar të ardhurit është me të vërtetë frymëzuese. Ka pasur dhe lidërship moral dhe politik shembullor nga një numër vendesh. Por, në përgjithësi Europa ka dështuar në gjetjen e një reagimi efektiv të përbashkët, si rezultat i të cilit njerëzit kanë vuajtur. Në mënyrë që t’i drejtohemi kësaj situate të pajustifikueshme, ne të gjithë duhet të kemi parasysh disa fakte themelore:

1.         Pikë së pari, kjo është një krizë refugjatësh dhe jo vetëm një fenomen migrimi. Numri kryesor i atyre që arrijnë në Greqi, vijnë nga zona konfliktesh si Siria, Iraku e Afganistani të cilët ikin thjesht për të shpëtuar jetët e tyre. Të gjithë njerëzit që ikin në rrethana të tilla tragjike meritojnë që të drejtat njerëzore dhe dinjiteti i tyre njerëzore të respektohen totalisht, pavarësisht nga statusi i tyre ligjor.  Ne nuk mund të harrojmë përgjegjësinë e veçantë që të gjitha shtetet kanë për refugjatët në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

2.         Europa nuk mund të vazhdojë t’i përgjigjet kësaj krize me një vakt ushqimi apo me një përqasje hap pas hapi. Asnjë vend nuk mund ta bëjë këtë vetëm dhe asnjë vend nuk mund të refuzojë të bëjë pjesën e vet. Nuk është çudi që kur një sistem është i pabalancuar dhe jo funksional, çdo gjë bllokohet kur rritet presioni. Ky është një moment përcaktues për Bashkimin Europian dhe tani nuk ka zgjidhje tjetër veçse mobilizimit të plotë rreth kësaj krize. E vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë problem është që të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian të zbatojnë një strategji të përbashkët bazuar në përgjegjësinë, solidaritetin dhe besimin

3.         Konkretisht, kjo do të thotë që të merren masa urgjente dhe kurajoze për të stabilizuar situatën dhe pastaj të gjendet një mënyrë reale për të ndarë përgjegjësitë afatgjata. BE duhet të jetë gati, që në marrëveshje dhe në mbështetje të qeverive përkatëse – kryesisht Greqisë dhe Hungarisë, por gjithashtu edhe Italisë – të vendosë menjëherë dhe në mënyrë adekuate pritjen emergjente, asistencën dhe kapacitetet e rregjistrimit. Komisioni Europian duhet të mobilizojë agjensitë e migrimit, azilit dhe të mbrojtes civile të BE-së dhe mekanizma të tjera për këtë qëllim, duke përfshirë burimet e shteteve anëtare si dhe me mbështetjen e UNHCR, IOM dhe shoqërisë civile. UNHCR, nga ana jonë, është krejtësisht e dedikuar që të rrisë përpjekjet e saj. Është esenciale që familjet e refugjatëve që vijnë në Europë, mbasi kanë humbur gjithshka, janë të mirëpritur në një mjedis të sigurtë dhe të kujdesshëm.

4.         Njerëzit të cilët identifikohen se kanë nnevojë për mbrojtje në përzgjedhjen e parë, duhet patjetër të përfitojnë nga një program masiv rilokimi, me pjesëmarrjen e detyrueshme të të gjitha shteteve anëtarë të BE. Një vlerësim shumë paraprak tregon nevojën për të rritur mundësinë e rilokimit të më shumë se 200,000 personave. Kjo mund të funksionojë vetëm nëse shoqërohet me kapacitete pritjeje të menjëhershme, veçanërisht në Greqi. Solidariteti nuk mund të jetë përgjegjësia vetëm e disa shteteve anëtare të BE.

5.         Ata që identifikohen se nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare dhe nuk mund të përfitojnë nga mundësitë e migrimit legal, duhet të ndihmohen të kthehen menjëherë në vendet e tyre, duke respektuar plotësisht të drejtat e tyre humane.

6.         Të vetmit që përfitojnë nga mosreagimi i përbashkët Europian janë trafikantët dhe kontrabandistët të cilët po fitojnë në kurriz të dëshpërimt të njerëzve që duan të gjejnë siguri. Kërkohet një bashkëpunim më efektiv ndërkombëtar për të kapur kontrabandistët, duke përfshirë dhe ata që veprojnë brenda BE-së, vetëm nëse mënyrat e përdorura lejojnë mbrojtjen e viktimave. Por asnjë nga këto përpjekje nuk do të jetë efektive pa gjetur më shumë mundësi për njerëzit që të vijnë ligjërisht në Europë dhe të gjejnë siguri sapo të arrijnë në të. Mijëra prindër refugjatë po rrezikojnë jetët e fëmijëve të  tyre në varka trafikantësh të pasigurta vetëm sepse nuk kanë zgjidhje tjetër. Vendet Europiane – si dhe qeveritë e rajoneve të tjera – duhet të bëjnë disa ndryshime themelore për të lejuar quota më të mëdha për rivendosjet dhe pranimet humanitare, duke zgjeruar programet e vizave dhe sponsorizimit, bursave dhe mënyrave të tjera të hyrjes në Europë legalisht. Thelbësore është që bashkimi familjar duhet të kthehet në një mundësi reale dhe të mundshme për më shumë njerëz se ç’tregon situate tani. Në rast se këto mekanizma zgjerohen dhe bëhen më efikase, ne mund të reduktojmë numrin e atyre të cilët janë të detyruar të rrezikojnë jetët e tyre në det si pasojë e mungesës së zgjedhjeve të alternativave të tjera.

Përtej përgjigjes së menjëhershme, është e qartë që kjo situatë do të kërkojë që të reflektojmë seriozisht për të ardhmen. Kjo lëvizje masive e njerëzve nuk do të ndalojë nëse nuk i jepet fund origjinës së kësaj situate. Duhet të bëhet shumë më tepër për të parandaluar konfliktet dhe për të ndaluar luftrat e vazhdueshme që largojnë kaq shumë njerëz nga shtëpitë e tyre. Vendet fqinje në zonat e luftës të cilët strehojnë 9 nga 10 refugjatë të të gjithë botës, duhet të mbështeten më fuqishëm shoqëruar me fondet e nevojshme. Në të njejtën kohë, është esenciale që zhvillimi i politikave bashkëpunuese të riorientohen me objektivin që njerëzve t’u jepet mundësia e një të ardhmë në vendet e tyre.

Europa po përballet me momentin e të vërtetës. Kjo është koha për të riafirmuar vlerat mbi të cilat ajo është ndërtuar

SHKARKO APP