Kufiri i çmendurisë!
NGA LUÇIANO BOÇI
Si kurrë më parë në vendin tonë çmenduria, budallallëku e hajvanllëku, si vektorë të së keqes, të mishëruara tek një person, janë bërë bashkë dhe drejtojnë politikisht Shqipërinë.
Dhe po t’i shtosh këtu martesën me krimin, gjëma merr përmasa apokaliptike.
Ka gjashtë vite që njerëzit shohin spektaklin absurd të çmendurisë e së keqes kryeministrore e qeveritare dhe presin me ankthin e së ardhmes që ajo të shënjojë kufirin që ata do e konsideronin të fundit.
Sipas fjalës së urtë “çdo e keqe e ka një fund”. Por fjalët e urta tashmë janë zhvlerësuar, sepse “koha e maskarenjve” ka kapur zenithin. Dhe çmenduria vazhdon revanin e saj si tren i dalë nga shinat, sipas parimit një çmenduri pjell tjetrën, pasi gurra nga del është e pashtershme.
Në këtë kontekst çmenduria juridike e shndërrimit të KQZ në supergjykatë, nuk u duk asgjë para kërkesës që tingëlloi si e dalë nga pavioni i te lajthiturve, të konferencës së Kryetarëve (të budallallëkut) për ta shndërruar seancën e rradhës të parlamenti të zvetënuar, në plenum partie të drejtuar nga Gramozi i ‘90.
Plenum në të cilin çmenduria kolektive e një salle të mbushur me patetizma, panegjerikë, anatema, sharje, fyerje e batuta, demaskoi “grupin e rrezikshëm antiparti e antiudhëheqje” me Presidentin në krye, i cili kërkon bashkë me Bashën të rrëzojë pushtetin popullor të dalë nga gryka e krimit. Dhe asgjë nuk mbyllet këtu, sepse sekretari i parë i partisë e ka parathënë tashmë fatin e Presidentit. Pas demaskimit, vjen dënimi si i parashkruar nga fijet e çmendurisë. Ai me siguri do të kalojë në gijotinën e pushtetit të çmendur, pushtet i trembur totalisht nga mekanizmi demokratik i votës së lirë.
Por para se të ndodhë, falë gjenerozitetit të çmendurisë gjeniale, Kryeministri dora vetë, i paska lënë atij një kohë reflektimi. Aferim.
E në këtë pikë cmenduria nuk ka skrupuj, as moral, as Kushtetutë e kufij jo e jo.
Sepse ajo që prevalon është pushteti. E frika e humbjes së tij është vetë lokomotiva që tërheq vagonët e çmendurisë së pafund. Për hir të tij, pushteti çfarë nuk ka bërë e çfarë nuk ka prodhuar për të fuqizuar veten e për të groposur sa më thellë rrugën kriminale të marrjes së tij.
Kur donte të sillte armët kimike Rama nxorri nga xhepi i vogël, Braçen, të bindte njerëzit se po të lash duart me sarinë çmenduria kimike largohet. Kur burgosi njerëz e i shtyu drejt vetëvrasjes për 30 mijë lekë të vjetra energji, Rama u tha njerëzve se ishte një çmenduri e duhur. Kur mbolli vendin me kanabis, deklaroi se ishte çmenduri e përkohshme dhe i çmenduri nuk ishte ai, por vetëm ministri i brendshëm.
Kur fillloi t’i fuste duart thellë në xhepat e tyre, për të majmur klientelën me PPP e koncesione, u justifikua me progresin e çmendur q ë do njihte vendi. Kur u rrëmbeu drejtësinë, çmendurinë e mungesës së gjykatave e quajti reformë. Kur çmendurisht u mpleks me krimin, me deputetë e kryetarë bashkishë të inkriminuar, deklaronte se u çmend opozita. Kur filloi t’i zbonte me dhunë, t’i prishte shtëpitë, t’i shkatërronte të ardhmen njerëzit ndaluan dhe lexuan se ajo që po i drejtonte nuk ishte parti politike, por organizatë çmendurisht kriminale. Se ajo që po i udhëhiqte nuk ishte arsyeja, por çmenduria e babëzisë dhe e arrogancës.
Kur doli sheshit me fakte e përgjime se vota alias pushteti ishte blerë, shantazhuar, dhunuar, rrëmbyer Rama&banda njerëzit morën frymë thellë, me bindjen se çmenduria e fundit ishte zbuluar dhe kufiri ishte arritur. Ajo që ata prisnin pas kësaj, ishte një situatë e re zgjedhore politike dhe dhënie fund çmendurive të ndodhura. Protestat e tyre krah opozitës këtë kërkonin. Por çmenduria e pushtetit, nuk po njeh më asnjë kufi. Askush më nuk guxon të vejë bast për çmendurinë e fundit. Sapo del njëra, pasohet nga tjetra e kështu me rradhë. Çmenduria vazhdon të dominojë sheshet me gaz helmues, aulat dhe takimet me karrike bosh, me deklarata halucinante. Dekreti quhet akt administrativ. Megjithëse është botuar në Fletoren Zyrtare, Rama nuk e zabaton. Renditja e PS në listë ku e do Rama, quhet fat.
E nuk mbaron këtu. Partia e Unitetit kombëtar zbërthen unitetin. Biba bën si rosak, por në fakt është patok i mbërthyer me gozhda në dërrasë e i majmur me mbetjet e pushtetit. KQZ (Komisioni Qendror i zgjedhjeve shndërrohet në KQP (Komiteti Qendror i Partisë)
Njerëzit e lidhur me shtetin do të detyrohen sikur të ishin të çmendur, të vihen në rradhë për të votuar, ndryshe humbasin triskën e punës dhe shpallen armiq të pushtetit popullor.
Kryetari i opozitës, vihet në akuzë çmendurisht me çmenduri e merret i pandehur me urdhër të njeriut më të akuzuar publikisht, nga një drejtësi tashmë e çmendur nga padrejtësia politike.
Drejtuesë politikë të PD e qytetarë, në rrethe e kudo, arrestohen me akuza false, ndërsa akullorexhijtë lëpijnë gishtat nga hareja. E treni i çaf-çufit të çmendur, po shkon drejt çmendurisë më të madhe, situatës psikopatiko-zgjedhore të 30 Qershorit. Ndalimi i i saj kësisoj shndërrohet në një emergjencë publike kundër çmendurisë Kryeminstrore.
Po a mbaron këtu çmenduria kryeministrore? A është ky kufiri? Jo do thoshte dhe vetë Rama, ajo sapo ka nisur. Sepse çmendurisht ai mendon se çmenduria e tij është gjetja kriminale më e sofistikuar e kohës dhe mbrojtja e vetme e mbetur e tij. Prandaj kufirin e saj duhet ta përcaktojnë qytetarët, përndryshe treni i dalë nga shinat do marrë me vete në çmendurinë e tij, gjithçka kemi arritur në këto vite demokraci.