Kush dhe ku janë vrasësit e të miturve në kufi?

Nga Albina DEDA/Lotët e nënave për vdekjen makbre të djemve nga ish-regjimi komunist nuk do të treten deri sa ato të marrin frymë, por frymë merr edhe ai, ish-komandanti trim e komunist, sot në një nga zyrat e shtetit të Rilindjes, i shpërblyer për merita të veçanta në ruajtje të partisë Mëmë nga elementi armik.

Dhe mes 50 të rinjve e të rejave që janë vrarë mizorisht nga regjimi gjakatar në vitin 1990, pikërisht mbrëmjen e datës 16.6.1990, janë edhe dy adoleshentët; 17-vjeçar, Pëllumb Pëllumbi dhe Marjan Ndoja, të cilët pasi kishin dëgjuar në median e kohës se kalimi i paligjshëm i kufirit nuk ishte më tradhti ndaj atdheut, tentuan të kalojnë kufirin në Han të Hotit për një jetë më të mirë në Europën e mohuar.

Por ata nuk mund ta dinin se çfarë thoshte Ministri i Punëve të Brendshme, Simon Stefani, më 19 mars 1990 para drejtuesve të kufirit se:“Ata që do të tentojnë të rrugë të fshehtë të kalojnë kufirin, të dënohen në bazë të ligjit dhe në rast se nuk do t’i binden kërkesave të kufitarëve, dënimi do të jetë dhe kapital. Këtu nuk duhet të ketë asnjë lëshim e iluzion”.

Dy të miturit nga qyteti i Shkodrës i afrohen pengesës elektro-sinjalizuese dhe tentojnë të bëjnë një kanal poshtë saj për ta kaluar, por kontakti me telat dha direkt sinjal në postën e kufirit duke sjellë skuadrën dhe qenin e kufirit. Pasi skuadra mbërriti, ata i afrohen të miturit duke e qëlluar nga afër në lule të ballit me armë brezi 17- vjeçarin, Pëllumb Pëllumbi i cili gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që shoku i tij 17- vjeçari tjetër, Marjan Ndoja duke përfituar nga errësira largohet me shpejtësi në drejtim të lagjes “Kushe” dhe futet në banesën e një fshatari.

Me ndihmën e qenit profesionist, efektivët e kufirit komanda si edhe shoqëruesi i qenit mbërritën në shtëpinë ku djaloshi ishte fshehur nga frika e ekzekutimit. Pasi e gjejnë atë, komandanti e lidh Marjanin me telat me gjemba duke e tërhequr zvarrë por përpos kësaj torture çnjerëzore, duheshin edhe dhëmbët e qenit të nguleshin në trupin e njomë të të miturit.

Ulërimat e frikës, dhimbjes dhe vrasja para syve e shokut të tij rrëqethën gjithë malësinë. Nuk lëkundën aspak besnikërinë e komandantëve të partisë së popullit që masakronte para syve të vetë popullit djalin e tyre?! Ata e tërhoqën zvarrë deri në qendër të lagjes “Kushe”, ku torturat vazhduan me forcën e këpucëve të komandantit që ja deformuan kokën të miturit ku pas tij edhe të gjithë efektivat e imituan komandantin trim.

Pellumb PellumbiMarjan Ndoja u gjymtua dhe u masakrua përjetë brenda disa minutash torturash çnjerëzore por kjo trimëri e një poste kufiri duhej demonstruar dhe bërë shembull për të rinjtë e tjerë në qytet. Qytetarët e Shkodrës martire, në datë 17.06.1990 do të shikonin djalin e mitur të masakruar, Pëllumb Pëllumbi që shëtitej në kamionçinën e degës së brendshme nëpër qytet për tu bërë terror psikologjik edhe atyre që planifikonin një arratisje të tillë. Kjo ngjarje makabre shokoi mbarë qytetarët e Shkodrës të cilët reaguan duke demonstruar dhe hedhur parulla kundër qeverisë. Fitorja e komunistëve ndaj jetës së Pëllumbit dhe Marjanit nuk u mirëprit aspak mirë nga Shkodranët, zija mbuloi familjaret dhe të gjithë Shkodrën. Ndërsa nëpër zyrat komentohej akti heroik i komandantit ndaj asgjësimit të elementit armik deri në likuidimin fizik si edhe demaskimin para popullit, si sukses i madh në mbrojtje të vijës së partisë.

Por ja që marrëveshja e turpit, PS-LSI, u firmos po në Shkodër, madje edhe në prani të kumbarit të së majtës së importuar nga Serbia, Boris Tadiç, e ku në atë sallë festonin edhe komandantët që u rikthyen triumfatorë me sloganin e “Rilindjes”. Dhe janë po këta spiunë aktivë edhe sot e kësaj dite që ne si shoqëri dhe klasë politike nuk po kemi kurajën ti demaskojmë për krimet ndaj njerëzimit. E solla këtë histori rrëqethëse në vëmendjen tonë duke u lutur dhe falënderuar zotin që kolegu im, deputeti dhe mjeku, Flamur Ndoka është gjallë, pasi komandanti, komisari, shoqëruesi i qenit si edhe qeni i kufirit në postën ku kaloi Flamur Noka, ishin atë ditë në gjumë. Ju bëj thirrje organeve të hetimit, të gjithë të presekutorëve, të identifikojnë, të gjykojnë me ashpërsinë e ligjit dhe të demaskojnë këto hijen të gjallë apo të vdekur, shoqëria shqiptare duhet ti njohë mirë se kush kanë qenë vrasësit e bijve të saj! Në një dokument sekret thuhet se: “Askush nuk del i gjallë nga kufiri. Por duhet që kufomat e të vrarëve në kufi, mos t’u jepen familjarëve. Ceremonitë mortore po kthehen në demonstrime popullore kundër Partisë dhe Regjimit”,- sipas dokumentit në fjalë. Kjo histori mes qindra mijërave episodesh nga dhuna komuniste edhe sot pas 26 vjetësh regjimi aktual vazhdon ta fshehë e t’i mbrojë vrasësit e saj, mostrat që për hir të partisë dhe detyrave më të larta, kanë bërë masakra të tilla që sot e përditë thërrasin për drejtësinë e vonuar. Ata ishin fare të rinj, djem nënash, ishin të mitur dhe u nisën për një jetë më të mirë por sot me rikthimin e bijve, rikthehen azilet edhe ju moshatarë të tyre sot kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, kemi liberalizim vizash dhe status të vendit kandidat, përsëri ju detyroheni të ikni bashkë me Sirianët, refugjatë pa shpresë dhe pa kthim në folenë tuaj.

Dokumenti sekret

 “Ceremonitë mortore po na kthehen në demonstrime popullore kundër Partisë”

“Nga kufiri nuk del njeri gjallë, por kemi problem ceremonitë mortore të atyre që vrasim aty. Mjaft syresh po na kthehen në demonstrime kundër regjimit”. Ky është shënimi makabër që bënte në vitin 1990 kreu i Degës së Brendshme të Shkodrës, Çapajev Taçi. Më ketë dokument, ku dëshmon vrasjet, Taçi informonte shefin e tij në Tiranë për numrin e shkelësve të asgjësuar dhe kërkonte me gjakftohtësi të çuditshme lejen rrëqethëse për të fshehur kufomat e të vrarëve.

DOKUMENTI/“Ministrit të Punëve të Brendshme, shokut Simon Stefani

Më datë 16.6.1990, shtetasi Pëllumb Nikoll Pëllumbi, vjeç 17, me banim në lagjen “Naim Gjybegu” të qytetit të Shkodrës dhe Marian Zef Ndoja, vjeç 17, me banim në lagjen “Skënderbej” po të këtij qyteti, tentuan të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme në sektorin e postës kufitare Hot. Marian Ndoja u kap, ndërsa Pëllumb Pëllumbi u vra. U konstatua se me vete kishte edhe një bombë luftarake. Hetuesia, pasi kreu veprimet hetimore, kufomën ua dha familjarëve për varrim. Të dy këta persona ishin vagabondë, hajdutë, pa punë, kontingjente të ndjekjes së krimeve. Më datë 16.6.1990, nga ora 16:00 deri në orën 18:00 u bë varrimi i kufomës. Arkivoli i tij i hapur u mbajt nga shtëpia deri në varreza i  shoqëruar nga rreth 70 veta, duke pasur me vete edhe 6 kurora. Kortezhi ka përshkruar itinerarin nga lagja “Naim Gjylbegu” te “5 heronjtë”, përpara turizmit në qendër të qytetit të Shkodrës, rrugën “Enver Hoxha”, te spitali, Parku i Mallrave e deri në varreza. Personat që e shoqëronin kufomën ishin kryesisht të rinj të moshës 17 – 26 vjeç. Duke e shoqëruar kufomën deri në varreza kanë hedhur parulla të ndryshme, ndërsa të tjerë i kanë shoqëruar duke bërtitur. Konkretisht, kur kortezhi ka kaluar pranë Muzeut të Luftës Nacionalçlirimtare të rrethit, dikush ka thirrur “Poshtë komunizmi!”, “Poshtë socializmi!”. Në rrugën përpara spitalit dikush thërriti “Poshtë Ramiz Alia!”, “Poshtë Partia!”, “Poshtë Nexhmije Hoxha!”, “Kjo parti është gjakpirëse!”. Një i ri ka dalë dhe ka thënë: “Shokë të forcojmë unitetin tonë, se shikoni ç’po bën Ramiz Alia, duke vrarë njerëz përditë. Poshtë Partia, poshtë Ramiz Alia!”. Nga ana jonë u morën këto masa: U organizua puna për fiksimin sekret të këtyre personave, për verifikimin dhe saktësimin e personave organizatorë të këtyre thirrjeve. U morën masa për sigurimin e objekteve kryesore në qytet, si Komiteti i Partisë, Komiteti Ekzekutiv i Rrethit, busti i shokut Enver Hoxha, qendra e qytetit ku është edhe busti i Stalinit, Radio Shkodra dhe Dega e Punëve të Brendshme. U informua menjëherë sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit dhe Ministria. Nga verifikimet e deritanishme rezulton se nxitës kryesor në këtë veprimtari është Gjovalin Ndoc Beri, 25 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Shkodrës, i papunë, i dënuar njëherë me 3 muaj për goditjen e një polici për shkak të detyrës. Gjovalini në afërsi të “Turizmit” u ka bërë thirrje të pranishmëve për të bërtitur. Fillimisht nuk e ka shoqëruar njeri. Më pas ai ka sharë e kërcënuar të tjerët, duke u thënë u q…nënën e motrën atyre që nuk bërtasin. Flisni more dhe në vazhdim thirrjeve të tij i janë përgjigjur rreth 10­15 veta që kanë vazhduar deri në mbarim të ceremonisë së varrimit. Gjatë rrugës në dy raste, një pensionist dhe një person tjetër, kanë mbajtur qëndrim ndaj thirrjeve të tilla, por nga element negativ janë kërcënuar e tallur dhe nuk i ka mbështetur tjetër njeri. Më datë 11.6.1990, në sektorin e postës kufitare Zogaj është vrarë në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Nini Rrok Hoti, vjeç 25, me banim në lagjen “3 heronjtë” të qytetit të Shkodrës. Kufo ma i është dhënë familjes nga Hetuesia. Në varrimin e tij kanë marrë pjesë shumë persona. Në momentin që po varrosej, persona janë shprehur: “Ja këto na sjell Ramiz Alia, ja çfarë na bën ai dhe të tilla do të ketë edhe në të ardhmen”. Babai i kufomës ka mbajtur qëndrim të mirë në këtë rast, duke thënë: “Nuk dua muhabete të tilla, kush ka ardhur për varrimin e djalit, le të qëndrojë, ato çfarë bëri djali i mori me vete”. Më datë 19.5.1990 është vrarë në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit në sektorin e postës kufitare Pulaj, Vat, Marash Beci nga fshati Bokë Velipojë, 25 vjeç dhe kufoma iu dha për varrim familjes nga Hetuesia e rrethit. Në varrimin e këtij personi kanë marrë pjesë rreth 150 veta, ndërsa të dielën e parë pas varrimin kanë shkuar për ngushëllim në familjen e tij shumë persona, saqë babait të tij i janë grumbulluar 5 mijë lekë. Kemi mendimin se këto veprime i favorizon dhënia e kufomave nga Hetuesia, të personave të vrarë në kufi, familjeve të tyre, prandaj në raste të tilla, bazuar edhe në ligje, kufomat të mos u dorëzohen familjarëve. Nga ana jonë u morën masat dhe po punohet që organizatorët e kësaj ngjarjeje të dënohen sipas ligjit.

Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, Çapajev Taçi, Shkodër, 16 qershor 1990

SHKARKO APP