Kur goditen me vezë liderët….

 

Nga Lutfi Dervishi

Dy vjet më parë në mesin e fushatës elektorale, ish lideri laburistëve Ed Miliband u godit nga një "breshëri" vezësh nga një protestues. U llangos prapa në kokë dhe në kurriz. Arsyeja e sulmit: "Nuk përfaqëson të varfërit sa duhet, por përfaqëson interesat e bankave". 
Është interesant të ndiqet reagimi i rojeve të sigurisë dhe vetë z. Miliband. Rojet nuk ushtrojnë dhunë. E largojnë nga vendngjarja dhe pak minuta më pas protestuesi sqaron arsyet e aktit të tij para gazetarëve. Edhe një prej gazetarëve të pranishëm u godit me vezë gjatë sulmit mbi liderin e opozitës.
z. Miliband pasi hoqi xhaketën, buzëqeshi dhe tha: "nuk është hera e parë që më ndodh kjo gjë, dhe nuk do të jetë hera e fundit". Në fakt ishte hera e fundit që ndjeu vezët në kurriz.
Por akoma më interesant është reagimi i tij pak orë më vonë në tëitter: "Faleminderit për pritjen e ngrohtë sot te Tregu. Do ta rekomandoj si vend ku lehtësisht gjenden vezë".
Reagimi sotëm i policisë, pasi disa studentë qëlluan me vezë kryeministrin Rama është tejet i papranueshëm dhe i dënueshëm. 
Së pari policia nuk ka të drejtë të ndalojë studentë në oborrin e universitetit. Madje nuk ka të drejtë të jetë prezent aty. Mund të jetë e pranishme në ambiente universitare vetëm me kërkesë të rektorit/dekani.
Së dyti, dhuna ndaj studentëve ashtu sikundër ndaj ccdo qytetari është e dënueshme.
Së treti, mbajtja në komisariat e studentëve për shkak të protestës (qoftë kjo e dhunshme) është mohim i paligjshëm i lirive.
Në një vend demokratik, liderët politik nuk janë imunë ndaj pakënaqësisë dhe protestës. Protestat e dhunshme janë mjeti ekstrem dhe i fundit që kanë qytetarët përballë indiferencës dhe arrogancës.
Lajm është protesta, por lajm mund të bëhet edhe reagimi ndaj protestës. Në shembullin britanik, e gjithë "tragjedia" kaloi me të qeshura dhe batuta, megjithëse vezët goditën në shenjë.
Kryeministri ynë që shquhet për lartësinë e batutës duhet kujdeset personalisht për studentët e ndaluar, të njoftojnë ndëshkim shembullor nëse provohet ushtrimi dhunës ndaj tyre dhe pse jo…të reflektojë ndaj protestës. 
Kur qytetarët reflektojnë më shpesh se njëherë në katër vjet, kur studentët i drejtohen metodave dhunës (pasi i kanë konsumuar protestat paqësore) është koha që të reflektojë edhe qeveria. (syri.net)

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?