Kush do ta ndalë mafien e votës, kjo është çështja!
Nga Nga Poli Hoxha –
Kur ditën e djeshme në Bruksel, zyrtarët e lartë të BE dhe gazetarët aty, i kujtonin Edi Ramës ‘zgjedhjet e ndershme’ dhe sigurinë e votës së lirë ai hidhte batuta bajate, lëshonte kritika për kurnacërinë e Europës me vaksinat, apo fluturonte me retorikën e liderit rajonal te hallet historike që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë.
Në fakt është pikërisht Shqipëria ajo që sot ka një hall të madh, i cili është më i madh se rotacioni i pushteteve, se integrimi në BE, se pandemia e tërmeti, se rrënimi i ekonomisë kombëtare e asaj familjare. Ky krye-hall i cili ngjiz përbrenda të gjitha këto që rreshtuam më lart e plot të tjera; është vota dhe vetëm vota e lirë të cilën nuk e kemi pasur kurrë.
Ndaj për herë të parë gjatë këtyre 30 viteve në prag të zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri, po shfaqet një fenomen ‘i çuditshëm’.
Duke qenë në prag të një rotacioni të domosdoshëm si pasojë e një ngecje të paprecedentë të ekonomisë, shëndetit publik, sigurisë deri fizike nga krimi i organizuar, e sigurisë së xhepit personal nga korrupsioni; frika nuk vjen më nga pamundësia e një fitoreje të frontit opozitar, por nga mundësia e vjedhjes së saj nga mafia e votës.
Vjedhje kjo, e cila ndër vite ka krijuar shumë mutacione dhe sot është më e sofistikuar se kurrë.
Nuk bëhet më rëndom duke futur duart në kuti e te numërimi ‘një për ty, e kusurin për ne’, as nëpërmjet pazareve të komisionierëve, e as nga modifikimi i rezultatit nëpër KZAZ apo te vetë KQZ-ja.
Blerja dhe tjetërsimi, nis ditë e javë përpara se shqiptarët të paraqiten te kutitë e votimit.
Që në lagjen ku jeton, shtratin bashkëshortor, te puna e gruas, bashkëshortit, fëmijës; te biznesi i vogël apo i madh që posedon, te mbijetesa e familjes tënde në fund të fundit.
Për një demokraci normale të gjitha këto duken absurde, por ja që jetojmë në Shqipërinë e varfër për një shumicë absolute, ku një drejtor shkolle apo institucioni, të ka në dorë bukën e përditshme dhe arsimimin e fëmijëve. Ku një tatimor të kontrollon mbijetesën e dyqanit dhe njëkohësisht, edhe të gjithë ingranazhin ‘normal’ të jetës.
Jetojmë në një vend ku strukturat ligj-zbatuese bëjnë lista të kriminelëve dhe trafikantëve, jo për ti goditur penalisht dhe në pasuri, por për ti shndërruar në makineri të egra për ‘korrje-mbledhje e shirje’ votash.
Ndaj çështja më madhore që koha kërkon për tu zgjidhur njëherë e mirë në 25 prill pas 30 vitesh pluralizëm hibrid, më shumë se çdo gjë tjetër është pikërisht rivendosja e statusit të votës së lirë.
Ka ardhur dita, ora, çasti i fundit që në demokracinë shqiptare të vendoset Votë-Kracia si pushtet absolut. Përndryshe ta qepim gojën dhe të pranojmë pa kushte që të zvarritemi në ‘hallin tonë’, edhe 30 vite të tjera.
Por kush do ta mundësojë funeralin e mafies së votës, që ndryshon kah e ngjyrë sipas situatave?!
Fronti opozitar me frymën për rotacion, ndërkombëtarët që të lënë me barrë dhe ikin, apo paralajmërimi i presidentit; ‘një votë e vjedhur- një dorë e prerë’?!
Situata është më e ndërlikuar nga sa duket, sepse mundësia për një Déjà vu është e madhe, por jo e pandalëshme.
E themi këtë sepse ndërkohë kemi humbur një shans të madh, për të bërë përgatitjet e duhura të këtij funerali historik.
Nëse kishte një çështje penale tipike të këtyre 30 viteve, nga e cila mund të merrej spont për të goditur njëherë e mirë krimin më të madh që i është bërë Shqipërisë (zhbërja e vlerës së votës) dhe njëkohësisht, që e gjithë klasa politike të reflektojë se më në fund duhet të hapet një epoke e re për demokracinë funksionale, ajo ishte ‘Dosja 184’.
Aty brenda del qartë, se si në bashkëpunim perfekt mafiozët e zonës, shefat e policisë, drejtuesit e administratës lokale dhe deri te kryeministri e ministra kryesorë të qeverisë së tij ishin përfshirë në një plan për të blerë, vjedhur dhe marrë me hir a pahir votat e shqiptarëve.
Pas përgjimeve të publikuara nga ‘BILD’ doli se ‘objektivat’ e kryeministrit për të mbledhur vota me çdo kusht ishin zbatuar me zell dhe përpikmëri; se kreu i fushatës, ish-ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri, kishte bërë ‘një tërmet’ me votat e mbledhura; se drejtori i Arsimit së bashku me deputetin e zonës kërcënonin me vendin e punës mësuesit e drejtorët e shkollave; se shefi i policisë ishte koka e operacionit kriminal elektoral, me bekimin e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Xhemal Qefalia e atij të Ligjeve Ulsi Manja.
Nuk kishte se si të mungonte në krye të tavolinës që festonte dhe shpërndante ‘grada’ për këtë masakër të votës, as vetë Kumbari Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili nga ana e vetë siguronte ‘ushtarin’ e tij në Dibër (shef policie), që ‘të mos e rruante…’.
Kjo dosje tregoi qartë, se si ka funksionuar mafia politike me emrin ‘Rilindja’ në fushata elektorale, nëpërmjet skemës; bëj vota së bashku me krimin e organizuar për të kapur pushtet; shfrytëzo shtetin për të shpërblyer krimin e organizuar e atë ‘ekonomik’ dhe bëj pasuri.
Më pas me një pjesë të miliardave të grabitura bli zgjedhjet e radhës, për pushtetin e radhës dhe kështu pambarim!
Kjo ishte ajo që ndodhi vetëm pak vite më parë, e një palë zgjedhje të shkuara.
Nuk e di e nuk e shoh çfarë ka ndryshuara ndërkohë që po shkojmë në zgjedhjet e 25 Prillit, përveç rritjes së gungës kanceroze në shpinë të Shqipërisë dhe ‘votuesve’.
Nuk ka asnjë shenjë se grupi i mësipërm i strukturua si mafie e votës ka ndryshuar, apo të ketë pësuar ndonjë goditje qoftë edhe administrative, përveç Saimir Tahirit që vëzhgon nga ekskursionet që bën nëpër male. Përkundrazi është bërë më i pasur, më i pushtetshëm, më arrogant e më guximtarë pasi çështja dështoi dhe u mbyll në arkivat e SPAK, me ca ditëzinj të dënuar.
Nuk ka mbi të gjitha asnjë reflektim qoftë edhe formal as në mes të Brukselit, nga ‘Babloku- Kryeministër’ siç e thërret Ymer Lala i dosjes së Dibrës dhe të cilit Rama po ja kalon vajzën, nga deputete të ‘çamëve’ në deputete të Rilindjes.
Pra janë të njëjtët personazhe me pushtet të plotë në qeveri, pushtet lokal e atë legjislativ, të cilët po organizojnë dhe po udhëheqin punët e Rilindjes për zgjedhjet e 25 Prillit nëpër gjithë Shqipërinë.
Panorama e shfaqur kështu duket pesimiste, por jo e pashpresë.
Shpresa dhe mundësia reale janë vetë shqiptarët të cilët njësoj si në Kosovë, duhet të dalin masivisht në 25 prill e të votojnë vetëm për një qëllim; lirinë e votës së tyre që përkthehet në dinjitet e mirëqenie për familjet dhe fëmijët e tyre.
Për të treguar se nuk janë aq budallenj sa të shohin të njëjtit film ‘me tërmet’ e me personazhe të njëjtë si Babloku, Gjiknuri e të tjerë, i cili mbyllet po njësoj; pasuri e pushtet pa fund për të parët, e zhytje në varfëri apo ikje nëpër botë, për ata që janë regjisorët de fakto të filmit dhe kanë buxhetin e tij; Votën.
Në fund të fundit duhet të jenë të ndërgjegjshëm pas 30 vitesh se vota përfaqëson armën më të fuqishme që kanë, brirët e tyre.
Pavarësisht se Edi Rama (një ujk i maskuar si piktor) ju thotë pa pushim: Pa brirë është më mirë, pa brirë është edhe moda’! Syri.net