Kriza greke, Cipras: Referendum më 5 korrik

 

Kryeministri grek, Alexis Tsipras njoftoi në mesnatë mbajtjen e një referendumi në Greqi mbi tekstin që do të paraqitet sot në takimin e Eurogrupit parashikuar në Bruksel mes Athinës dhe kreditorëve.

“Populli duhet të vendosë pa asnjë shantazh , referendumi do të zhvillohet më 5 korrik”, deklaroi kryeministri në një fjalim televiziv të publikuar rreth orës lokale 01:00  në stacionet televizive greke, një ditë para një takimi të fundit të ministrave të Financave të zonës euro para një dështimi të mundshëm të pagesave nga Greqia për FMN më 30 qershor.

Tashmë është e qartë që data nuk do të mund të respektohet.

Në fjalimin e tij Cipras theksoi se këto propozime, të cilat në mënyrë të qartë shkelin rregullat evropiane dhe të drejtat themelore në punë, barazisë dhe dinjitetit, tregojnë se disa prej partnerëve dhe institucioneve nuk kanë synuar një marrëveshje të zbatueshme për të gjitha palët, por ndoshta poshtërimin e një populli të tërë.

“Përgjatë gjashtë muajve, qeveria greke ka ndërmarrë një luftë për të gjetur një marrëveshje të qendrueshme që respekton demokracinë. Na kanë kërkuar të vendosim masa shtrënguese ashtu si qeveritë paraardhëse. Propozimet e kreditorëve rrisin pabarazitë sociale, sjellin një shkelje të rregullave evropiane dhe të drejtave të tregut të punës, ulje të pensioneve, një rritje të TVSH-së mbi prodhimet ushqimore dhe kanë si objektiv poshtërimin e popullit”, theksoi kryeministri.

Pjesëmarrja e Greqisë në këtë Eurogrup është bërë objekt i deklaratave kontradiktore pas njoftimit të referendumit, por ajo u konfirmua zyrtarisht nga zëdhënësi i Ciprasit, Gabriel Sakellaridis.

”Një zyrtar i zonës euro konfirmoi se Eurogrupi do të zhvillohej, pa përjashtuar se diskutimi do të përqendrohej tashmë në ”një plan B”, diskutim i pritur nga disa vende”, sipas tij.

Paralelisht, qeveria ka njoftuar një takim sot mes zëvendëskryeministrit, Yannis Dragassakis dhe zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Euclide Tsakalotos me presidentin e BQE-së, Mario Draghi

SHKARKO APP