Kush e qeveris Internetin?
Kur mendojmë për të ardhmen e demokracisë, ne duhet jo vetëm të fokusohemi tek Interneti si një mjet për një pjesëmarrje më të madhe, por edhe të mendojmë për të si një prej arritjeve më të mëdha të shoqërisë sonë, një që duhet ruajtur e lirë dhe e hapur – një arritje që duhet ta mbrojmë përmes proceseve demokratikë.
Për shumë prej nesh, Interneti është ajo kutia e vogël me drita që e marrim kur firmosim një kontratë me një ofrues Interneti. Jo shumë kohë më parë, bënte disa tinguj qesharakë kur lidheshim me botën. Sot, ka vetëm drita që ndizen dhe fiken. Për asnjërin prej nesh, përdoruesit e zakonshëm, nuk është e konceptueshme ajo që ndodh realisht brenda kutisë me drita dhe përtej, dhe si ajo na mundëson të lidhemi me faqe interneti të largëta, të cilat përmbajnë çdo copëz informacioni që ne do të donim të merrnim: që nga oraret e sistemit të Metrosë së Bogotasë, deri tek pamjet filmike të maceve.
Ne nuk e dimë se si funksionon, por ekziston një ndjesi e paqartë se duhet të jetë dikush i ngarkuar për ta mbajtur në punë. Dhe kjo është sa e vërtetë, aq edhe e pavërtetë: Eshtë fatalisht e pavërtetë, sepse Interneti është rritur në mënyrë organike, të decentralizuar dhe disi të paorganizuar. Që nga një grusht të fiksuarish pas informatikës dhe akademikëve në universitete që nisën të dërgojnë emaile dhe krijojnë faqet e para të internetit, deri tek blog-ët për udhëtimet e qenit tuaj: nuk ka patur asnjëherë një autoritet të vetëm qendror që të ketë koordinuar Internetin. Deri sot, Interneti është një strukturë e përbërë dhe e qeverisur nga një shumësi palësh – një hapësirë e madhe, e hapur dhe e lirë dhe krijon shanse jo vetëm për biznese që lulëzojnë, por edhe për aktivistë politikë, rrjete socialë, për artet dhe për kulturën.
Megjithëkëtë, ka aktorë të cilët kanë funksione koordinues specifikë brenda Internetit. Ndoshta më i rëndësishmi është “The Internet Corporation for Assigned Names and Numbers” (ICANN), që shpërndan adresat e IP dhe të faqeve të internetit (për shembull theeuropean.de). Ajo është praktikisht libri i adresave të internetit. Cështja se kush e kontrollon këtë libër adresash ishte bërë, prej pak kohësh, e debatueshme politikisht, sa i përket qeverisjes së Internetit. Por me zbulimet e bërë nga Snoudeni, ajo sot është shfaqur edhe në radarin e politikëbërësve.
Përse? Deri tani, ICANN – ndonëse një organizatë jofitimprurëse – vepron në emër të Departamentit të Tregtisë të SHBA, e si pasojë qeverisë amerikane: po ajo qeveri që autorizoi NSA-në që të spiunojë pak a shumë gjithkënd që është i lidhur në Internet. Si pasojë (ndonëse, jo pa ironi), vende si Kina dhe Rusia, por edhe BRazili, India dhe Afrika e Jugut, si dhe shumë vende të tjerë në zhvillim po kërkojnë të kenë më shumë zë në qeverisjen e Internetit dhe në ICANN. Ndërkohë që SHBA po argumenton se ICANN kontrollohet nga një shumësi aktorësh (e përbërë nga kompani teknologjike, ofrues interneti dhe OJF), këta vende do të preferonin që të kontrollohej nga qeveritë, duke argumentuar (sërish, jo pa ironi), se kjo do ta bënte më demokratike.
Cilido qoftë përfundimi i këtij debati, që supozohet se do të vendoset vitin që vjen (SHBA ka premtuar të heqë dorë nga roli i ICANN për caktimin e emrave dhe adresave deri në shtator 2015), ai vështirë se do të jetë më demokratik. Ndonëse Interneti prek jetën e përditshme të miliarda njerëzve përreth globit, këta njerëz nuk do të jenë në gjendje që të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në të ardhmen e qeverisjes së tij.
Nëse argumenti i shteteve të BRICS do të dalë fitues, dhe qeveritë do të kenë më shumë zë në qeverisjen e Internetit, të metat demokratike të ngjashme me ato të Kombeve të Bashkuara do të kufizojnë pjesëmarrjen qytetare. Nuk ka një parlament të zgjedhur globalisht, as edhe referendume globalë apo nisma popullore që do të lejonin përdoruesit e Internetit që t’i japin formë të ardhmes së teknologjive të tyre më të çmuara. Përkundrazi: qeverisja e Internetit do të jetë më shumë një lojë për fuqitë e mëdha, që do të kërcënojë rrjedhjen e lirë të informacionit përtej kufijve. Ndërkohë që disa shtete do të përpiqen të mbrojnë industritë e tyre, të tjerë do të censurojnë fjalën e lirë, ndërkohë që disa do të dhunojnë privatësinë e qytetarëve të tyre.
Nga ana tjetër, nëse fitues del argumenti i një shumësie aktorësh, qeverisja e Internetit do të jetë në duart e atyre që organizojnë me sukses: disa OJF, disa organizata të të drejtave civile, disa përfaqësues të qeverive, por edhe kompani të mëdha. Eshtë e dyshimtë që përdoruesit e zakonshëm të Internetit përreth botës do të jenë në gjendje, të gatshëm dhe kompetentë për t’u organizuar në mënyrë efektive për hir të qeverisjes së Internetit. Problemet sa i përket kësaj të fundit janë shumë kompleksë dhe shumë globalë për shumicën prej nesh. Por nuk duhet të ketë dyshime: qasja me shumë aktorë do të jetë më e dobishme për nevojat e shumicës së përdoruesve, por ajo nuk do të jetë më demokratike.
Me qëllim që të fitohet një farë hapësire manovrimi në debatin për të ardhmen e qeverisjes së Internetit, do të nevojitet pjesëmarrja e qytetarëve të vërtetë globalë. Për të arritur këtë, kemi nevojë për qasje të reja që lejojnë procese demokratikë gjithëpërfshirës. Por ne jemi vetëm në fillimet e të menduarit për procese të tillë. Një proces i tillë, që duhet ta vëzhgojmë mirë është Partido de la Red në Argjentinë; një tjetër, që në fund dështoi, por na dha mësime të vyer, ishte hartimi i një kushtetute të re me prurje mendimesh nga populli në Islandë. Krahasuar me sfidën e zhvillimit të një procesi demokratik global për qeverisjen e Internetit, këta janë hapa fëmijësh, por do të bënim mirë t’i merrnim në konsideratë, tani që “ecim dhe rrëzohemi” përgjatë këtij shtegu, siç tha pak kohë më parë Bill Clinton. /the european/
* Bashkëthemelues, Forumi Zviceran për Politikën e Jashtme
SHQIPERUAR NGA www.bota.al