Kullat si autoportret i Ramës

Nga Fatos Lubonja/Dy perversionet e komunikimit, thotë filozofi danez Knud Logstrup, janë: më një anë reduktimi i tij në bërje qejfi njëri tjetrit (si dhe bashkimi kundër një të treti), më  anë tjetër, bërja e tjetrit si vetja nëpërmjet imponimit të mendimit. Në të dy rastet nuk kemi komunikim sepse kështu evitojmë përballimin e problemeve që kemi mes njeri tjetrit. Anija e komunikimit të vërtetë, që nënkupton atë midis subjektesh që shkëmbejnë mendime me njëri tjetrin, pasurojnë njëri tjetrin, e kësisoj thellojnë edhe njohjen edhe raportin me njëri tjetrin, duhet të kalojë midis këtyre dy perversioneve që janë Shila dhe Karibda e komunikimit. Këtë art lundrimi shqiptarët e njohim pak në përgjithësi, por nëse ka njeri anija e të cilit nuk e ka kaluar kurrë këtë ngushticë, por është mbytur duke u përplasur o me njërin perversion o me tjetrin, ky është Edi Rama. Në vend të komunikimit, qoftë si politikan qoftë si person, ai ushtron ose bërjen e qejfit dhe talljen e kundërshtarëve: “sa i madh je ti, sa të mëdhenj jemi ne, sa budallenj janë ata”, ose imponimin e mendimit të vet: “ti je qorr, ti nuk merr vesh”. Dështimi i raportit të këtij njeriu me njerëzit që kanë një fije respekti për vetveten dhe mendimin e tyre, qoftë në rrafsh politik qoftë në rrafsh marrëdhëniesh personale (duke përfshirë edhe raportin me autorin e këtyre radhëve), është, në thelb, dështim komunikimi. Paaftësia për të komunikuar, e pengon të arrijë pjekurinë e njeriut për të cilin thuhet: “Sapientis est mutare consilium” – i mençur është ai që di të ndërrojë mendim. Nëse ai na shfaqet sot si njeri që asgjë nuk ka mësuar dhe asgjë nuk ka harruar nga koha kur gabonte si kryebashkiak i Tiranës kjo vjen nga ky dështim komunikimi.

***

“Ç’është kjo fobi për kullat!” – ishte shprehja e tij në të ashtuquajturin prezantim të projektit të stadiumit kombëtar ku denigroi kundërshtarët e kullave. Ndërkaq, për të mos dëgjuar përgjigjen e kësaj pyetjeje, prezantimin e organizoi gati fshehurazi në një hotel privat (zakonisht e ka bërë në Pallatin e Kongreseve) dhe vuri rojet e pronarit (klient i tij) të pengonin hyrjen në sallë të kritikëve të projektit. Ndërkohë kritikëve që i futi në sallë, në vend se tu kishte marrë mendimin, u kishte bërë shantazhe dhe lajka që të ndërronin mendim, pra i kishte bërë si vetja.

Në fakt, nëse do të njihte artin e komunikimit, Rama do të duhej t’i kishte bërë vetes, por edhe të tjerëve, edhe ndonjë psikoterapeuti madje, pyetjet që bëjnë shumë vetë: Ç’është kjo mani e Ramës për kullat, që dikur nuk i pëlqenin se i zinin malin e Dajtit? Mos vallë dëshira e madhe për para dhe pushtet i deformon perceptimin e bën t’i duken edhe të bukura? Mos ka edhe ndonjë problem psikik që e shtyn të shkatërrojë veprat e të tjerëve, edhe kur janë monumente të kulturës, dhe të ndërtojë mbi to kulla të larta?

Sepse, që kullat e Ramës, edhe kur nuk janë gabime arkitektonike, janë gabime të rënda urbane këtë e sheh edhe bufi. E shohin edhe kullat vetë që dëgjojnë njerëzit të ulërasin përditë se po u zënë atyre frymën dhe pamjen, se po prishin monumentet historike të qytetit madje po rrënojnë me gjigantizmin e  tyre të gjithë pejsazhin urban rreth e rrotull tyre. E ka shprehur më së miri këtë edhe arkitekt Artan Raça (https://www.facebook.com/notes/artan-ra%C3%A7a-arkitekt/stadiumi-dhe-nj%…) kur thotë, duke analizuar projektin e stadiumit, se “ky organizëm gjigant me një kullë befasuese  dhe ngjyrën e kuqe […] komprometon rëndë me sfondin e tij kompleksin e Bosio-s, transparencën drejt pejsazhit të Dajtit dhe sheshin “Italia”. Por Kryeministri nuk ha pykë nga këto argumente. Në stilin e tij të njohur do të nxitojë shpejt e shpejt o t’i japë arkitektit ndonjë projekt apo ndonjë leje ndërtimi që ta bëjë si vetja ose do t’i lëshojë qentë e tij t’i lehin. Sepse, sikurse e thashë, ai nuk di të lundrojë midis dy perversioneve të komunikimit për të kërkuar të vërtetën. Komunikimin me tjetrin ai e sheh vetëm si instrumentalizim të tjetrit në emër të qëllimeve të veta. Por edhe në këtë aspekt ai është rënduar shumë. Më parë, në kësi rastesh, për të instrumentalizuar, përdorte të paktën konkurset me juri, kurse  në këtë projekt të fundit ai po bën vetë edhe zgjedhjen e arkitektit, edhe jurinë, edhe Ministrin e Kulturës e përgjegjësin e Trashëgimisë, edhe Kryetarin e Bashkisë edhe përgjigjen ndaj oponentëve – sepse nuk dalin ta mbrojnë as specialistët më të afërt të tij.

***

Si ka mundësi? Ç’është kjo mani e këtij njeriu për kullat që e shtyn të ndërmarrë hapa të tilla që në një vend normal do ta kishin çuar deri në burg?

Po të shohësh historinë e kullave ato janë të njohura edhe në vendin e arkitektit Casamonti. Në kohën e Rilindjes italiane familjet e mëdha bënin garë se cila do të ngrinte kullën më të lartë. Më të njohurat janë kullat e San Giminanos. Ato ngriheshin si simbol fuqie i familjeve të pasura, në garë për tu dukur mbi të tjerët. Është shumë i njohur interpretimi i kullave si simbol i phallusit, penisit në gjendje ereksioni/fuqie. Edhe në kohët moderne ato nuk e kanë humbur këtë simbolikë. Ka shtete që janë venë në garë se kush ndërton kullën më të lartë për të treguar epërsinë teknologjike apo ekonomike. Të gjitha këto qëndrojnë në sfond të vetëdijes dhe nënvetëdijes edhe te Kryeministrit tonë. Në prezantimin e kullës së parë që ka ngritur Rama i ka thënë gazetares Jane Kramer: “Papët ngrenë obelisqe. Këto kulla do të jenë obelisqet tona.”

Është çmenduri, gjendje paranojake,  të nisesh të ngresh kulla nga motive të tilla apo të krahasohesh me papët autokratë të Mesjetës në kohën tonë të demokracisë, të refuzimit të raporteve superior – inferior në emër të barazisë në dinjitet midis njerëzve. Megjithatë, ashtu si jemi katandisur, edhe mund t’ia pranonim Kryeministrit dhe oligarkëve të tij ndërtimin e kullave, si shprehje të pasurisë së tyre, apo qoftë edhe si nevojë zgjatjeje të phallusit apo kompensim të mungesës së ereksionit, (gjithë duke i krahasuar me sheikët arabë, jo me papët e sotëm që flasin përditë kundër të fortëve në emër të dashurisë për të dobëtit). Por problemi është se paranoja dhe perversiteti i tyre shkon edhe më përtej.  Ata nuk duan t’i ngrenë kullat as në një vend të ri, jashtë Tiranës, por në qendër. Ata duan që kullat e tyre të janë edhe obelisqe në sheshet qendrore edhe burim paraje prandaj bëjnë obelisqe të trash madje jo me majë lart po me bythë lart. Ata nuk çajnë fare kokën që kështu shkatërrojnë Tiranën historike, përkeqësojnë jetën e banorëve përreth, grabisin hapësirën publike jo vetëm direkt, siç është rasti i stadiumit, por edhe indirekt duke rënduar së tepërmi raportin ndërtim gjelbërim në një qytet ku ka më pak se në çdo qytet tjetër evropian metër katror gjelbërim për banor.

Arkitekti italian Paolo Di Nardo, njohës i mirë i Tiranës, që ka botuar edhe një numër të revistës së tij për arkitekturën italiane në Tiranë, i ftuar nga shoqëria civile i vuri pikat mbi i projektit të stadiumit dhe kullave në Tiranë. Bazuar mbi parimin se e rëndësishme është koncepti i qytetit si tërësi, dhe jo ndërtimi aty këtu i objekteve që kërkojnë të nxjerrin në pah një autor apo një porositës, ai tha se ai stadium aq i madh me atë kullë të lartë nuk mund të dialogojë me ndërtesat përreth. Sigurisht ai nuk e njeh kryeministrin dhe as oligarkët tanë, siç i njohim ne,  që të kuptojë se kullat e tyre janë ndërtuar pikërisht si e kundërta e konceptit të dialogimit dhe të komunikimit. Shihni kullën 4Ever Green dhe do të keni përpara autoportretin e Ramës dhe oligarkëve tanë. Arkitektonikisht ajo edhe mund të qëndrojë – kjo ha debat.  Disa e pëlqejnë disa jo. Por që ajo, edhe nëse nuk është një gabim arkitektonik, është një gabim i rëndë urban me vendin ku është vendosur, kjo nuk diskutohet. Kulla nuk është ngritur që të dialogojë me ndërtesat historike të ministrive, as me ndërtesën e vyer të Bankës, as me ndërtesën e bukur tiranase që ka përbri e njohur si Shtëpia me Gjethe, as me Shallvaret. Përkundrazi, ajo u imponohet atyre me stërmadhësinë dhe stërlartësinë e saj, i shtyp, u merr frymën dhe diellin dhe ulëret duke thënë: vetëm unë jam këtu. Të gjitha kullat e ngritura deri më sot janë kështu, pa lidhje me qytetin dhe as me njëra tjetrën, por kjo ndoshta është shprehja më eksplicite e kësaj mendësie ku dukja dhe arroganca e individëve zëvendësojnë përmbajtjen dhe dialogun e një komuniteti.

***

Dhe këtu del problemi Rama – Casamonti. Një arkitekt që ka minimumin e etikës profesionale do të ndihej keq duke e parë veprën e tij në kontekstin urban ku e ka futur Rama. E tha edhe Di Nardo që ajo dhe kullat e projektuara nga francezët nuk kanë lidhje me Tiranën, duke lëshuar thirrjen “mjaft më me kulla!” Si ka mundësi atëherë që Casamonti vazhdon të gabojë ndaj tiranasve kësaj hera madje duke shkatërruar edhe veprën e Bosios për të ngritur një kullë tjetër? Apo mos vallë ai thjesht ndjek vullnetin e porositësit/ve duke vërtetuar thënien e arkitektit Ludwig Mies van der Rohe, të cituar nga Raça, se “Asnjë vepër nuk mund të jetë më e mirë se sa porositësi i saj.” Cila është e vërteta?

Kryeministri, pas reagimit qytetar, doli e na tha se do të ruhej fasada e vjetër e stadiumit, edhe pse në projekt-idenë ajo as që dukej. Tregoi me këtë rast edhe injorancë të madhe si ish-ministër kulture që ka qenë. Sepse mbrojtja e një monumenti kulture përfshin (me ligj madje) edhe distancat më të afërta  ku nuk duhet ndërtuar që monumenti të mund të ruajë vizualisht dhe materialisht vlerën e tij të pacënuar. Dhe në këtë rast monument është i gjithë Ansambli dhe jo thjesht fasada e stadiumit prandaj distancat duhet të jenë përtej saj. Dhe prapë ngrihet pyetja: mirë papa mesjetar që nuk do t’ia dijë, po Casamonti si nuk është shqetësuar fare për këto distanca. Nuk e ka ditur vallë që ky ansambël është monument kulture, ndoshta edhe unik ne Evropë me historinë dhe simbolikën e tij? Po si arkitekt nuk është në gjendje ta vlerësojë se ky ansambël, dhe atmosfera e tij, shkatërrohet me gjigantin që ai kërkon të ndërtojë siç janë shkatërruar ndërtesat historike përreth kullës së tij 4Ever Green?

Nga burime të brendshme kam mësuar se kur Casamonti e ka pyetur Ramën “a do që ta ruajmë fasadën e stadiumit?”, papa ynë i ka bërë me dorë shenjën “fshije”. Po ashtu, ndërkohë që ka deklaruar se kullën e ka kërkuar arkitekti ne kemi parë se ajo kullë është trashur disa herë  nga projekti i parë dhe për këtë ka ndikuar edhe fakti se porositësi kërkonte numrin e caktuar të metrave katrorë: 30000. Si është e vërteta?

Raça në shkrimin e tij, duke cituar një tjetër arkitekt të njohur,  thotë se porositësi dhe projektuesi nuk duhen ndarë, ata janë si nëna dhe babai i fëmijës. Për mua të dy kanë probleme të rënda etike në raport me qytetin dhe qytetarët të cilëve po u imponojnë këtë projekt me dhunë. që edhe i bashkojnë. Por për mua papa ynë është shumë më vendimtar sesa arkitekti në këtë projekt dhe mban përgjegjësi më të madhe qoftë morale qoftë ligjore. Përsa i përket raportit të tij me arkitektin kjo histori e kullave edhe obelisqe edhe qendra biznesi më kujton esenë e Elias Cannettit “Hitleri sipas Speer” (arkitekti i tij). Ma kujton shumë kur autori flet për lidhjen e ngushtë, në vizionin e Hitlerit, të krijimtarisë me shkatërrimin (e ndërtesave të vjetra); kur flet për kërkesën ndaj arkitektit që ndërtimet të tejkalonin madhësisë e ndërtesave ekzistuese, pasi objekte të tilla paranojaku i sheh si zgjatime të jetës dhe pushtetit të tij pas vdekjes; kur flet për faktin se këto i shihte si shumë më të rëndësishme sesa vendbanimet e qytetarëve të thjeshtë gjermanë. Por ma kujton edhe kur flet për faktin se arkitekti i talentuar, dora dorës që është në shërbim të Hitlerit, kthehet, edhe me veprën e tij në një alter-ego të diktatorit paranojak duke projektuar sipas vizionit të tij.

Nuk po shkoj aq larg sa ta quaj Casamontin një alter-ego të Ramës apo si phallusin e Ramës dhe të oligarkëve shqiptarë, sepse, për fatin e tij, nuk është nën pushtetin e tyre. Por fjala e arkitektit tjetër fiorentin Paolo Di Nardo, që erdhi të flasë me shoqërinë civile në emër të mbrojtjes së qytetit nga kësi projektesh, flet shumë edhe për Casamontin dhe etikën profesionale të arkitektëve që zgjedh Rama për të zgjidhur problemet e tij. Mendoj se, duhet të bëjmë çmos t’i vëmë në dukje këtij arkitekti, nëpërmjet komunikimit për të cilin fola në krye të shkrimit, se kullat që ai po projekton ne i shohim si kombinimi më pervers i etjes për të fituar maksimalisht me etjen për t’u dukur të disa individëve të sëmurë, – në dëm të një qyteti që na përket të gjithëve ku banojnë qytetarë që kanë dëshpërimisht nevojë për përmirësimin e cilësisë së jetës në vendbanimet e tyre dhe jo për këto kulla. (Panorama, 5 maj 2016)

SHKARKO APP