Kryqëzojeni Kokëdhimën, por jo për idenë e legalizimit të drogave

 

Nga Mustafa Nano*

Para disa kohësh, të gjithë u tallën, ose u nervozuan, me propozimin e Koço Kokëdhimës për të legalizuar përdorimin e marijuanës. Dhe kur them të gjithë, i kam parasysh të gjithë. Ishte rasti për të bërë një diskutim të shtruar, siç bëhet kudo kur vjen puna te kjo çështje, por jo, askush nuk eci asaj rruge. Ndoshta kanë jetuar me idenë se një mendim i drejtë doli nga goja e gabuar. Ose ndoshta nuk e kanë vrarë mendjen fare për këtë çështje. E gjasat janë që të jetë kjo e dyta, pasi ne kemi qenë të bombarduar gjithë kohës me refrenin se “drogat janë një gjë e ndyrë”, dhe nuk na është dhënë asnjëherë rasti të vrasim mendjen për këtë çështje, larg paragjykimeve e me sadopak disponim për të dëgjuar argumentet e palës tjetër, që në këtë rast ka qenë Koço fillikat. Po i bashkohem dhe unë. Unë nuk ia njoh motivimin Koços në këtë lëvizje, por as më intereson t’ia njoh, as kam pse t’ia qortoj apriori. Motivimi im është prej liberali.

Dhe të mendosh se ideja e Kokëdhimës ishte minimaliste. “Të legalizojmë kanabisin për qëllime mjekësore”, tha ai. Kaq ka qenë mëkati i Kokëdhimës. E për këtë i janë vërsulur. Mesa duket, kjo ide interesante dhe racionale, dhe – duhet thënë – gjysmake, është duke i paguar një taksë animozitetit publik e politik që provokon Koço me protagonizmin e ambicien e vet të shpërpjesëtimuar. Por po e lë mënjanë Kokëdhimën, duke ia njohur meritat prej pionieri në këtë nismë. Dhe po ndalem tek ideja, e cila – po e them shpejt e shpejt – nuk është hiç origjinale. Ka një numër vendesh që e kanë bërë legalizimin e përdorimit të marijuanës, dhe jo vetëm për qëllime mjekësore, por edhe për qejfin e përdoruesve, edhe për arsye të tjera. Ka të sëmurë që kanë nevojë për këtë drogë, pasi kjo i sjell për pak kohë në formë, u jep një gjendje të mirë emocionale, ua përmirëson cilësinë e asaj jete që u ka rënë në hise të bëjnë, por ka edhe të tjerë që e përdorin, ngaqë ua do kokrra e qejfit. Mund t’i dëmtojë, sigurisht, por kjo është puna e tyre, jo e jona. Ne, përfshirë shteti e qeveria, sidomos shteti e qeveria, nuk kemi asnjë tagër që të mbrojmë dikë prej dobësive e tundimeve të veta, pasi nuk jemi skriptura, profetë, apo Zoti vetë. Jeta e dikujt është jeta e dikujt. Dëshiron të përdorë drogë? Le ta përdorë. Për sa kohë dëmi është thjesht e vetëm i tij, ta përdorë si e sa të dojë (në këtë pikë mund të bëhet një diskutim lidhur me drogat e forta, pasi përdoruesit e tyre janë vetvetiu një problem e një barrë për familjet e për shoqërinë në tërësi; edhe vende liberale si Holanda e bëjnë këtë dallim).

Është si me alkoolin, apo bixhozin, apo bastet, të cilat, edhe pse na dëmtojnë gjithashtu, i kemi të legalizuar. Dhe më mirë që i kemi të legalizuar, pasi ndryshe nuk është se njerëzit do mbeteshin larg tyre. Është e kundërta, problemet e shkaktuara prej alkoolit në rrethana ilegale, fjala vjen, do të ishin më të rënda se sa problemet që shkaktohen prej tij në rrethana legale. Është e njëjta gjë që ndodh me drogat. Dëmi që këto sjellin duke mos qenë legale është shumë më i madh se dëmi që do të sjellin po të bëhen legale. Kush mendon se legalizimi i përdorimit të drogës do të rrisë numrin e përdoruesve të drogës ia fut kot, pasi bën sikur nuk e di që në këtë Shqipërinë tonë, mjaft që të ta japë në kokë, dhe mund t’i gjesh që të gjitha, qysh nga armët e deri te drogat. Përveç kësaj, ja dhe dy të dhëna të tjera: 1. Numri i përdoruesve të marijuanës është më i vogël në Holandë, ku marijuana është e legalizuar, se sa në Britaninë e Madhe, ku marijuana është e kriminalizuar; 2. Portugalia ka legalizuar të gjitha llojet e drogave prej më shumë se dhjetë vitesh dhe numri i përdoruesve të drogës është ulur. Numri i të rinjve që përdorin heroinë është po ashtu më i vogël. Është ulur edhe numri i krimeve për shkak të drogës.

Të gjithë do të kenë qar nga legalizimi i përdorimit të drogës. Do të kenë qar përdoruesit më së pari, ngaqë nuk do të përfundojnë më burgjeve (të dënohesh për përdorimin e drogës është një çmenduri; sidomos në këtë Sodomën tonë, në Shqipëri pra, ku përdoruesit e drogës janë njerëzit më të pafajshëm se gjithë të tjerët; madje, janë të vetmit të pafajshëm), e paradoksalisht do të rrezikojnë më pak shëndetin e tyre. Ou, po si kështu?, mund të thuhet. Po, po, kështu është. Përdoruesit e drogës do të jenë më pak të rrezikuar në pikëpamje shëndetësore, ngaqë nuk do detyrohen më, fjala vjen, t’i futin vetes shiringa të pista nëpër nevojtore, e nuk do të ekspozohen keqaz ndaj virusit të HIV-it. Tjetër, nëse sot dikush që përdor drogë ka nevojë të shkojë të mjeku për ndonjë problem të lidhur me drogën që ai përdor, nuk mund ta bëjë këtë nga frika se lajmi mund të shkojë në polici. Nuk di se sa i madh është ky problem në Shqipëri, por në botë është një problem i madh. Shtojmë këtu dhe diskriminimin që u ndodh përdoruesve të drogës. Sa kohë që përdorimi kriminalizohet, ata shihen si njerëz të çuditshëm, si alienë, madje edhe si të rrezikshëm, mirëpo në të shumtën e rasteve, ata janë si ne, njerëz që kanë nevojë për shoqëri, që kanë nevojë të punojnë, që kanë edhe aftësi të punojnë, të mbajnë një familje, të rrisin fëmijë. Nëse ndodh dekriminalizimi i përdorimit të drogës, rreziqet e diskriminimit ulen (këto ditë doli dhe OKB-ja me sugjerimin për ta bërë këtë dekriminalizim; por ende nuk është bërë krejt e qartë se deri ku shkojnë me këtë ide).

Kriminalizimi i drogës, i kultivuesve dhe i përdoruesve, ka edhe të këqija të tjera. Harxhohen pará pa fund nga ana e qeverive me synimin për të qenë efektivë në luftën ndaj drogës, dhe këto pará mund të harxhoheshin fare mirë për edukimin e njerëzve mbi rreziqet që vijnë nga përdorimi i drogave. Dhe askush nuk ia ka parë hairin këtyre përpjekjeve. Paratë ikin, ndërsa droga mbetet. Rritet. Shumëfishohet.

E kundërta, dekriminalizimi i kultivimit apo përdorimit të drogave, ka një numër të mirash. Hapen vende pune, mblidhen pará prej taksimit që i bëhet prodhimit, shitjes, manifakturimit të drogave si droga e të drogave si ilaçe. Në fund të fundit, do bëhet fjalë për një treg të kontrolluar, e për ndërmarrje që do të funksionojnë si të gjitha ndërmarrjet, ku do të punohet me NIPT, kupon tatimor, bilance, libër pagash, taksim të ardhurash, pagesa për sigurimin shoqëror e shëndetësor, etj. Kjo nuk do t’i bënte keq ekonomisë sonë, dreqi ta hajë, që dreqi e ka ngrënë. E vërteta është se do t’i bëhej mirë, sidomos në ditët e sotme, kur ekonomia e asfiksuar shqiptare ka nevojë për çfarëdo lloj oksigjeni të mundshëm. Është për të qeshur që ne bërtasim me të madhe kundër kësaj ideje, që diskutohet kudo nëpër botë, e nuk shqetësohemi aq sa duhet për mijëra shqiptarët që po largohen prej këtij vendi si prej murtajës, ngaqë nuk kanë asnjë mundësi të mbajnë me bukë familje e fëmijët e tyre. E prandaj, ideja e Kokëdhimës nuk ka pse përqeshet. Po të ishte për mua, ajo do duhej shprehur e plotë, e do duhej çuar deri te legalizimi i prodhimit e përdorimit të drogës. Tregu i drogës në Shqipëri ekziston; aty qarkullojnë pará pa hesap dhe çdo gjë mbetet në të zezë. Le ta nxjerrim “në të bardhë”.

E thashë, nuk është një ide origjinale. Në forma e në përmasa të ndryshme e kanë bërë shtete të tjera gjatë këtyre viteve (Holanda, Portugalia, Çekia, Norvegjia, një numër vendesh të Amerikës Latine, një numër shtetesh të SHBA-së, etj.), dhe e kanë bërë mbi të gjitha me bindjen se qari është më i madh se qederi. Legalizimi i drogave nuk është njësoj me promovimin e drogave. Duhet thënë kjo, pasi janë të shumtë ata që këtë e marrin bash kështu këtyre anëve tona. Nga ana tjetër, legalizimi i drogave afërmendsh nuk zhbën fenomenin e përdorimit të drogës. Nuk ka se si ta bëjë këtë. Përkundrazi, drogat janë e do të jenë gjithëherën të pranishme. E mbi të gjitha të rrezikshme, pasi ato provokojnë sëmundje, vdekje, varësi fatale prej tyre, ato provokojnë edhe krime (ka njerëz që s’e kanë fare për gjë të bëjnë edhe një krim për të siguruar drogën e nevojshme). Ajo që them është një gjë tjetër, dhe me sa duket e provuar: legalizimi i drogave na kushton më pak se sa lufta ndaj drogës; një botë me droga të legalizuara është më e mirë se sa një botë me droga të kriminalizuara.

*Shqip

SHKARKO APP