Kur Çeçon e bënë “çeço”…

Fejton

Nga Thoma Goga

E po që Çeçua im të shkruante kujtime, nuk ma merrte rradakja ime. E dija se ishte i thekur për bari, se hante me qentë e flinte me dhentë. E dija se edhe në dasma bejtet i kthente në këngë. Apo nuk paska një dorë!…Lexoni, lexoni:

“…Sa kisha vetëm dele në tufë, isha vetë bari, vetë kadi. M’u shtua dhe “organika” kur m’u shtua tufa me dele, me dhi, me lopë e gomarë. Kur je “bari i përgjithshëm” ke dhe përgjegjësi më të madhe, po ke dhe ca lehtësi. Tani kam në vartësi ca hyzmeqarë e ca zagarë…Ndaj më thonë “bari i përgjithshëm”, po ama, më janë shtuar dhe detyrat.

Ca ditë lashë “vartësit” dhe qentë me bagëtitë në stan. Më thanë ata të shoqatës së “të leshtave” të shkoj në televizion. E mo, pse i shqyeni sytë? Po kush të vejë, mo? Ata vartësit tanë janë refugjatë, nuk dinë shkrim e këndim. Edhe gazetat unë ua lexoj. Jam bërë si ai Bashkimi i gazetave çdo mëngjes…Si the, mo, pse do vija në televizion? Po ja, kush do interesohet për tregun, për kullotat, për ushqimin në dimër, për…Qeveria i di këto halle, po duhet të ankohemi ne që t’i zgjidhi… Mirëpo halli i madh, se unë nuk e dija nga binte televizioni. Kot nuk thonë “me të pyetur gjen Stambollin”. E duke pyetur erdha deri tek kryeministria. Aty ngeca. Shiko vërdallë sa majtas, djathtas. Kur çëfësht m’u gjendën dy vasha të bukura police, sikur ranë nga qielli. Yje ore, yje të thom.

-Zotëri,- më erdhi zëri i kanarinës, – çfarë halli keni?

“Fët” ma bëri truri. Jo për ato policet bukuroshe që i kam si çupat e mia, po m’u kujtua një histori. Ka ca vite, ama nuk më shqitet nga truri, se e kam “regjistruar” edhe në kurriz…

…Që thoni ju fshati kishte gati dy vjet pa drita. As radio, as televizor, gazeta jo e jo. S’punonin as telefonat. Thonë se “është prishur antena”. Ja fusin pordhës kot, mo. Atë e vodhi Zisua për skelën e hardhisë. Edhe një urë të vjetër që kishim, u vidhis. Ishte e kalbur e dërrasat i mora unë të zjeja ato dy bidonat e rakisë. Ku të ankohet fshati? Thonë se kemi deputet, po thonë ama. Nuk e di, unë nuk merrem me thashetheme…Kush pyet për ne, mo? 20 shtëpi, 10 vota as për të fshirë menderen…Më çajnë torrovilen në fshat për çdo problem. Çeço njëri, Çeço tjetri. Më polli beleja, mo, për sytë e ballit. S’mbante më ujë pilafi. U vendos fshatçe që unë të shkoja në “organet eprore”. “Të shkoç, – bërtiti llapa-llapa edhe Sherifeja e Qazimit që s’ka asnjë dhëmbë në gojë, – kot nuk të kemi zgjedhur “kryeflak”…Aty e mora vesh se paskam qenë kryeplak i fshatit që më 1992. “Dëgjo, -më dha ca mendje edhe komshiu im Tasi,- mos shko duarthatë se as në derë nuk të qasin”. Budalla, budalla po këtu e kishte mirë. Mora dy shishe raki se nuk kisha para. E që thoni ju, erdha deri ku ishte Komiteti Qendror…Atë nuk e harroj se aty i qaja atëherë hallet e fshatit. U shastisa. Nga t’ja mbaja?! Kur fafap dy policë; një i shkurtër e një zdap me mustak.

– O zhuls, ç’do këtu para zyrave të shefit?- foli i pari “zdapi”.

– Ore po kërkoj televizionin. Mos është kjo karabinaja e bardhë?- bëra të paditurin sa të dilja nga situata. Ndërkohë që policët po shikonin njëri-tjetrin, u hazërosa të pyes prapë.- Po kush është ky “shefi” juaj, mbase na sjell dritat. Kemi dy vjet me qiri…

– Dëgjo xhaxha, nuk më dukesh dhe aq budalla, – tha një civil që erdhi në çast. Pastaj urdhëroi policët, duke shkelur syrin e djathtë. – Çojeni te shefi…

Dhe dy persona më futën nga pas karabinasë së bardhë e më çuan në një korridor të ngushtë brenda halesë. Më futën dy-tri shkelma. “Jam kryeplaku i fshatit, thirra unë, kam ardhur për dritat…”. “Do t’i sjellim ne dritat” ma priti njëri dhe varda, më binte me shkelm, tjetri me shkop gome nga kurrizi. Hallall se m’i “sollën dritat”; edhe “të gjatat” edhe “të shkurtërat”. Aq drita sa xixa po më dilnin nga sytë. Pastaj më morën shënim emër, mbiemër, numrin e këmbës, emrin e plakut…

-I’ tash do t’bajmë ni kontroll, -tha njëri që më ngjau si Gjini i “Portokallisë”.

Ç’kontroll mo, ja më morën shishet e rakisë. “Do t’i analizojmë…”- tha tjetri. “Bo, bo, u tremba, apo nuk i kam hedhur dy qillo sheqer. Ta merr rradaken menjëherë…”. E ktheu i pari 3-4 gllënjka duke hyrë në një zyrë. U futën edhe dy civilë. Më duket u bënë 6 vetë. Pas 5 minutash doli njëri me sytë rrema-rrema.

-“Rrush” është?

-Fiks fare, – mezi fola.

-Hë, spajun, – u nxe ai, – nji tash i qite kryt; kënke nga ata të “fiksit”! – dhe ma valoi me shkelma. Sytë xixa, “skapamentua” tym. “Zdapi” me një dorë më mbante, me tjetrën “punonte” si Tajsoni…

-Ndërro krahun, o hajvan, – bërtita, – se më bëre pleh…

-O qen bir qeni, do të më pushosh dhe nga puna ë,- ma priti.- Të ndërroj krahun që të më marrin për socialist, se ata gjuajnë me të majtën…- Dhe varda me të djathtën…

Pastaj iku. Duket u lodh. Kur u hap dera e zyrës, dëgjova “analizat” e rakisë. “Shëndeti i kryeministrit, e paçim sa mali i Shkëlzenit…Me fund? Me fund!, Shëndeti i Bushit…Me fund. Për fundin e Ngjalës, me fund…Këtë “Ngjalën” nuk e dëgjova mirë. Më duket ka qenë një deputet me këtë emër…Nejse, unë nuk merrem me thashetheme. Më vonë doli një tullac. Pas tij të tjerët.

– Kush është Çeçua nga ju të dy?

-Vetëm unë jam, mos qofsha. Po ju të bëni “çeço” me pahir.

– Dëgjo, -tha tjetri, – kur të vish prapë sill edhe ullinj, djath e turshi se na përvëlove me raki…

– Dhe tjetër herë, -u hodh “zdapi”,- mos i hidh rakisë sheqer…

-Nigjo ktujna, -foli “kopja” e Gjinit, – meqë kënke i “fiksit”, bëji të fala atij çakallit…

 I pesti bërtiti “Ik thiej xerkun” dhe ma futi me shkelm.

 Më nxorën atje ku më morën, në rrugë. Ashtu urtë e butë, si i thonë, me kulturë… Harrova fare pse kisha shkuar. Po mirë ma bëjnë. Në emër të fshatit do kërkoja drita! O pika, pika! Për hallet e fshatit bëra ”daulle” bythët e mia…

Deri këtu më kujtohet ”filmi” i vjetër, kur më folën ato policet e bukura. Më pyetën prapë se ç’hall kisha. Edhe këtë radhë më ngeci fjala, e humba prapë toruan pse kisha shkuar në Tiranë.

Ju, po ta vrisni pak mendjen, e merrni me mend, pse më humbi mendja…Po më shfaqej një ”film” tjetër, ndryshe nga ai ”i vjetri”… Çeço Çobani, dora vetë”.

…T’u bëftë kalemi hosten, o byrazer!

SHKARKO APP