Kujdes me trajtimin e vdekjes dhe respektin për të vdekurit

Nga Gëzim Tushi-

Ka qënë e paarshikuar që në kuadrin e “kulturës së politizimit” të gjithckaje apo të kthimit paradoksal në “kalë beteje” për përfitime politike të cdo gjëje, që këto të meta “genetike” të politikës shqiptare të shfaqeshin brutalisht dhe pa sensing e duhur të masës dhe të dobisë pragmatike edhe në këtë gjë të shëmtuar sikurse është “loja” me vdjken dhe numërimin statistikor të të vdekurve nga virusi Covid-19. Nuk ka qënë fare e “bukur” dhe ca më pak productive angazhimi eksentrik i politikës dhe interpretimet e sforcuara të saj lidhur me përdorimin e një logjike aspak humane, në përpjekjet për të bërë politikë dite për “vdekjen apo mbarimin e jetës” së njerëzve të infektuar nga virusi dhe që kanë humbur jetën në ambientet e spitaleve Covid një dhe dy të Tiranës.
Deri këtu asnjë njeriu të arsyeshmë dhe bon sens human nuk do ti kishte shkuar mendja se në këtë situatë politikisht dikotomike dhe me tensione të mëdha politike, do të inkorporohej si “shkak shtesë” edhe vdekjet nga pandemia si realitet medical dhe vdekjet shoqëruese, numerikisht goxha të larta dhe të ardhura si pasojë e tragjizmit të saj. Ca më pak paradoksalisht të mendosh se të vdekurit dhe numuri ekzakt i tyre në institucionin final të morgut, do të ishin dhe do të shërbenin qoftë realisht apo artificialisht si shkak I vërtetë për të zhvilluar një fenomenologji të “re” të panjohur më parë si “betejë poltike” e rradhës midis qeverisë dhe opozitës.
Por ja që ndodhi dhe në një mënyrë shoqërisht dhe urbanisht njollosëse dhe si një casus belli pa vlerë dhe product në arenën e betejave të vazhduara midis qeverisë dhe opozitës. Një debat i amplifikuar pa sens, një “helm” public që në vend të respektojë aktin e vdekjes dhe dinjitetin e atyre që largohen tragjikisht nga kjo botë, u shndërrua gjëndje të pështirë sociale duke e kthyer betejën me të vdekurit spitalor në një aliazh të shëmtuar e politikisht jo human.
Pavarësisht ditirambeve humanistiko-mediakale dhe raporteve të së vërtetës me fshehjen apo hiperbolizimin e saj, lidhur me numurin real të të vdekurve nga virusi në spitalet Covid, të deklaruara, lufta mori një karakter tejet absurd, aspak të bazuar në parimet etike të humanizmit. Shoqëria përvec anktheve dhe pasigurive të saj, u detyrua të merrte edhe goditjen shtesë, i cili e rriti peshën sociale të goditjeve që ka dhënë vdekja në situatën sociale shqetësuese që kalojmë. Kjo e ka bërë akma më të neveritshëm debatin nekrofikik të politikës dhe lojën e neveritshme që cënon vdekjen si “pjesë e jetës”. Mbi të gjitha dinjitetin e njeriut që ka humbur jetën, më sakt dinjitetin e merituar të dhe respektimin e të vdekurit.
Përkundrazi debati u zhvillua pa parametrat e njohur të afrimit të kësaj teme me skrupujt e nevojshëm moralë dhe humanoid. Madje akoma vazhdon të bëhet tejet banal dhe jashtë kuptimit të drejtë filozofik dhe jetik të “universalitetit të vdekjes”, duke e trajtuar problemin pa sens human. Kjo e detyroi edhe medjan të futet në grackën e një “logorie mediatike”, në thelb e mbuluar me ngjyra të theksuara të një lloj “nekrofilie politike” të neveritshme. Politikanët hynë në një terren jo adekuat për të bërë “politikë biofilike”, sikurse është statusi dhe statistikat e njerëzve të vdekur e të mbajtur përkohësisht në morg. Për herë të parë besoj në historinë e qytetërimit tonë, ndodhi që politika të ngatërrohet në një betejë që më së shumti mori nuancat e nekrofilisë dhe që për opinionin publik, këto debate nga që kanë të bëjnë me vdekjen, në kulturën tonë tradicionale por deri tani edhe në atë moderne janë konsideruar tema dhe zona ”shoqërisht të minuara”.
Më e keqja është se atë e bënë objekt të luftës pozitë opozitë, një cështje e cila ngatërroi keq, në mënyrë të befasishme dhe krejt të panevojshme rreziqet e vërteta të pandemisë, numurin goxha të lartë të të vdekurve nga virusi me statistikat mortore, me numurimin e tyre në “habitatin e morgut”, duke shkellur rregullat mjekësore, etikën e trajtimit të problemit dhe mbi të gjitha duke nëpërkëmbur në mënyrë të padrejtë, mbase në formë makabre atë që njeriut i mbetet pas vdekjes. Kujdesi i personalizuar dhe ballafaqimi dinjitoz me kujtimin dhe vlerësimin e njerëzve që humbën jetës nëpër spitalet e Covidit.
Këtu nuk e kam fjalën se nuk duhet diskutuar apo nuk mund të bëhet debat publik për pasojën më evidente të pandemisë sikurse është numuri i lartë i të vdekurve gjatë pandemisë. Asgjë që ka lidhje me vdekjen si “pjesë e jetës” nuk është “tabu” apo “zonë e ndaluar” në të cilën nuk mund të futesh. Përkundrazi pandemia e ka bërë temën e “vdekjes” më të pranishme, objekt që mund të diskutohet, aq më tepër për një pasojë kaq të hidhur dhe evidente sic është humbja suksesive e jetëve njerëzore, të cilat sikurse po shihet për shkak të natyrës infective të virusit, po ndodhin më shumë në spitale se sa në shtëpi. Mbase kjo, edhe për faktin që ambient ku shumica e njerëzve të infektuar humbasin përditë jetën, është nëpër institucionet spitalore Covid. Kjo e ka e ka shtuar akoma më shumë epërsinë e debatit politik reciprok pozitë-opozitë të shoqëruar në të njëjtën kohë edhe me shqetësimet e drejta e zgjeruara të analizave mediatike dhe sensibiliteteve të qytetarëve.
Vdekjet që kanë ndodhur pavarësisht shifrave të sakta apo të pasakta, janë një lajm i keq, ngjarje e rëndë individuale dhe sociale. Sido që të interpretohet statistikisht kemi të bëjmë me faktin që përballemi me “asgjësimit” e befasishëm dhe të pamerituar të jetës së njeriut konkret nga njëra anë, që është vërtetë e dhimshme për të dashurit e tij, nga njëra anë, por nga ana tjetër statistikat në rritje dhe numuri i shtuar i të vdekurve ka shtuar dozat e ankthit social që buron nga angështia e vdekjeve spitalore. Gjëra që janë jo vetëm të panevojshme, por dhe krejt të paduhura për situatën që kalon shoqëria jonë. I kam ndjekur me interesim sociologjik të vecantë, mënyrat si është zhvilluar debati politik për të “vdekurit në morg”, dhe kam parë me kujdes reflektimet e këtij diskutimi politik e publik përgjithësisht eksentrik edhe reflektimet e tij në kanalet e diskutimeve mediatike. Të cilat kanë patur ndikim të gjërë edhe në reagimin e opinionit qytetar në rrugë informale apo në trajta të diskutimeve empirike.
Është fare e natyrshme që për këtë ngjarje konkrete, të dhimshme sikurse është numuri i të vdekurve në sipalet Covid, optikat e shikimit politik, qytetar dhe mediatik si dhe bazat respective logjike, individuale e sociale, si faktorë që lidhen me interpretimin e kësaj pasoje tragjike, të ardhur prej pandemisë, kanë qënë të ndryshme. Padyshim është normale që në këtë arenë të debatit public për “vdekjen” dhe numurin e të vdekurve në morg, ka patur trajtime të zgjeruara dhe arsyetimet e bëra kanë qënë me natyrë laike apo fetare. Në një farë mënyre situata e pandemisë i ka të përshira në “kostot e saj” edhe një numur të caktuar njerëzish, që kanë humbur apo që mund të humbasin jetën në të ardhmen. Ky realitet është i ditur, sepse vdekjet janë në “logjikën barbare e nekrofile” të pandemive. Të tilla kanë qënë ato, me pasoja të ngjajshme në tërë historinë e pandemive që kanë pllakosur herë pas here njerëzimin.
Kjo do të thotë se përvec luftës së vendosur për mbrojtjen e jetës së njerëzve të infektuar, që është kryesori, është e nevojshme edhe një masë reflektimi dhe ndërgjegjësimi social, për të kuptuar logjikën e pashmangshme të pandemisë dhe rrjedhimisht edhe të vdekjeve që vijnë për shkak të saj. Ky është një kusht për të zbutur dhëmbjen individuale dhe angështinë sociale, që sjell numuri i madh i vdekjeve, pavarësisht statistikave të morgut apo sensibiliteteve të debatit politik. Qoftë pozitiv, si qëllim në vetvete apo për përfitime pragmatisto-utilitare, ato që nuk kanë ndonjë lidhje aq të domosdoshme me “jetën apo vdekjen”.
Diskutimi publik për të vërtetën apo mashtrimin me numurin e të vdekurve është i natyrshëm të bëhet hapur dhe të shfaqet si “objekt publik”, sepse jemi në shoqërinë postmoderne, shoqërinë e hapur e transparente, ku asgjë nuk është e ndaluar. Kështu që edhe vdekja dhe i vdekuri nuk mund të shikohen si gjëra të paprekshme, “tabu” apo të vlerësohet me logjikën e “nënështrimit fatalist” ndaj saj. Por problemi është se në këtë rast diskutimet për “vdekjet spitalore”, jo vetëm janë të dhimshme nga ana njerëzore, por duke qënë vdekje sui generis, të izoluara nga njerëzit e tjerë të afërm e dashamirës, e bën akoma më të dhimshme, ankthioze e tronditëse aktin e vdekjes dhe sidomos diskutimin numeric e statistikor të vdekjeve.
Duhet treguar kujdes sepse dhëmbja nga sëmundja, e shoqëruar me vetminë e njeriut që është duke humbur jetën është e madhe. Sado që mjekët edhe në kushtet e izolimit dhe rregjimit hermetikisht të mbyllur spitalor janë përpjekur të bëjnë “rol të dyfishtë”, duke u dëshiruar me shpirt të lehtësojnë vuajtjen e të sëmurit dhe shoqërimin e butë të sëmurëve në gjëndje terminale drejt fundit të jetës, megjithatë ai është kujdes i detyruar human e profesional, në atë formë e ato nivele sociale të kufizuara, i pamjaftuedshëm për kuadrin etik dhe nevojën e ritualeve dinjitoze sociale që meriton njeriu që nga ambientet e spitalit duhet të kalojë në “botën tjetër”.
Shoqërisë shqiptare por jo vetëm, në këto kohë të pandemisë, i kanë ndryshuar krejtësisht koordinatat, sistemet e njohura mortore, në raport me njeriun që humbet jetën dhe ritualet e përballjes humane e sociale, me këtë armike të njohur të jetës sikurse është vdekja. Është një situatë që ka sjellë këto kohë të pandemisë, “përmbysje radikale” të rregullave, kodit zakonor, etikës, ritualeve mortore e postmortore, duke bërë relativisht të fshehtë kodin dhe rregullat e jashtme shoqëruese të njeriut që ka humbur jetën, duke zbehur tërë kodifikimin social të “dhënies së lamtumirës”, të shoqëruar me dinjitetin e duhur dhe vlerësimin e jetës së njeriut që ikën në mënyrë të pakthyeshme. Të paktën nga “kjo botë”.
U bë një kohë e gjatë që njerëzit që humbin jetën në “kohën covidiane” kanë fatin e keq të largimit pothuaj të vetmuar, pa patur ceremoninë e merituar, bërjen e një “funeral të hajrit”, për ta shoqëruar për në botën tjetër, pa empatinë e shfaqur publikisht të njerëzve të afërm, miqve dhe të dashurve të tij. Sepse “nuk është vetëm fakti që Covid-19 sjell me vete vdekje të pakuptimta. Ai sjell gjithashtu vdekje pa dinjitet. Frika e infektimit ka bërë shumë prej pjestarëve të familjeve të ngurojnë të marrin pjesë në varrimin e të afërmve të tyre, për të mos thënë që në shumë raste, nuk është kryer as edhe një funeral”. (I Krastev, Mbërriti e nesërmja thua? F11)
Pavarësisht se jemi të detyruar të ndryshojmë kodet etike, ritualet sociale dhe deontologjinë e tyre, një gjë është e sigurt. Është shqetësuese fakti që pandemia e ka bërë të pranishme, madje dominuese praninë e “vetmisë” së njeriut që ndodhet përballë me vdekjen. Edhe kjo është një nga gjërat më të dhëmbshme që mund të imagjinohet.
Megjithatë e parë nga perspektiva e epokës post-covidiane, me siguri që shumë gjëra do të ndryshojnë, jo vetëm për shkak dhe nga ndikimet e pandemisë kalimtare, por dhe normat dhe paradigmat e reja të komportimit të njeriut me jetën postmoderne, të cilat janë të pashmangshme. Shoqëria shqiptare është në rrugën e gjatë të ndryshimit dhe realizimit të detyruar të shumë “reformave të reja të jetës”. Dhe sipas sociologut Edgar Morin, në mënyrë të pashmangshme “reforma e jetës nuk mund të mos shoqërohet me një reformë edhe të vdekjes”. (Edgar Morin, Rruga për të ardhmen e njerëzimit, f. 384).

Gëzim TUSHI, sociolog
Mjeshtër i Madh

SHKARKO APP