Kthimi i çështjes së Alzasës mes Gjermanisë dhe Francës

Për një shekull Alzasa ka qenë kapitull i mbyllur midis Gjermanisë dhe Francës. 100 vjet më parë rajoni u bë përfundimisht pjesë e Francës. Por pakënaqësia kundër njerëzve të pushtetshëm në Paris është rritur sërish.

Për jubileun e 100 vjetorit në Strazburg erdhi vetë presidenti i shtetit. Së bashku me Presidentin gjerman, Frank –Walter Steinmeier, Emanuel Macron kujtoi në një koncert paqeje përfundimin e Luftës së Parë Botërore, më 11 nëntor 1918 dhe shekullin e ri të pajtimit gjermano- francez pas luftës.

Por ajo që ra në sy ishte se në fillim të nëntorit pak njerëz nga Alzasa ishin mbledhur për të përshëndetur presidentin francez. Mbase ishte rastësi, por mbase edhe dëshmi e asaj, se marrëdhënia midis popullit të vetëdijshëm të Alzasës dhe qeverisë në Paris është thyer. Identiteti rajonal nuk respektohet, thonë shumë njerëz në Alzasë, kur flasin për qendrën shtetërore në Paris, sidomos që nga viti 2016 kur Alzasa është shkëputur si njësi politike.

Frankreich 100 Jahre Kriegsende Macron und Steinmeier in Straßburg (picture-alliance/dpa/L. Marin)100 vjetori i fundit të Luftës së Parë Botërore – Takimi Macron – Steinmeier në Strazburg

E zhdukur nga harta politike

Në kuadër të një ndarjeje të re administrative, Presidenti i atëhershëm francez, François Hollande e lejoi Alzasën që të krijonte së bashku me rajonet fqinje, Lorenën dhe Champagne- Ardene, një rajon të madh që quhet Grand Est. Një formacion artificial, dyfishi i madhësisë së Belgjikës, që sipas sondazheve nuk pranohet nga më shumë se 80 përqind e popullsisë. Edhe kësaj here banorët e Alzasës e ndjejnë veten si top në lojën e politikës së madhe, që nuk kujdeset për veçantitë territoriale. Kryesorja për ta është që kjo copë tokë i takon Francës. Kështu mund të kuptohet pllaka masive prej bronxi, që feston në Arc de Triomphe të Parisit, kthimin e Alzasës Francës 100 vjet më parë. Megjithëse Kajzeri gjerman e pati humbur kontrollin mbi rajon që para vendosjes së armëpushimit, gjatë një periudhe të shkurtër të fazës revolucionare me trazira që zgjati deri në fund të nëntorit, ushtria franceze pushtoi krejtësisht territorin. Më në fund më 8 dhjetor 1918, presidenti francez Poincaré, kryeministri Clemenceau dhe disa gjeneralë festuan në Metz rimarrjen e Alzasës dhe Lorenës nga Franca.

Nga pikëpamja kulturore e lidhur shumë me hapësirën gjermanofone për shekuj me radhë, ky rajon u vendos për herë të parë nën kontrollin politik francez nga Luigji XIV. Nga viti 1850 deri më 1950 Alzas e ndërroi katër herë administrimin politik. Nën këto pretendime të vazhdueshme midis Berlinit dhe Parisit, rajoni pati mundësinë që të vendoste disa rregulla të veçanta për veten.

E drejta alzasiane

Që në vitin 1871 me krijimin e Rajhut gjerman, e ashtuquajtura Alzasa Lorena e Rajhut, morri ligjet e atëhershme franceze. “Nga viti 1871 deri më 1918 ligjet gjermane u vendosën këtu si një „shtresë e mbivendosur ligjesh”, thotë profesori i së drejtës në Universitetin e Strazburgut, Robert Hertzog. Mbas ndryshimit tjetër të pushtetit.

Në Alzasë dhe në pjesë të Lorenës vlen edhe sot marrëveshja e 1801, sipas të cilës shteti paguan priftërinjtë dhe rabinët. Përveç kësaj, shteti kujdeset për mësimin e fesë dhe lejon fakultetet teologjike në universitete. Kurse në pjesët e tjera të Francës sundon ndarja strikte e shtetit dhe kishës.

Edhe ligjet për shkollat dhe çështjet sociale në Alzasë kanë veçanti që vlejnë edhe sot. Në mënyrë që ligjet lokale të mos shkelen, punon prej 30 vjetësh në Strazburg një institut publik i njohur, “Institut du Droit Local”. Këtu juristët kujdesen për ligjet lokale dhe i mbrojnë ato.

Tradita bilinguale

Rëndësi të madhe për politikën në Alzasës ka edhe tema e dygjuhësisë. Në vitet 1960 dhe 1970 kishte banorë të Alzasës që nuk flisnin frëngjisht, por funksiononin në jetën e përditshme me dialektin aleman. Një gjendje që shteti qendror nuk donte ta toleronte më. Fëmijët që në Francën e pasluftës flisnin në oborrin e shkollës gjuhën e Alzasës, dënoheshin edhe fizikisht.

Sot gjithnjë e më pak njerëz nga dy milionë banorët flasin dialektin e folur të Alzasës. Por një “Elsässisches Sprochamt”, zyrë që merret me çështjet e gjuhës, kërkon tani të ndryshojë situatën me kurse gjuhe dhe fushata informuese. Në 500 grupet teatrale të vendit, flitet gjuha e Alzasës.

Humbje e dukshme e pushtetit

Këtë traditë dhe këtë pavarësi shumë banorë të Alzasës e shohin tani të rrezikuar nga qeveria e re. Shumë vetë kanë frikë se projektet ndihmëse për të forcuar dygjuhësinë mund të mbyllen tani. Veçantitë e shumta historike të Alzasës kanë qenë halë në sy për idhtarët e fortë të „republikës së bashkuar dhe të pandarë”.

Shenjat e para që tregojnë se zërat e Alzasës nuk kanë shumë peshë, janë dhënë. Lidhja e shpejtë me trena Strazburg- Marsejë është zëvendësuar tashmë me një lidhje hekurudhore që lidh metropolin e Lorenës, Nancy-n me metropolin e Mesdheut, Marsejën. Dhe meqenëse administrata rajonale është përgjegjëse për zhvillimin ekonomik dhe turizmin, shumë alzasienë tremben se paratë në të ardhmen do shkojnë diku gjetkë dhe jo tek ata.

Edhe metropoli i Alzasës, Strazburgu ndodhet nën presion si qendër rajonale. Ndërkohë që për arsye gjeografike të vendodhjes qendrore të Lorenës, vendimmarrësit politikë mblidhen gjithnjë e më shpesh në Metz ose Nancy, vendimmarrësit nga ekonomia dhe shoqëria civile preferojnë zonën e Stacionit lindor të trenit në Paris, sepse lidhjet hekurudhore me Parisin janë më të mira se të kryeqyteteve të provincave.

Rajon europian si zgjidhje?

Shqetësimi i shumë alzasienëve pasqyrohet ndërkohë edhe në kutitë e votimit. Në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, për herë të parë në histori një kandidat i partisë rajonale alzasiane „Vendi ynë”, arriti të dilte në balotazh.

Ndërkohë në Paris, tema e Alzasës është kthyer në çështje me të cilën merren instancat e larta. Mbas bisedimeve të gjata, kryeministri i ri Edouard Philippe dhe përfaqësues nga dy departamentet e Alzasës së Sipërme dhe asaj të Poshtme, arritën një marrëveshje dhjetëfaqëshe, që skicon krijimin e një „Alzase rajon europian”. Ky nuk do të ishte kthim në autoritetin e fuqishëm politik të rajonit të Alzasës, por alzasienët do të merrnin në dorë më shumë të drejta për të vendosur për disa çështje të tyre.

Përgjegjësia për autostradën e rëndësishme A35 do të ishte e rajonit europian. Rajoni europian po ashtu do të vendoste vetë nëse do të marrë mësues të rinj nga Gjermania, dhe nëse do të ndikojë më shumë në sektorët e ekonomisë dhe turizmit. Brenda tre vitesh, ky rajon europian që do të ketë kompetenca edhe në çështjet ndërkufitare, pritet të kthehet në realitet. Por që përkatësia e rajonit Grand Est nuk u ndryshua ka mbetur peng për kritikët. Në fakt Francës do t’i shtohej me këtë zgjidhje edhe një variant tjetër për kritikat që i bëhen shpesh për shumëllojshmërinë e përkatësisë së rajoneve.

 

SHKARKO APP