Kur Kryeministri i Shqipërisë sillet si hajdut vaksinash!

Nga Kim Mehmeti
Piktori i siguroi Shqipërisë rreth një mijë vaksina. Dhe do meritonte lëvdata edhe sikur të siguronte edhe një të vetme, e jo kaq sa papritur erdhën në Tiranë.
Por ai nuk tregoi as ku i morri, as kush ia solli. Me çka edhe njëherë e përbuzi vendin që drejton duke e shpërfaqur Shqipëria si shtet ku pushtetarët mund të blejnë vaksina edhe nga ndonjë grup hajdutësh, e për këtë të mos i japin llogari askujt dhe asgjë të mos i tregojnë popullit të vet.
Pompozitetit me të cilin u përcoll vaksinimi i Kryeministrit dhe e disa mjekëve, edhe një herë tregoi atë që dihet: pushtetarët e ‘Rilindjes’ nuk e ndjejnë veten si ‘argat’ të paguar të popullit, por si bamirës të tij, të cilët me strajcë mbi shpinë , bredhin nëpër botë dhe mbledhin lëmosh për viset nga vijnë?!
Sidoqoftë mbetet e vërteta se edhe një Kosovë, me një qeveri jo legjitime, pa zhurme e pompozitet, ka siguruar afër dy milion vaksina.
Edhe pushtetarët e një Maqedonie me shumë halle, ashtu siç u takon ‘shërbëtorëve’ të popullit, pa zhurmë e pa shumë lëvdata, arritën të sigurojnë rreth një milion vaksina.
Tani shtohet një pyetje e logjikshme, të cilës do duhej t’i përgjigjemi të gjithë ne shqiptarët, bashkërisht: si është e mundur që një Shqipëri, me mbi një shekull përvojë shtet formuese, pra si është e mundur që mëmëdheu ynë, ku jeton pjesa më e arsimuar e popullit tonë, edhe pas rënies së Xhaxhit Enver, të prodhojë e të durojë burrështetas të cilët popullin e konsiderojnë si një kope budallenjsh që lehtë mund ta gënjesh e manipulosh?!
Pra shqiptaria duhet t’i përgjigjet edhe pyetjes: si është e mundur që kjo shqiptari të jetë aq e pandërgjegjshme dhe e pandjeshme ndaj fatit të vet kolektiv, sa atë ta lë në duart e burrështetasve të cilët, edhe kur vendin e vet e ‘hanë’ nëpër restorantet më të shtrenjtë të botës, dehen e jargaviten duke ngritur dolli në emër të pajtimit të Athinës me Ankaranë!?

SHKARKO APP