Kur do të fillojë reforma në drejtësi?
Pavarësisht se ç’thonë aktorët kryesorë politikë e diplomatikë në Shqipëri, pavarësisht se ç’shkruhet në gazeta e ç’thuhet në studio televizive, reforma në drejtësi nuk ka gjasa të fillojë para zgjedhjeve të 2017-ës.
Rama do që ajo të miratohet e të fillojë sa më shpejt, në mënyrë që institucionet e reja, të parashikuara në draftin i reformës, të krijohen para zgjedhjeve, dhe që fillimi i negociatave për antarësimin në BE të fillojnë po para zgjedhjeve. Por duket se Rama nuk i ka 94 votat në Kuvend, për ta miratuar shpejt reformën.
Nga ana tjetër, Berisha do që institucionet e reja, të parashikuara në draftin i reformës, të krijohen pas zgjedhjeve dhe që negociatat për antarësimin në BE të fillojnë po pas zgjedhjeve. Dhe duket se Berisha i ka votat në Kuvend për ta vonuar miratimin e reformës, deri në zgjedhjet e 2017-ës. Janë mbi 40 nene kushtetuese që do të diskutohen një për një; janë 8 ligje që duhen miratuar pas miratimit të neneve kushtetuese (që ato të bëhen funksionale); dhe janë një sërë aktesh nënligjore që duhen hartuar pas tyre. Me pak fjalë, Berisha duket se e ka mundësinë për ta shtyrë fillimin e zbatimin të reformës deri sa të zhvillohen zgjedhjet.
Por përse mund ta dojë Berisha këtë gjë? Çfarë mund të ndryshojë pas zgjedhjeve, që e bën Berishën të dojë që institucionet e reja, të parashikuara në draftin i reformës në drejtësi, të krijohen pas zgjedhjeve?
Në zgjedhjet më të sukseshme të Berishës pas 1997-ës, koalicioni i partive që ai ka udhëhequr ka marrë gjithsej 700 mijë vota. Kjo ndodhi në 2009-ën, kur Berisha ishte një kryeministër i gjithfuqishëm dhe ekonomia shqiptare nuk e kishte filluar ende ngadalësimin e importuar nga kriza greke. Në zgjedhjet e 2013-ës, kur Berisha ishte përsëri në pushtet, koalicioni i tij mori vetëm 680 mijë vota. Ndërsa një sondazh i NDI-së i javëve të fundit tregoi se vetëm 300 mijë votues janë të kënaqur me punën e derisotme të opozitës së bashkëdrejtuar prej tij. Edhe kënaqësia për qeverinë nuk ishtë në nivele të larta, por numri i të kënaqurve me qeverinë ishte sa dyfishi (600 mijë) i të kënaquarve me opozitën.
Pra, çfarë shprese ka Berisha që synon ta shtyjë për pas zgjedhjeve krijimin e institucioneve reja, të parashikuara në draftin i reformës në drejtësi?
Në disa studio televizive ai ka deklaruar se nuk është për një koalicion parazgjedhor me LSI-në, por pas zgjedhjeve mbetet i hapur për një koalicion me të, në vartësi të rezultateve. E përkthyer në një shqipe të thjeshtë, ai duket se ka marrë sinjale nga Meta (ose i duket se i ka marrë ato), se ky i fundit do të krijojë një koalicion me parti të vogla, më vete nga koalicioni i Ramës. Në një rast të tillë, koalicioni i Ramës nuk i merr më dot 1 milionë votat – PS mori vetëm 710 mijë vota në 2013-ën dhe gjasat janë se do të ketë firo në numrin e partive të vogla të koalicionit apo në numrin e votave.
Nga ana tjetër, Berisha nuk duket i shqetësuar nga ndonjë parti e re që mund t’ia prishë këtë ekuacion që ka në mendje. Blushi vazhdon të bëjë turnera për librin e tij, ndërsa Bojaxhiu, që ka deklaruar se do të krijojë një parti të re, është bombarduar aq keq me akuza haluçinante nga dy televizionet më të mëdhej në vend, saqë tani i duhet vetëm të mbrohet, në vend që të ishte në sulm.
Me pak fjalë, Berisha pret që Meta të krijojë një koalicion më vete para zgjedhjeve, dhe që koalicioni i mpakur i Ramës të mos marrë dot aq mandate sa të krijojë qeverinë. E në atë çast, Berisha do të ishte gati t’i ofronte Metës edhe postin e kryeministrit, vetëm që Rama të dilte nga kryeministria, dhe që pastaj të dy të mbikqyrnin zbatimin e reformës në drejtësi. (Basha mund të presë edhe ca vite, se i ri është – mund të thotë Berisha).
Por çdo të bëjë Berisha, në qoftë se Meta rri në koalicionin me Ramën edhe për zgjedhjet e 2017-ës? Vetëm një Zot e di… Respublica.al