Kujtime nga stani…
Fejton
Nga Thoma Goga
Sa zbrita nga makina, më doli para ai kafshari që Çeçua im e ka mik. Më shkoi mendja për të keq, por shyqyr që enigma u zgjidh shpejt.
-Më dha Çeçua këtë defter për ty, – tha dhe iku si veriu.
Ishte një fletorkë në kapakun e së cilës byrazeri kishte shkruar : “Kujtime nga stani”. Autori : Çeço Çobani ”. Pa shiko, pa shiko pëshpërita. Mos është ndonjë shaka nga ato që bën shejtani! Po kureshtja m’u bë lak në fyt: “Që thoni ju; zbrita një herë në qytet. Mora dhe dy qypa me gjizë. T’a shisja mo, se ishte prishur me kohë. Të blej ca oriz, ca kripë thashë, se e hanë dhe delet. Kur ç’të shoh! Te tregu një rrëmujë e madhe. Dy fugona policie rrethuan vendin e morën 4-5 djemuri. Më morën dhe mua me gjithë qypat. Deri në komisariat njëri qyp u boshatis. E hëngrën gjizën policët, ja kështu me grushta. U bënë policët, ç’të të them mo; sikur ishin lyer me gëlqere…Hallall, thashë, i ka marrë uria. Djemurinë e futën në birucë, mua më lanë në korridor. Aty unë me gjithë qypat. Kalonin policët. Çeço njëri, Çeço tjetri. I njihja mo, barinj kanë qenë me mua. Ja, Zisua me dele, Kasua me dhi, Demua me lopë. U veshën policë se shkuan nëpër mitingje…
– Pse më morët? – pyesja unë. E ku pirdhnin ata. Në vend që të me merrnin mua, morën qypat “në pyetje”. Kur doli një si punë shefi.
– Turp të kesh, pse është bosh një qip, o kokë qip, – më tha me një gjuhë alla dropullitçe.
– E di si është puna, zoti qip, më fal zoti shef, e bitisën policët. Po më thoni, pse më arrestuat? Ç’kishit me mua, mo?
Nuk më dëgjoi. U fut në një si punë zyre…E kishte mendjen tek gjiza. Iku ai, erdhi një tjetër. Një zdap i gjatë. Nuk e njihja. E kishin sjellë nga Tirana “me ngritje”, se e kishte dorë të rëndë…Të ketë qenë kovaç, thua?! Kur të binte ai mo, torrovilja tym të çonte…Ç’të të them! “Do të kontrollojmë trastat për armë të ftohta” dhe i mori trastat. U fut edhe ky në zyrë. Mendja më shëtiti e më shkoi te armët “e ngroha” që kam në shtëpi. E mo, kam dy copë; një unë e një plaka. Të tërë në fshat kanë mbushur nga dy baule e një tavan. Ne aq takat kishim, aq morëm. Po ama i mbajmë ngrehur gjithnjë. Sillen egërsira vërdallë, mo. Apo nuk i kemi lyer me vaj ulliri! Unë kam një të gjatë, si i thonë, ka…karabinë, plaka pistoletë, po i thotë “pisqollë” se është më lehtë. Kjo e imja mbahet me vete, ndaj e kam varur në stan. Ia kërkoj ndonjëherë plakës e ma jep atë “veglën” e saj, si i thonë, pisqollë. Po sot sikur i tha zoti e s’ma dha. Shyqyr se do bëhej hataja. Të paktën nja 2-3 vjet do i haja…
Andej nga fundi i korridorit plasi sherri “Dil shpejt se vdiqa”, bërtiste njëri. Tjetri : “O lele, më shpëtoi”. Policët ishin vënë në radhë te haleja. I kishte zënë barku nga gjiza ime e prishur, mo.
Nga një zyrë aty doli prapë ai zdapi i gjatë:
– Turp të kesh, – më tha, – pse nuk mban dhe një copë bukë në trastë.
Pas tij doli një tjetër, duke fshirë buzët.
– Po ti, more, pse e ke lënë gjizën pa kripë?
– Po ja mo, të lini ju…- dhe pa mbaruar llafin, më futi një shkop gome. Ai zdapi i gjatë vrapoi në fund të korridorit.
– Shpejt të lirohet haleja se do vijë shefi!
Dy- tre policë dolën pa mbaruar punë… Poturet nëpër këmbë. Hyri shefi. Prit të dalë s’ka, prit e s’ka. Ulërinte haleja nga diareja, mo. Aty afër mëngjesit “u lirua” edhe shefi.
– Po më sqaroni, mo,- i thashë, – pse më keni arrestuar?
– Do ta marrësh vesh, – m’u hakërrua, – ik thyej xerkun. – Dhe urdhëroi të më nxirrnin jashtë. Kurse ai zdapi i gjatë ma futi prapë me shkop gome. Prapë skapamentua ime tym…
– O zoti qip,- u ngatërrova prapë unë, – më jep ato shefat…
E ndjeva që e dhjeva, me nder jush. Po e ndreqa aty për aty.
– O zoti shef, më jep ato qypat…
– Ik ore, pirdhu, – më tha, – po të burgosurit ku do ta bëjnë shurrën…
Kështu, o xhani Çeços, kalova një natë në komisariat. Nuk kisha qenë ndonjëherë. Po si shtet i varfër që jemi, mirë i kishin rregulluar birucat. Edhe më të mira do i bëjmë, se kemi hyrë në NATO, kupton apo jo. Po shkojmë drejt Europës, merr vesh .. Vetëm shkopinjtë e gomës të mos i ndërrojnë; më mirë kemi këta të vjetrit që janë zbutur goxha. Se po erdhën të rinjtë, duan kohë të shtrohen… Kur po kthehesha në fshat me urbanin e shkundur, dëgjonim muzikë që përzihej me “rrëq – rrëqet” e llamarinës. Sa vajti ora fiks pa një çikë, shoferi e ktheu radion nga lajmet. Filloi zëri në radio. “Mbrëmë, – tha radioxheshka, – në një operacion “blic” u kap nga policia një person tepër i rrezikshëm. Personi Ç.Ç. që ishte i maskuar si bari e që mbante dy qypa me gjizë, dyshohet të jetë dhe drejtuesi i grupit terrorist. Në fund të çdo qypi, policia zbuloi të fshehur poshtë gjizës edhe pluhurin e bardhë të dyshuar si heroinë ”.
Dre, thashë, mos e ka për mua?! U, u, po shkurt Ç.Ç. unë jam. Gjatë më thonë Çeço Çobani. Kruajta veshët. U,u u ftofsh në tajare! “Paskam qënë terrorist! Edhe i rrezikshëm, edhe kumandant grupi e nuk e dija!”, thashë me vete. Ore, po kjo “heroina” ç’të jetë? Në çast m’u kujtua ai shefi kur tha: “Do ta marrësh vesh, ik pirdhu”. Ama dhe mua, si për të zbatuar porosinë e shefit, më shpëtoi, me nder jush, një p…po naaaa, sa një qyp…E ç’faj kisha unë, kur radioja pirdhte e “helmonte” tërë dynjanë. Ika tashti se do jetë bërë merak plaka, që i ndjek haberet një më një. Apo nuk do plasi sherri për ata dy “qipat” që mbajti policia!…”
…Të lumtë dora, Çeço Çobani! -thashë e vura buzën në gaz. –Po mua pse të ma ketë dërguar, shejtani, ë? Mendjehollë byrazeri im; edhe bari, edhe kalemxhi…