Kur Ilda e bukur flirton me Montanelin e shenjtë

Nga Lorenc Vangjeli –

Ernest Heminguei nuk e ka nisur ndryshe nga Kristy Gallacher. Nobelisti amerikan dhe bashkëkombësja e tij e sportit, kanë ushtruar të dy të njëjtin profesion: raportimin gazetaresk.

Indro Montaneli dhe Dileta Leotta, përveçse dy italianë të famshëm përtej Adriatikut, kanë ushtruar në kohë të ndryshme dhe në mënyra tejet të ndryshme, të njëjtën zeje që lidhet me fjalën që informon: profesionin e gazetarisë.

Muç Nano dhe Ilda Bejleri janë dy shqiptarë të njohur, autorë të një sherri të njohur kësaj ane të Adriatikut, përballë Italisë, që mbajnë të njëjtin emërtim “borderoje”: gazetarë.

Çifte të tillë që ngjajnë kaq larg njëri-tjetrit mund të fotografohen pafund krah njëri-tjetrit, larg dhe afër në kohë duke dëshpëruar në të njëjtën kohë edhe klasikët e bibliotekave të djeshme, edhe modernët e shkëlqimit të sotëm. Njëlloj si në novelën e famshme “Flutura dhe tanku”, me Heminguein si autor dhe Montanelin si lexues, personazhe kaq të ndryshëm, megjithatë qëndrojnë për mrekulli bashkë. Sepse kontrasti tërheq dhe tërheqja e të kundërtave frymon interes dhe tërheqje pothuaj fatale.

Në të sotmen e teknologjisë, duket se shoqëria njerëzore përgjithësisht është përballë një zgjedhjeje që nis me “ose…, ose…”. Në rastin e medias kjo zgjedhje është më e dukshme dhe më dilematike. Pra, kerkohet të pëlqehet vetëm një model. Ose ai që vjen nga e shkuara, një masë hijerëndë, përgjithësisht gri dhe e zymtë, që peshën më të madhe e ka kur vjen nga raportimi në luftë, ose prezantimi i sotëm, plot ngjyra e dritë, me aroma e ngazëllim, por me peshë pluhuri fluturash në gishta.

“Unë nuk moderoj! Unë Megipojanizoj”, i dëshmonte një vajzë polemikës së munguar me Ori Nebiajn duke treguar pikërisht ekzistencën e dy realiteteve paralele, njëri nga të cilët ka të bëjë me profesionin e gazetarit që ushtron Ori, kurse tjetri jo. Ato janë dy realitete që përjashtojnë njëri-tjetrin, që nuk përputhen askund me njëri-tjetrin, por që mund të ekzistojnë fare mirë si zgjedhje të veçanta, pavarësisht njëri-tjetrit, pra, edhe “megipojanizimi”, edhe Ori. Në ndeshjen pro apo kundër këtyre modeleve, pakkush kujtohet se ka edhe një alternativë tjetër përballë ose…ose-s brutalisht përjashtuese. Ka edhe, edhe… që i lejon të bashkëjetojnë! Edhe media tradicionale, edhe media argëtuese. Edhe Fevziu, edhe Luana. Edhe Ilva e Eni, edhe Lei e Viola. Pa paragjykim si zgjedhje dhe pa qenë natyrisht as e vetmja zgjidhje. Njëlloj si Edi publicist dhe Rama kryeministër ose anasjelltas, me Edin politikanin atipik dhe Ramën gazetar tipik i të sotmes nervoze shqiptare.

Sa kohë që në këtë botë ekzistojnë njëlloj edhe tanket, edhe fluturat, pranimi i njëkohshëm i të ndryshmëve, bën më të pasur individin që pranon e nuk përjashton. Nëse do ta kishte takuar diku në Romë, Heminguei mund të flirtonte me një gotë alkooli me Diletën e hirshme. Ndaj askush nuk duhet të urrejë Ildën sepse Montaneli nuk mundi ta dashurojë! Thjesht për çështje kohe, mbase sepse nuk mundën të shihen për t’i dhënë një shans shansit për romancë.

Megjithatë kjo është vetëm sharpa e mëndafshtë në kokën e medias. Ajo që duket në sipërfaqe, por jo thelbi i munguar. Eshtë debati plot dilema që mund të bëhet me emra të tjerë personazhesh dhe pothuaj në të njëjtën mënyrë edhe në anën tjetër të Atlantikut, edhe në Berlin, Londër, Paris apo në Romë. Modele të ndryshme të të bërit të të njëjtës zeje, e cila ka ndryshuar pa fund nga koha e reporterit që ishte syri për të parë dje aty ku publiku nuk mundej, në kohën e Iphone-it të sotëm kur gjithçka jeton në Big Brother-in universal dhe gjithëkush ka iluzionin e të jetuarit si gazetar. Në Shqipërinë e një mijë e një halleve, raporti i komisionit të Parlamentit Evropian për mediat, ishte një pasqyrë kineze për të parë deformimin e pushtetit të katërt në Shqipëri. Një ambient me shumë aktorë dhe me po kaq mëkatarë dhe fajtorë. Ai ishte një raport që megjithë deformimet, pasaktësitë dhe keqkuptimet e tij, ishte edhe një mundësi për të kuptuar se modelet e Hemingueit apo Montanelit janë të destinuara të kenë pak klikime sa kohë nuk kanë interesa politike pas dhe nuk përdoren nga politika;

Sa kohë që vetë e vërteta relativizohet nga një korr gjithmonë e më i gjerë gomerësh që kanë përdorur më shumë parfum se ujë për t’u larë;

Sa kohë që njëlloj si Ballkani me historinë, Shqipëria prodhon më shumë “gazetari” sesa mund të konsumojë;

Sa kohë ekziston një mori nofullash banale që tundin gishtin kur akuzojnë dhe pandehin se raportojnë;

Sa kohë që çdo kush që njeh deri në nëntëmbëdhjetë gërma të shqipes jep leksione filozofie në anonimat rrjetësh;

Sa kohë që çdo budalla i ngre vetes piedestal më të lartë morali, mençurie dhe drejtësie se çdo Solomon që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri;

Sa kohë që as Heminguei dhe as Montaneli nuk kanë gjoks që ta dekolteizojnë dhe kofshë të zbuluara që të flasin më shumë se goja dhe të vlejnë më shumë se shkrimi;

Sa kohë që grimi vlen më shumë se puna dhe ekrani shpesh është jo më shumë se listë çmimesh dhe ofertë për seks të shpejtë, të dy ata, edhe amerikani i trazuar, edhe mesdhetari që trazonte ujra të fjetura, do ta kenë të humbur garën me kotelet e mrekullueshme. Ata do të fitonin vetëm nëse do të kuptonin se kjo kohë e çmendur, i ka shpallur humbës vetëm përballë gjithë atyre që janë vetëm humbës. Por një disfatë e merituar ka më shumë vlerë se një triumf i gënjeshtërt! Të paktën ky është ngushëllim i vërtetë në një dynja gjithmonë e më të gënjeshtërt.

SHKARKO APP