Kur shteti bëhet palë në një vrasje!

“Ndaj tragjedia nuk u shmang. Një grua 28 vjeçare humbi jetën; një bashkëshort u kthye në vrasës dhe dy fëmijë do rriten jetimë, sepse Shteti nuk bëri më të thjeshtën që duhej të bënte në këtë rast. Të bënte punën e tij…”

Nga Blendi Fevziu –

Një grua e re ka humbur jetën dhe dy fëmijë kanë mbetur jetimë dje në Tiranë! Një baba dhe bashkëshort është kthyer në vrasës, në rrethana që kudo tjetër do të ishin shamngur dhe nuk do të ishin mbyllur me një tragjedi! Të gjitha detajet e vrasjes në Kombinat, kanë vetëm një emër, paaftësinë e shtetit dhe të gjithë strukturave të tij për të ndalur një tragjedi dhe paaftësinë e shtetit për të funksionuar si një shtet serioz dhe i përgjegjshëm.

Ku dallojnë dhe ku bashkohen të dyja këto? Sipas asaj që u publikua pas vrasjes, sherret në familjen Dervishi ishin më të hershme dhe ato nuk kishim mbetur thjeshtë në dijeni të familjarëve apo komshinjve. 3 vjet më parë, Gjykata kishte njohur fajtor për dhunë në familje bashkëshortin dhe kishte lëshuar urdhër mbrojtje për vajzën e re, në atë kohë nënë e një djali thuaje 2 vjeç.Por si do të mbijetonte vajza e re, me një famijë, një nënë të paralizuar dhe e papunë?! As asistencë financiare, as mbrojtje nga shteti dhe as zhvendosje në ndonjë qendër sociale ku thjeshtë të mbijetonte duke u ruajtur nga dhuna. Në mungesë të të gjithave, u detyrua të kthehej atje ku e dhunonin, kësaj here akoma më e përulur sepse edhe shteti tek i cili shkoi të kërkonte ndihmë, dështoi! Pas kësaj, ajo nuk priste më gjë nga askush dhe dhuna nuk ishte çudi që një ditë të përfundonte këtu ku përfundoi!

E dyta, paaftësia e shtetit për të funksionuar seriozisht del qartë në anën tjetër. Gjykata kishte njohur fajtor bashkëshortin për dhunën ndaj gruas. Në vendim pasqyrohej ana e ashpër dhe e papërmbajtur e tij, shpërthimet e shpeshta dhe humbja e arsyes. Por një person që është dënuar nga gjykata për dhunë dhe mungesë ekuilibri vijonte të punonte në një ndër institucionet më të zgjedhura dhe më të filtruara të shtetit shqiptar, në Gardën e Republikës. Atij i ishte besuar mbajtja e armës dhe mbrojtja e personaliteteve, një detyrë, quaje edhe privilegj, që e kanë vetëm njerëz shumë të zgjedhur dhe shumë të filtruar jo vetëm fizikisht, por në rradhë të parë psikologjikisht. Përzgjedhja e personave të tillë është tejet serioze, gjë që në rastin konkret, dëshmon se ka dështuar hapur.

Ndaj tragjedia nuk u shmang. Një grua 28 vjeçare humbi jetën; një bashkëshort u kthye në vrasës dhe dy fëmijë do rriten jetimë, sepse Shteti nuk bëri më të thjeshtën që duhej të bënte në këtë rast. Të bënte punën e tij…Opinion.al

SHKARKO APP