Kurti do kërkojë falje në Tiranë, që u mbyll me ”Open Balkan” dhe u hap me “Serbinë e mbyllur”
Nga Kreshnik Spahiu
Nesër Albin Kurti mbërrin në Tiranë për të takuar Edi Ramën. Tashmë jo zemërthyer me kryeministrin e Shqipërisë por i penduar dhe kokë ulur. Patriotizmi dhe nacionalizmi i tij brenda një viti janë venitur dhe janë transformuar në internacinalizëm socialist.
“Patrioti” i madh që refuzoi Ballkanin e Hapur u hap me Serbinë e mbyllur. Albin Kurti po vjen në Tiranë më qesharak dhe më amator se çdo lider i shqiptarëve të Kosovës në këto 30 vjet. A ju kujtohet se çfarë thoshte Albin Kurti një vit më parë?
-nuk ulem në një tryezë me Vuçiç
-nuk ka Ballkan të hapur pa njohur Serbia, pavarësinë e Kosovës
-nuk ka Ballkan pa njohur krimet e luftës
-nuk duhet ulur Rama me Vuçiç pa na kthyer eshtrat e të zhdukurve
-nuk ka Ballkan të Hapur pa ndërprerë Serbia fushatën kundër njohjes Kosovës.
Nesër Albin Kurti mbërrin në Tiranë pasi ka përqafuar Serbinë e Madhe. Albin Kurti nuk u hap me Ballkanin por u hap me Serbinë. Marrëveshja e Ohrit njohu “Vetëvendosjen” e serbëve në Kosovë. Albin Kurti i hapi oreksin Serbisë dhe njohu 10 komuna autonome brenda Kosovës. Albin Kurti u ul me Vuçiç pa Edi Ramën dhe bëri një pakt 100% të kundërt me ato çfarë refuzonte Ballkanin e Hapur.
-Albini u hap me Serbinë këmbëkryq me Vuçiç
-Albini u hap me Serbinë pa njohur Kosovën as de fakto dhe as de jure
-Albini u hap me Serbinë pa kërkuar falje Beogradi për krimet e luftës
-Albini u hap me Serbinë pa u kthyer eshtrat e të vdekurve
-Albini u hap me Serbinë pa u anëtarësuar Kosova në OKB
A mundet nesër Albin Kurti t’i thotë 10 milion shqiptarëve pse refuzoi 3 liderë shqiptar në Tiranë, Shkup dhe Podgoricë për Ballkanin e Hapur? Pse Albini u mbyll me Ballkanin e Hapur dhe u hap me Serbinë e mbyllur. Është koha ta ndajmë nëse ka tradhtuar Albini apo Edvini.
Në të kundërt Albini nesër duhet kërkojë falje për arsyet pse refuzoi Ballkanin e Hapur dhe për të njëjtat shkaqe beri pazar me Vuçiç. Sot SHBA dhe BE i kërkuan Albin Kurtit të fillojë zbatimin e marrëveshjes që ra dakord me Vuçiç për autonominë e Serbëve në Kosovë duke e nxjerrë lakuriq para popullit të Kosovës.
Albin bëhu burrë dhe trego arsyet pse e drodhe dhe pse pranove hapjen me Serbinë pa 6 kushtet që premtove? Albin hapi dyert dhe kufijtë me Shqipërinë, së paku aq sa i hape me Serbinë.