Kur Berisha flet perpara shtetit!
“Po në rastin Frroku çfarë ka ndodhur konkretisht?! Padyshim që rasti i tij nuk është aq i thjeshtë. Veç një problemi ligjor, çështja Frroku ishte shndruar edhe në një problem politik. Shteti dhe mazhoranca janë akuzuar disa herë se e lanë atë të ikte, se e kanë përdorur në fushatën lokale dhe madje se ndikuan në lirimin e tij”…
Nga Blendi Fevziu–
Për herë të dytë brenda javës, Sali Berisha ka qenë një hap përpara institucioneve të shtetit në informimin e publikut. Disa ditë më parë ai deklaroi në Neës24 se Arben Frroku, personi i dënuar nga Apeli i Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm për vrasjen e Komisar Dritan Lamajt, është ndaluar në Hollandë. Lajmi që transmetohej për hërë të parë, kaloi pa asnjë koment zyrtar nga institucionet që kanë detyrim të merren me këtë gjë. Në fakt, një ditë më pas, Opinion.al ju drejtua dy insitucioneve më të rëndësishme ligjore në vend dhe përgjigja që mori, edhe zyrtarisht, ishte se lajmi nuk është i vërtetë dhe se këtë, në të dyja institucionet nuk e konfirmonte askush. Dmth, që asnjë njoftim zyrtar nuk kishte ardhur nga Hollanda ose ndonjë vend tjetër europian.
Mjaftoi të kalonin edhe 24 orë të tjera dhe lajmi rezultoi i vërtetë. Arben Frroku është ndaluar në Hollandë, ashtu siç deklaroi realisht Berisha në Tv, të martën në darkë.
Një javë më parë ishte po Berisha që deklaroi kërcënimin e Mynyr Konit dhe të Dhori Kules përballë mediave, një kërcënim për të cilin të dyja institucionet kryesore në vend sërish “nuk dinin gjë”. Ose së paku kështu deklaronin deri momentin që ndërmorën hapat e para konkretë dhe shoqëruan Shullazin në polici, pas denoncimit mediatik të Berishës.
Duke u shtyrë më tutje në kohë, thuajse 2 vjet më parë, ishte sërish Berisha që njoftoi për avionët me drogë që lëviznin nga Divjaka dhe Gjadri dhe përgjigja që mori ishte jo vetëm mohuese, por edhe tallëse. Në atë rast, u vërtetua se shteti kishte informacion, dërguar më shumë se sa një herë nga shërbimi sekret, por kishte zgjedhur ta mohonte atë.
Po në rastin Frroku çfarë ka ndodhur konkretisht?! Padyshim që rasti i tij nuk është aq i thjeshtë. Veç një problemi ligjor, çështja Frroku ishte shndruar edhe në një problem politik. Shteti dhe mazhoranca janë akuzuar disa herë se e lanë atë të ikte, se e kanë përdorur në fushatën lokale dhe madje se ndikuan në lirimin e tij. Nisur nga kjo llogjikë ishte qeveria e para që ishte e interesuar të njoftonte ndalimin. Ndalim i bërë pas një vendimi Gjykatë që e njohu atë fajtor. Por shteti heshti 48 orë e madje mohoi nën zë.
Ishte realisht shteti i painformuar? Nuk e dinte që Frroku ishte ndaluar, apo nuk donte ta thoshte këtë?
Që të mendosh se Berisha e dinte përpara shtetit ndalimin e Frrokut, kjo ngjan pak e vërtetë. Sado të paafta të jenë disa institucione, informacioni i parë kalon nga ato. Të mendosh që Hollanda informoi fillimisht Berishën dhe pastaj Shtetin Shqiptar po ashtu ngjan e pavërtetë. Më e mundshmja është që ndalimi i Frrokut ka dashur të mbahet i fshehtë dhe arsyet për këtë i dinë vetëm ata që heshtën në këtë rast. Siç tentoi të mbahej i fshehtë dhe të zgjidhej pa denoncim kërcënimi ndaj Dhori Kules. Tentativa të tilla, të qëllimshme apo naive, produkt i qëllimshëm apo i paaftësisë, vetëm sa e shtojnë koston e institucioneve dhe rrisin mosbesimin tek ato! (Opinion.al)