Kultura e skrapit, një krim i shëmtuar shqiptar ­

Nga Skënder Minxhozi/Regjizori i njohur Sajmir Kumbaro ka publikuar së fundi disa foto që u botuan gjithkund, por që nuk u komentuan askund. Informacioni sipërfaqësor i mediave të tipit “fastfood” që po mbizotëron botën e sotme të informacionit në Shqipëri, e ka parë lajmin mekanikisht dhe thjesht si një postim të një personi të njohur publik si Kumbaro, pa u ndalur asfare në dukurinë dëshpëruese që qëndron në sfondin e tij.

Një numër makinash të vjetra të fondit të ish­Kinostudios “Shqipëria e Re”, janë të destinuara sipas regjizorit, për t’u kthyer në skrap. “Gati për skrap! Gjynah. Bota i restauron. Vendndodhja në ish­Kinostudio”, shkruan Kumbaro. Keqardhja e njeriut që krijoi perlat “Koncert në vitin ‘36”, “Rrugicat që kërkonin diell” dhe “Vdekja e kalit”, prek në fakt një pjesëz të atij fenomeni gjigand dhe të pështirë, të shtrirë në 25 vjet postkomunizëm, i cili mund të konsiderohet fare mirë si “kultura e skrapit”

Thënë ndryshe, një Amok kombëtar për të prishur e shkatërruar gjithçka që gjetëm në inventarin kombëtar, ditën që komunizmi barbar shqiptar ra pa zhurmë dhe bujë. Kultura e skrapit nuk ha vetëm metal. Sepse në një aspekt më të përgjithshëm dhe metaforik, nocioni i skrapit nuk i referohet vetëm shkrirjes së metalit. Aspak jo! Në “skrap” janë kthyer këto 25 vjet jo vetëm binarë shinash, komponentë fabrikash e uzinash, instalime serash e infrastrukturash të tjera në bujqësi, kulturë e arsim, kapakë pusetash, parmakë, dyer e paisje gjithfarësh.

Për skrap këto 25 vjet janë “çuar” institucione të tëra shtetërore si ato që dikur ndodheshin nën Akademinë e Shkencave, për skrap janë konsumuar vlera kulturore, trashëgimi historike, fonde të tëra pyjore, parqe kombëtare e investime brezash të tërë në çdo cep të këtij vendi. Në emër të realizmit, e jo të çfarëdo nostalgjie të pavend, këtij shkatërrimi i duhet vënë sot emri që ka: çmenduri dhe padije!

Shqipëria e sotme po del tashmë nga tuneli psiqik i antikomunizmit shterpë të viteve ‘90, sipas të cilit duhej shkatërruar e fshirë nga faqja e dheut gjithçka e trashëguar para vitit 1990. Sot jemi në gjendje të kuptojmë se ku jemi dhe çfarë kemi bërë. Fotot e regjizorit të njohur Kumbaro janë një simbol domethënës i këtij ndërgjegjësimi, pas të cilave qëndron shumë më tepër sesa fati i disa makinave të vjetra të kohës ë Luftës së Dytë Botërore. Fotot e Kumbaros na dëshmojnë fjala vjen, dëshpërimin e imagjinueshëm të atij vetë dhe kolegëve të tjerë, që industria shqiptare e filmit pësoi një goditje fatale në çerek shekullin e fundit, për shkak të “kulturës së skrapit” të cilës ju nënshtrua, me zaptime godinash, shkatërrime strukturash dhe krizë financimesh. Karkasat e makinave të Kumbaros, të mbetura në një cep të Kinostudios, të cilës sot i ka mbetur vetëm emri, janë metafora e dallgës së verbër që kaloi mbi këtë vend në çerek shekullin e fundit. (Javanews.al)

SHKARKO APP