Kryehajduti i zgjedhjeve në Shqipëri do të “ndërmjetësojë” me kryhajdutin e zgjedhjeve në Bjellorusi

Nga Aleksandër Biberaj* –

Në kryeqytetin bjellorus Minsk u zhvillua para disa ditësh një nga protestat më masive me mbi 200.000 qytetarë bjellorusë, të cilët të lodhur nga regjimi autokratik 26-vjeçar i Alexander Llukashenkos dhe nga manipulimi i zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, u dyndën rrugëve të Minskut për të drejtën themelore të votës së lirë, që është edhe gur-themeli i demokracisë. Llukashenko erdhi në pushtet para 26 vitesh si shpresë dhe simbol i lirisë dhe pavarësisë së Bjellorusisë nga Rusia, por fatkeqësisht ai shumë shpejt u shndërrua në shkelësin më të madh të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, përfshirë edhe votën e lirë, duke imituar edhe bosin e Kremlinit autokratin Vladimir Putin, që sistematikisht e ka zhdukur opoziëtën në rusi duke e burgosur, helmuar apo vrarë. Jo më larg se dje lideri i opozitës Aleksej Navalni rezulton të jetë helmuar në burg ku po “vuante dënimin Putinian” dhe jeta e tij është tashmë në pikëpyetje. Fatkeqësisht perëndimi hesht dhe vazhdon të pranojë nën zë se “popilli rus këtë e meriton”, por edhe perëndimi dhe sidomos SHBA paguan kosto direkte apo indirekte nga regjimi autokratik i Vladimir Putinit, i cili me agjensitë e tij legale dhe ilegale, po arrin që t’i zgjedhë amerikanëve edhe Presidentin. Lukashenko “fitoi” në zgjedhjet e 9 gushtit 80% të votave në zgjedhjet që bëri vetë, numëroi vetë dhe i legjitimoi po vetë pasi persekutoi dhe burgosi kundërshtarët e tij politik. Gjithsese për të bëër një paralelizëm rezultati i Llukashenkos së Bjellorusisë është 14% më pak se rezultati i Llukashenkos së Tiranës i cili “fitoi” 94% të votave në vetë-votimet vendore të vitit 2019 në Shqipëri. Edhe në Shqipëri si në Bjellorusi qeverisja njëlloj vëtë i bëri votimet, vetë i numëroi votat, vetë i manipuloi dhe po vetë mezi “nxorri rezultatin përfundimtar” pas një muaj nga 30 qershori tragjiko-komik, ku u votua vetëm për një kandidat të vetëm si në kohën e Enverit dhe Stalinit. Edhe ne protestuam, vjet por ne protestuam me lule dhe tollumbace të bardha ndaj një regjimi dhe klike kriminale, e cila që nga vjet vetëm sa e ka rritur autoritarizmin dhe e ka shtuar zollumin në ekstrem, ka rritur në mënyrë galopante duke shfrytëzuar fatkeqësitë e tërmeti dhe pandemisë vjedhjen dhe korrupsionin, pa pyetur se ka popull që nuk don ta shohë me sy këtë bandë që rrin padrejtësisht në pushtet pasi ka vjedhur votat e vitit 2017 dhe ka bërë votimet moniste vendore të vitit 2019. Në Minsk qytetarët e kanë ndarë mendjen për të përmbysur regjimin e Llukashenkos dhe jam i bindur se me klikat dhe regjimet kriminale nuk ka asnjë lloj kompromisi apo negociate, ato duhen përmbysur me çdo kusht, çmim dhe mjet, dhe bartësit e pushtetit kriminal, ushtruesit e tij duhen çuar në burg, aty ku e kanë vendin. Bjellorusët zgjodhën revolucion me qëllim që të fitojnë lirinë e vërtetë dhe të çlirohen nga diktati i një diktatori që abuzoi me mbështetjen popullore të vitit 1994 dhe u përpoq që të imitonte dhe zëvëndësonte Stalinin, dhe që sot deklaron si diktator “se pa më vrarë mua nuk përsëris zgjedhjet dhe nuk iki nga pushteti”. Llukashenko ka kohë që nuk zhvillon zgjedhje të lira dhe të ndershme por revolucioni demokratik do ta marrë përpara “trimin” Llukashenko që ka “thirrur për ndihmë dhe ka kërkuar ndërhyrje ushtarake ruse”. Njësoj veproi para disa vitesh edhe filo-rusi, ish-presidenti ukrahinas Janukoviç, i cili pas kërcënimeve të tipit Llukashenko përfundoi azilant tek Putini, lideri dhe frymëzimi shpirtëror i të gjithë diktatorëve të rinj të ish-republikave të ish-Bashkimit Sovjetik. Javën e kaluar Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo, në një vizitë në Europën Jug-Lindore, siç duket nxitur edhe nga situata në Bjellorusi, i’u drejtua demokracive të reja të Europës Qëndrore e Lindore, pwrfshirw edhe Bjellorusinë, se “Duhen mbrojtur liritë e fituara nga totalitarizmi, liritë e fituara me mund, përballë kërcënimeve nga Rusia dhe Kina. Rishfaqja e totalitarizmit nuk është një kërcënim abstrakt, që është i kufizuar vetëm në kryeqytete si Moska dhe Pekini, por është shfaqur edhe në Europë, dhe në territore fqinje me të, përfshirë edhe Bjellorusinë”. Ishte ky një mesazh shumë i qartë që i drejtohej nëpërmjet popullit Çek edhe të gjithë popujve të Europës Jug-Lindore, përfshirë në rastin dhe situatën konkrete edhe popullin bjellorus. Zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit u konsideruan nga vëzhguesit e pavarur dhe opozita si të pandershme dhe jo të lira, ndërkohë që ato po ashtu janë kritikuar nga komunitetit ndërkombëtar. Bashkimi Europian është shprehur fare qartë se nuk i njeh zgjedhjet dhe nuk e njeh Lukashenkon si President. Gjykoj se në unison me BE-në do të jetë edhe qëndrimi amerikan dhe ai i faktorit ndërkombëtar. Natyrisht që kjo krizë do të kërkonte një zgjidhje të inicuar dhe të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, ndërmjet pushtet-absolutit Lukashenko dhe lideres së opozitë Svetlana Tikhanovskaya, e cila për arsye sigurie të fëmijëve, “siç u shpreh edhe vetë”, është larguar nga vendi dhe ndodhet në Lituani. Situata rrezikon të dalë jashtë kontrolli dhe të përfundojë në anarki, pasi ka protesta të përditëshme dhe mos-bindja civile po rritete eksponencialisht çdo ditë, ndërkohë që pasur dhunë shtetërore me shumë protestues të plagosur dhe të vrarë. Në këto kushte kreu i radhës i OSBE-së, kryeministri shqiptar Edi Rama, “që shquhet edhe si lider global”, ka afruar mundësinë e një vizite ndërmjetësuese në Bjellorusi, me qëllim për të ulur palët në negociata. Deri këtu s’ka asgjë të keqe, përkundrazi, në kushte normale dhe demokratike, me një kryeministër demokrat dhe me rekorde demokratike në Shqipëri, kontributi që mund të jepte kryeministri si kryetar i radhës i OSBE-së në krizën bjelloruse, mund të ishte bonus për Shqipërinë. Mirëpo eksperienca diplomatike na ka mësuar se gjëja e parë që shikohet në misione të tilla ndërkombëtar, sidomos kur janë misione ndërmjetësuese kur ka një krizë apo konflikt, është CV-ja e ndërmjetësuesit, si dhe sfidat që ka përballuar dhe sukseset që ka arritur ndërmjetësuesi. Dhe në rastin e Edi Ramës, fatkeqësisht CV-ja e tij është sterrë e zezë, pasi ai jo vetëm që s’ka suksese ndërmjetësimi në fushën ndërkombëtare, por edhe në vendin e vet në Shqipëri, ai ka përvetësuar 100 % të pushteteve duke përjashtuar opozitën nga çdo vendim-marrje. Edhe një marrëveshje që firmosi me 5 qershor me opozitën për zgjedhjet e ardhëshme, në prani dhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, ai e bëri nul me ndryshimet kushtetuese që ndërmori në mënyrë të njëanëshme nga një parlament pa legjitimitet moral dhe politik, nga një parlament monist, pasi ka rreth dy vjet s’ka opozitë në parlament. Shqipëria është klasifikuar nga të gjitha raporet ndërkombëtare si vend me demokraci hibride, ku treguesit e demokracisë, të shtetit të së drejtës, si dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut njohin vetëm përkeqësime, vetëm regres. Në 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, janë shtuar shumë zërat kritikë në perëndim, zëra autoritarë dhe potencilë që theksojnë se perëndimi ka dështuar në mënyrë spektakolare me ish-vendet komuniste të Europën Jug-Lindore, ku ndonëse janë hedhur miliarda e miliarda euro/dollarë nga taksa paguesit e perëndimit për transformime demokratike në këto vende, rezultatet kanë qenë katastrofike. Këto vende sot drejtohen më shumë nga regjime dhe klika komplet të korruptuara, sesa nga qeverisje demokratike, regjime këto të lidhura me grupet mafioze dhe ato kriminale. Diktaturat janë zëvëndësuar me regjime pseudo-demokratike, që drejtojnë në mënyrë autoritare, dhe drejtuesit e ketyre vendeve qëndrojnë në politikë dhe pushtet për vite dhe dekada me radhë, duke bllokuar edhe rrotacionin e elitave. Fatkeqësisht në Shqipëri sot një njeri i ka të gjitha pushtetet, i cili realisht ka instaluar një klikë, një regjim që kontrollon legjislativin, qeverinë qëndrore dhe atë vendore, gjyqësorin dhe median. Aktualisht në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi zgjedhjet e vitit 2017 janë manipuluar dhe rezultati është blerë me paratë e pista, para të cilat pushteti aktual pasi i ka shumëfishuar gjatë këtyre 3 viteve, mund t’i ri-përdorë për të blerë përsëri zgjedhjet e radhës. Që nga viti 2019 në Shqipëri kemi një pushtet vëndor një-ngjyrësh, pasi në votimet moniste të 30 qershorit 2019 mori pjesë vetëm partia qeverisëse, rast i papreçedent ky. Demokracia aktualisht nuk funksionon, shteti i së drejtës jo se jo, jemi i vetmi vend në Botë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Pikërisht me këto bëma dhe shumë të zeza të tjera do të shkojë Edi Rama në Bjellorusi për të takuar Lukashenkon, që më shumë do të duket si takim kolegësh të së njëjtës racë, me mentalitet dhe psikologji të njëjëtë, për të shkëmbyer eksperiencat e tyre simetrike sesi mund të shtypet një opozitë dhe një popull, sesa për të ndërmjetësuar ndërmjet palëve, pasi nuk e ka atë mendje dhe atë aftësi, pasi bindjet e tij janë komplet moniste dhe autokratike!

*Ish-deputet i Partisë Demokratike

SHKARKO APP