Kujtimgjuzëria shënoi aktin e fundit të rënies së parlamentarizmit

Kur ishte menduar se kryeministri Edi Rama nuk mund ta rrënonte më shumë parlamentarizmin në vend, pasi futi krimin në majë të ligjvënies, ja ku vjen akti final i rënies: krijimi i kujtimgjuzërisë si ‘opozitë’.

Kujtim Gjuzi nuk përtoi të shpallte veten menjëherë lider. ”Nuk kam asnjë arsye që ta lëshoj mandatin sepse nuk është i Kujtim Gjuzit, por i Partisë Konservatore. Në këtë moment unë jam një ndër drejtuesit më të lartë të grupit të ri opozitar, tha Gjuzi.

Kaq u desh dhe opozita e re në Kuvend nisi të identifikohej me imazhin e burrit me mustaqe (musteqe), njësoj sikur kishte dalë nga tregimet e Faik Konicës, nga Zululandi që vazhdon të befasojë edhe një shekull më pas.

Në rrjetet sociale nisën të shpërndahen meme dhe gjatë një daljeje televizive, Kujtim Gjuzi u tregoi edhe njëherë shqiptarëve se përse dëshpërimi konician nuk do shuhet kurrë.

Ai u tha të pranishmëve në emision se ka vendosur të pranojë mandatin pasi kishte diskutuar me një zyrtar të OSBE në Tiranë. Mbi të gjitha, ai shkaktoi ilaritet kur tha se është pro amerikan pasi mban një orë të markës Atlantic.

“Kemi patur dje një kontakt me këshilltarin më të lartë të zyrës së OSBE-së në Tiranë, i cili thotë se jemi të inkurajuar nga ambasadori që të mos e lëshojmë mandatin”.

“Parlamenti nuk mund të lihet bosh, është gjakosur parlamenti, por ka vijuar të funksionojë. Unë ia kam certifikuar gazetarit tuaj, sms-të që kam, mund t’ju nxjerr dokumentet e komunikimit. Ka thënë një ish-ministër, që Gjuzi nuk ka telefon se ka borxhe.

Kam komunikim me ambasadën britanike në Tiranë. Kam sms me këshilltarin më të lartë të OSBE. Jam mik i Ambasadës amerikane, jam edhe mik i Amerikës se mbaj orën ‘Atlantic’”, u shpreh Gjuzi.

Të qeshurat në studion e gazetarit Ylli Rakipi nuk u ndalën pas këtij konstatimi origjinal të Gjuzit. Kjo situatë e acaroi ‘liderin opozitar’, që iu kthye ashpër analistit Andi Bushati.

Bushat kujdes! Të fus golin si Bashkim Finos, tha ai, duke shkaktuar akoma më shumë të qeshura mes të ftuarve.

“A është i ligjshëm Rama? Jo! Por në qershorin e 2017 i kam pohuar Bashës në zyrën e tij se Rama intimidoi e vodhi zgjedhjet, sipas sondazheve. Por ai si i kompleksuar që ishte, nuk më dëgjoi”, paralajmëroi Gjuzi, i cili sapo mori mandatin dhe u rehatua në karrigen e lartë shtetërore, pranoi se Rama është kryeministri i tij i ligjshëm.

Madje si për t’ua mbushur mendjen të gjithëve se një fuqi e madhe atje lart e kishte parashikuar ardhjen e tij në politikë, Gjuzi risolli në kujtesën e qytetarëve të republikës ‘koniciane’ të Zululandit një takim me kreun e bektashinjve shqiptarë, ku i kishte zbritur shpallja: Së shpejti Kujtim do të jesh në vendimmarrje kryesore për qetësimin e politikanëve gjakues…

***

Tani mjafton me ironi dhe humor dhe të kthehemi te serioziteti i dhimbshëm i kësaj situate. Vërtet kryeministri Edi Rama thotë me të drejtë se këta janë emra që i ka futur Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi në listën e deputetëve, por edhe kjo çështje është mes atyre që duhet të trajtohen në kuadër të nevojës për të patur për herë të parë një proces zgjedhor normal në vendin tonë. Lulzim Basha e ka pranuar se ka gabuar dhe ka pjesën e tij të fajit. Por kryefajtori mbetet kryeministri shqiptar, që pasi e çoi Kuvendin në ditën e tij më të zezë në historinë e këtij vendi, duke e mbushur me krim dhe korrupsion, tani po i jep edhe goditjen finale parlamentarizmit në vend.

Filozofi Artan Fuga bën një krahasim pikant, kur thotë se ne po përjetojmë rënien e Kuvendit si institucion, njësoj sikundër njeriu ka fazën e lindjes, maturimit dhe të rënies.

“Kanë rënë qeveri si në vitin 1991, në vitin 1997, 2001, por Kuvendi nuk ka rënë kurrë. Ishte institucioni i fundit i shtetit që mund të supozohej që mund të sulmohej sepse atje flinin shpresat e popullsisë, ishte siguresa e fundit e shtetit, që askush nuk e luante me dorë. Sulmoheshin institucionet e tjera si Kryeministria, Ministria e Brendshme, Presidenca, por asnjëherë Kuvendi i Shqipërisë. E kundërta e asaj që ndodh sot, kur sulmohet Kuvendi dhe jo institucionet e tjera të shtetit. Pse nuk sulmohej Kuvendi? Sepse kontrata ishte bërë, çdo deputet atje ishte i zgjedhur nga populli dhe prandaj populli nuk mund të sulmonte veten e tij”, shkruan Fuga.

“Përtej goditjes ndaj politikave të qeverisjes, kemi një fakt, një ngjarje, një rezultat që nuk është as më shumë, por edhe as më pak, por vetë rënia e Kuvendit të Shqipërisë si pasojë e degradimit shumëvjeçar të tij nga vetëfryrja si tempull i demokracisë, tek institucioni që sot është jo vetëm më i kontestuari, jo vetëm me imazhin më të ulët nga të gjitha institucionet e tjera të shtetit, por edhe i dalë krejtësisht nga funksionet parësore që ai do të duhej të kishte”, shkruan Fuga.

***

Teksa është ulur në karrige, i gatshëm për të bërë gjithçka që të mbajë pushtetin, siç shkruan gazeta autoritare zvicerane, NZZ, Edi Rama po shijon aktin e fundit, atë të rrënimit të parlamentarizmit, të kthimit të Kuvendit në kujtimgjuzëri. Ironia është se kryeministri po e shet këtë si një përpjekje për të bërë reforma me një ‘opozitë të re’, për të bërë shtet në një vend që i ngjan gjithmonë e më shumë Zululandit, për të cilin kishte shkruar Faik Konica, të cilin Rama e quan si mësuesin e tij.

Thonë se ndonjëherë për të kuptuar se çfarë ndodh tamam në Shqipëri, duhet të shohësh se çfarë thonë të huajt. Revista më e madhe në Europë, Spiegel e quan parlamentin shqiptar Scheindemokratie. Në shqip nuk ka një përkthim të saktë. Disa mund të thonë demokraci lojë, të tjerë demokraci false ku zgjedhjet janë vetëm fasadë. Por kur u përdor për herë të parë nga sociologu i njohur Max Weber, termi përkufizohej si një formë e qeverisjes që të jep idenë e një demokracie, por ku mbisundojnë elementet e diktaturës dhe të oligarkisë. Drejt kësaj humnere po e çon vendin Edi Rama dhe kujtimgjuzëria. Ndërkohë në rreshtin e parë janë ulur disa ndërkombëtarë që po ‘sodisin’ këtë skenë me shpresën se do jetë film. Për fat të keq janë pamje reale.

Burimi: Mapo

SHKARKO APP