Kulla e stadiumit mes thashethemeve dhe të vërtetës

Prej disa ditësh në kantierin e stadiumit të ri duket sikur çdo gjë është ndalur. Deri para disa ditësh punonin qindra punëtorë, madje edhe me tre turne, tashmë shihen vetëm një grusht rojesh që vijnë rreth e rrotull.

Thashethemet e zakonshme të kafeneve të Tiranës thonë se punimet janë ndalur nga kompania zbatuese sepse nuk po ju dalin pazaret me qeveritarët:

Një grusht njerëzish me pushtet të cilët mundësuan prishjen e stadiumit të vjetër kombëtar dhe ndërtimin e paligjshmëm të të riut, kanë bërë pazar me ndërtuesin për të mbajtur dhe ndarë mes tyre kullën. Por, kompania e cila zbaton projektin ka kuptuar ditët e fundit se ajo do të përfitojë pronësi vetëm në qendrën tregtare por jo në kullën e stadiumit. Ky lloj shpërblimi nuk mjafton për të paguar koston e ndërtimit të stadiumit, të kullës dhe të qendrës tregtare. Për të kompensuar koston , qeveria i kishte premtuar kompanisë tendera publikë me leverdi.

Por, duke qenë se investimet publike janë zvogëluar, kompania ka frikë se mund të ngelet me gisht në gojë, ndaj dhe ka ndërprerë punimet, ndoshta për t’i bërë presion palës tjetër.

Në një vend normal këto lloj “spekullimesh konspirative” as nuk do të kishin nevojë të përgënjeshtroheshin, sepse dokumentet publikë do sqaronin gjithçka. Por në rastin konkret qeveria nuk ka dhënë asnjë informacion publik dhe çdo gjë e ka bërë në fshehtësi të plotë.

Madje qeveria nuk ka treguar as vullnetin më minimal për të informuar publikun dhe përfshirë atë në vendimmarrje.

Kantieri i ndërtimit në mes të Tiranës nuk ka asnjë të tabelë informuese, sikurse e kërkon ligji, mbi të dhënat e punimeve: cilët janë përgjegjësit sipas ligjit, kush është projektuesi, investitori, ndërtuesi, çfarë ndërtohet, numri i lejes së ndërtimit, vlera e projektit, dhe afati i punimeve.

Leja ndërtimit nuk ekziston as në faqen zyrtare të KKT-së dhe as në tjetër burim qeveritar, sikurse nuk ekziston ndonjë dokument tjetër zyrtar.

E vetmja gjë që është bërë publike nga ky stadium janë disa imazhe të prodhuara me kompjuter, të bëra publike nga Kryeministri Rama gjatë mbledhjes së KKT-së në Hotelin Tirana International.

Në ditët më pas, në varësi të momentin, kryeministri hodhi në treg rendera që ndryshonin nga njëri-tjetri. Herë me fasadën monument kulture e herë pa të. Më vonë, Kryeministri pohoi se do të kishte edhe dy parkime nëntokësore, një në sheshin Italia dhe një mbrapa tij.

Por asnjëherë nuk është bërë publike projekti përfundimtar i stadiumit, kostot e tij dhe as kontrata ndërmjet federatës dhe kompanisë së ndërtimit, e cila do të jetë pronare e pjesës tregtare të stadiumit dhe të paktën “de jure” e kullës së stadiumit. Nuk dihet nëse është bërë vlerësimi i ndikimit në mjedis ndërkohë që është e sigurtë që konsultimet me publikun nuk janë zhvilluar asnjëherë sikurse e kërkon ligji.

Prandaj sot askush nuk mund të thotë sa metra katrorë janë stadium, sa metra katrorë janë qendër tregtare, sa e lartë do të jetë kulla, sa sipërfaqe do të marrë firma ndërtuese dhe sa do t’i ngeli federatës, kush e financon dhe kush do të jetë pronari, kur do të përfundojë ndërtimi.

Mungesa e transparencës, gjithë ky sekret, gjithë kjo pavendosmëri, procedurat e diskutueshme, ushqejnë zërat e “këqinj” të kafeneve. Ndoshta do të duhej një sqarim dhe një përgënjeshtrim nga ana e të gjitha palëve të përfshira.

Kryeministri, ministrat, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe dhjetra funksionarë të tjerë publikë heshtin dhe pranojnë mos respektimin e ligjit.

Heshtjen e tyre e mbushin spekulimet ose e vërteta, e cila shpesh shprehet vetëm përmes thashethemeve./exit.al

SHKARKO APP