Kur Rama dhe Berisha u përqafuan përzemërsisht…

Nga  Lindita Arapi

Në një zonë tërësisht të vetmuar pranë Grenoblës në Francë gjendet një urdhër murgjish, i quajtur “Ordo Cartusiensis”- “Urdhri i Kartuzias”, i famshëm si “Urdhri i heshtjes”. Larg botës, pa radio, pa telefon, pa internet, në një heshtje të plotë, murgjit ka shekuj aty që i kushtohen vetëm Zotit.

Një ish-kryeministër dhe një kryeministër, nga një vend i panjohur për murgjit, Shqipëria, u panë të mbylleshin në këtë manastir, jo për t’iu kushtuar Zotit, por për të zgjidhur hallet e një vendi në lëngim. Ngërҫi ishte kritik: Të dyja palët të përbetuara për të nxjerrë njëra-tjetrën nga ringu politik, ishin futur në qorrsokak, pas vitesh lufte pa krye e pa mend. Të dyja palët përpiqeshin të bindnin krahun e tyre, se ofronin zgjidhje, por në fund arrinin vetëm bllokadë. Populli pas një periudhe të gjatë bindjeje politike për një kah, kishte kaluar në traumë – shastisje e plotë! Kishte humbur besimi tek e ardhmja!

Larg rrëmujës së borive, larg sharjeve të përditshme në parlament, larg akuzave për dështime, që i linin të dy politikanët pa gjumë, larg dyshimeve për përfshirje në korrupsion apo lidhje me grupe kriminale, larg intrigave të brendshme e të pabindurve në parti – pranë natyrës, brenda mureve të gurtë dy politikanë duhet të merrnin pjesë në ushtrimet e heshtjes, ky ishte kushti për të hyrë në këtë urdhër.

Sigurisht, kërkohej një sakrificë e madhe prej tyre! Të mos flitej asnjë fjalë, gjuhës që derdhej prej vitesh si lumë sharjesh i ishin vënë frerët në emër të reflektimit. Por duhej një përpjekje titanike për të duruar heshtjen. Si mund të heshtej e të mos kishte sharje? Si mund të kishte një copëz bote, ku nuk vlente rregulli për eliminimin e kundërshtarit politik? Zërat e rrëmuja e marrë me vete nga vendlindja turfullonin së brendshmi, protestonin, të dy politikanët kuptuan, se kjo ishte tortura më e madhe e mundshme që mund t’u bëhej:

Të uleshin të dy përballë njëri-tjetrit, kokëulur si të tjerët, e të mos flisnin asnjë fjalë, të ishin aq pranë fizikisht, saqë gjunjtë mund t’u prekeshin e prapë të mos i hidheshin në fyt njëri-tjetrit, por thjesht të ndiqnin me sy avullin që dilte nga filxhani i ҫajit të nxehtë? Të dy politikanët nuk kishin rrugë tjetër, por të toleronin ekzistencën e njëri-tjetrit, e të mësonin të mos hapnin gojë, megjithë zërat që ҫirreshin brenda tyre.

Derisa erdhi një ditë dhe zërat e brendshëm, u vetmuan, e kuptuan se nuk i mbështeste kush në këtë hapësirë vetmie, fillimisht ata ulën tonet, u bënë më të përballueshëm për të dy kundërshtarët, e në fund u shuan. Kjo ishte pika e kthesës, e disa thanë, edhe dita e shpëtimit për Shqipërinë: Sepse heshtja e qetësia e thellë që pushtoi të dy politikanët, bëri të ndodhte mrekullia: Arsyeja u rikthye tek ata, e kthjellët dhe e shpëlarë nga urrejtja, qielli u hap për të parë pak më larg se kufiri i Shqipërisë, për ta kuptuar më gjerë realitetin e këtij vendi të vogël -për të parë pozicionin e tij brenda botës së madhe.

E kur kthehet arsyeja, zgjidhja nuk është larg, madje në ëndrrën time, ndodhi edhe diҫka tjetër e pabesueshme: Rama dhe Berisha u ngritën dhe u përqafuan me njëri-tjetrin përzemërsisht, i rrahën supet në shenjë pranimi të njëri-tjetrit dhe thanë njëzëri fjalët e para pas një heshtjeje të gjatë në manastir: Parimi kryesor në demokraci është të mësosh të bashkëpunosh!

Por mëngjesi erdhi, unë u zgjova, e penduar keqazi që hapa sytë, sepse nuk më hiqej nga mendja pyetja, se ҫfarë do të  ndodhte vërtet me Shqipërinë, sikur Beridha dhe Rama, -ose Basha dhe Rama ndoshta jo të përqafoheshin, por t’i jepnin dorën e pajtimit njëri-tjetrin? A nuk do të fillonte një epokë e re për vendin, kur politika të ulte “armët” e të kthehej në fund aty ku duhet të jetë – tek puna për të mirën e vendit?

DW

SHKARKO APP