Kuba-SHBA: Fundi i një fqinjësie të traumatizuar
Ngritja e flamurit amerikan nga ana e John Kerryt më 14 gusht 2015 në Malecón në Havana është një gjest simbolik. 54 vite konfrontimi mes Kubës dhe SHBA-së marrin fund dhe hapin rrugën për dialog.
Pamje simbolike e marrëdhënieve Kuba-SHBA
Ngritja e flamurit amerikan në ambasadën amerikane në Havana zgjon kujtimet. Por edhe kohë më parë e kanë ngritur amerikanët flamurin e tyre në Havana. Ka qenë viti 1898 pas fitores së mambisëve kundër kolonialistëve spanjollë, me mbështetjen e fuqishme të amerikanëve. Ngritja e flamurit amerikan ishte një simbol i marrjes nën mbrojtje të Kubës, simbol që mori fund me marshimin e revolucionarëve nën udhëheqjen e Fidel Castros në janar 1959. Sot Kuba dhe SHBA qëndrojnë përballë të barabartë. Koha e Kubës nën dorën amerikane ka marrë fund. Me krenari dhe vetëbesim sot prezantohet një vend, lideri i të cilit rifitoi sovranitetin dhe dinjitetn në një luftë disavjeçare. Raul Castro, pasuesi nga viti 2008 i vëllait Fidel, u angazhua për një fillim të ri në mardhëniet me SHBA.
Nuk ndodhi rastësisht që para një viti e gjysmë në ceremoninë shtetërore për varrimin e Nelson Mandelës Raul Castro dhe Barack Obama i dhanë dorën njëri-tjetrit. Presidenti kuban e kishte deklaruar më parë gadishmërinë për bisedime me SHBA. Në plan të parë qëndruan fillimisht bisedimet për "spiunët" mes dy shteteve. Por në të vërtetë bëhej fjalë për më shumë: Për fundin e një armiqësie që filloi me fitoren e revolucionit kubanez në vitin 1959 dhe kulmoi në krizën e njohur si "kriza e raketave" në tetor 1962. Uashingtoni i kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike. Shpronësimet masive të firmave amerikane në "ishullin e sheqerit" ishin bërë ndërkohë. Embargoja e Uashingtonit e përforcuar në vitin 1992 dhe 1996 me ligjet e kongresit amerikan – ende në fuqi deri sot.
Arsyet e afrimit – perspektiva kubaneze
Raul Castro e di se epoka Castro po merr fund. Kjo epokë kishtë si element kryesor armikun SHBA si në politikën e jashtme ashtu edhe të brendshme. Ky armik përdorej sa herë Fidel Castro kërkonte konfirmimin e politikës së tij tej populli kubanez. Por udhëheqësi i madh ka hequr dorë nga politika nga viti 2008, fotot e fundit e tregojnë atë më shumë se hijen e vetes. Raul Castro e di se Obama angazhohet për dialog dhe do zgjidhjen e problemeve me Kubën. Nuk dihet nëse pas largimit të Obamës, presidenti i ri do të ruajë këtë qëndrim. Në rast fitoreje të republikanëve kjo do të ishte e pamundur. Arsye tjetër është gjendja e vështirë ekonomike e vendit. Modeli sovjetik i ekonomisë me plan ka dështuar. Kuba importon 80% të artikujve ushqimorë. Havana i trembet humbjes së partnerit më të rëndësishëm ekonomik, Venezuelës, e në një rast të tillë furnizimi energjitik i Kubës do të pësonte kolaps. Edhe të ardhurat nga personeli mjekësor dhe lektorët që dërgohen në Venezuelë do viheshin me pikëpyetje.
Perspektiva amerikane
Presidenti Obama është i bindur se rivendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe dialogo sjellin më shumë se sanksionet dhe izolimi. A nuk i parapriu procesi i dialogut rrëzimit të sistemi komunist në lindjen europiane dhe dhënies fund të konfrontimit? Samiti panamerikan në prill 2015 në Panama ofroi skenarin perfekt për një tokje të re duarsh mes Obamës dhe Raul Castros dhe deklarata e përbashkët për rivendosjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Me këtë hiqet edhe një barrikadë tjetër në marrëdhnëniet me një sërë shtetesh amerikane. Venezuela, Argjentina, Bolivia dhe Nikaragua do ta kenë të vështirë në të ardhmen të kritikojnë SHBA-në për shkak të Kubës. Politika e re ndaj Kubës do të ndikojë pozitivisht në qëndrimin e njohur skeptik të vendeve të Amerikës Latine ndaj Amerikës.
Bisedime të vështira
Pas hapjes festive të ambasadave, fillon përditshmëria në diplomaci. Bisedime të vështira janë përpara. Paketa e negociatave është më e gjerë se pritej. Të drejtat dhe liritë e njeriut, tema më e vështirë me Kubën, do të luajnë rol themeltar. Kuba i përcakton këto të drejta ndryshe nga demokracitë perëndimore. Të drejtat sociale janë për këtë vend elementë bazë, dhe beson se është më e zhvilluar në këzë pikë se perëndimi. Kuba akuzon po ashtu partnerët në këto bisedime se masin me dy kute: Tek Kina, Vietnami apo Indonezia nuk vendosen të njëjtat kërkesa të rrepta si ndaj Kubës. Po ashtu Kuba akuzon SHBA për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Afganistan dhe Irak. Edhe trajtimi i të burgosurve në territorin e saj, në bazën amerikane Guantanamo do të jetë pikë diskutimi. Kthimi i kësaj baze kërkohet prej kohësh nga Kuba. Ishulli i Karaibeve e sheh Guantanamon si relike të kolonializmit, një kohe kur, Kuba ishte një protektorat i SHBA-së. Nga viti 1903 me një marrveshje mes presidentit Roosvelt dhe Estrada Palma, ishulli i ka kaluar SHBA-së. Amerikanët paguajnë një shumë parash për përdorimin e ishullit, por për shkak të refuzimit amerikan, fondet kalojnë në një konto të bllokuar.
Edhe sanksionet kundër Kubës do të jenë temë e rëndësishme debati. Do t'i heqë sanksionet kongresi amerikan i sunduar nga republikanët? Do të marrin SHBA dëmshpërblim për kubanët në ekzil të shpronësuar? Shumë çështje në një paketë që mund të çojë në bisedime të gjata dhe të vështira.
Përmbledhje e një analize të ish-ambasadorit gjerman në Kubë, Bernd Wulffen.