Kush është studentja që mbajti fjalim para mijëra shqiptarëve (FOTO)
Në manifestimin e organizuar nga presidenti Ilir Meta, mbajtën fjalim një sërë personash të njohur në botën e drejtësisë, sportit, artit, por nuk mungoi dhe një studente.
Bëhet fjalë për Oneda Skënderin, e cila studion për drejtësi. Oneda fillimisht u bë e njohur në protestën e studentëve, të cilën e përmendi edhe në fjalimin e sotëm. Ajo deklaroi në shesh se sot ka dalë të mbrojë vendin si një idealiste.
“Sot jam këtu jo si ndonjë përfaqësuese e ndonjë partie politike, por si një e re idealiste që nuk do ta braktisë vendin për shkak të paaftësisë apo mungesës së vizionit të disa politikanëve. Të mos respektosh parimet e shtetit të së drejtës dhe funksionimin e tij është të kalosh kufijtë.
Të lësh vendin pa Gjykatë Kushtetuese është të kalosh kufijtë. Të mos lësh funksionimin e tre sistemeve është të kalosh kufijtë, të intimidosh mediat, të mos ofrosh shpresë për familjet shqiptare, të rinjtë shqiptarë është të kalosh kufijtë. Ndaj, jam këtu që zëri i sovranit të dëgjohet dhe do dëgjohet medoemos”, nënvizoi Skënderi.