Kurajo prof. Moikom!

 

Nga Manjola Zeka

Lejomë të shkruaj dy radhë që dalin nga shpirti. Trupi m’u rrënqeth kur mora vesh lajmin mbi sëmundjen tënde për shumë arsye…  Do mundohem të shpjegoj më poshtë…

E para, ti je një njeri i fortë, i mençur, njeri me shumë kurajo, njeri që e do jetën, një njeri që në këto vite ke dhënë shumë… dhe padyshim do vazhdosh të japësh.

Kam pasur fatin e mirë shumë vite më parë, të punoj me Ty, te gazeta “Koha Jonë” dhe të them të drejtën kam mësuar shumë nga Ty. Jo vetëm nga ana profesionale, por kam mësuar shumë nga Ty, pasi qetësia që të karakterizon, është një virtyt që jo të gjithë njerëzit e kanë.

Prof. Moikom!

Lejomë të shkruaj dy radhë, si një bijë, vajzë që sa herë bëhet fjalë për këtë sëmundje, nuk kapërdihet dot dhe natyrshëm kthehet vite e vite më parë.

Sapo i kisha mbushur 20 vjeç, sapo kisha marrë një drejtim në jetë e nuk isha rritur mirë, kur im At u nda nga jeta, duke më lënë bosh. E mori me vete një sëmundje e pamëshirshme, e keqe, e frikshme që quhet Leukemi. E në fakt ishte shumë e rëndë, sepse ishte akute dhe pasojat dihen…

Im At, një njeri shumë kurajoz, është munduar ta luftojë këtë sëmundje me të gjitha mënyrat dhe nga kjo, i shtoi vetës edhe disa vite. Por deri aty… nuk shkoi më…

I thonë afërsisht 20 vjet më parë, i dashur prof. Moikom, por unë nuk mund të harroj as detajin më të vogël nga ai pavion në QSUT. Nuk mund të harroj përkushtimin e atyre mjekëve në pavionin e hematologjisë, të cilët dua t’i cilësoj “heronj”. Është një kat i vështirë, janë raste shumë të rënda, ku kjo sëmundje e mallkuar nuk njeh moshë, nuk njeh kufij…

Në fakt, kur unë u njoha me letrën tënde (intervistën) te një e përditshme shqiptare, nuk u përmbajta dot. Qava. Të kërkoj ndjesë, por ishin lot gëzimi.

Pasi Ti mund t’ia dalësh, Ti mund të jetosh për vite me radhë (aq sa Zoti e ka përcaktuar) sepse familja  ka nevojë për ty, njerëzit  kanë nevojë për dijen tënde. Leukemia me të cilën ti je diagnostifkuar, është kronike. E ky është një lajm i mirë.

E di, do bezdisesh pak nga ciklet e kimioteriapsë, por sërish do jesh mirë, do jesh në mesin e njerëzve që do dhe të duan.

Unë sot nuk e kam pranë tim At, e të them të drejtën më mungon tmerrësisht; fëmijët e mi nuk arritën ta njohin gjyshin e tyre, ndaj mora guximin të shkruaj, si një vajzë që e ka kaluar këtë fazë dhe e njeh mirë këtë sëmundje me detaje.

E që sot gëzon për Ty, lutet për Ty. Dhe është e bindur, se Ti do jetosh gjatë.

Të përqafoj dhe uroj të mendosh me pozitivitet, ashtu sikurse Ti di, ashtu sikurse na mësoje në gazetë, kur ne të rinjtë ‘merrnim dhe kot’ ndonjëherë.

E me plot gojën të them Kurajo, se do t’ia dalësh. Ne kemi nevojë për veprat e tua, për krijimet e tua, ekspozitat. Kemi nevojë për emrin tënd të mirë, sepse Ti je një “Mjeshtër i Madh”.  

SHKARKO APP