Kush ka frikë nga Ben Blushi?

Doni ta shiheni se si e shkuara totalitare është e gjallë mes nesh? Se sa pak ka ndryshuar në mentalitetin tonë? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbsan. Përgjigjen e keni aty!“…

Nga Blendi Fevziu

Blushi nuk ka frikë! Këtë gjë kam pasur rast ta verifikoj shumë herë këto 25 vjet. Mbase edhe më shpejt, që kur e kam njohur, thuajse ende fëmijë. Nuk është ndonjë veti e rrallë. Besoj se shumica e atyre që u përballën me zhvillimet e vrullshme të viteve ’90 – të janë njerëz të pafrikë. Njoh shumë të tillë. I kam parë në rrethana të ngjashme. Edhe Ceka, edhe Imami, edhe Pashko, edhe Zogaj, edhe shumë të tjerë që s’po i përmend në këtë shkrim janë njerëz që kanë vepruar njësoj. Por kur e pashë në Elbasan, të premten mbasdite pata një ndjesi të keqe. Neveri ndaj një filmi mizerabël, luajtur me aktorë të këqinj, peng i një të shkuare po kaq të ndyrë.

Nuk më interesojnë fare takimet e Partisë Socialiste; në përgjithësi takimet e e gjithë partive më duken ca farsa që më shumë vlejnë për të përcjellë forcë në Tv se sa mesazhe reale politike. Pak më intereson statuti i njërës forcë apo tjetrës. Në 25 vjet jam mësuar të shoh se si partitë politike e përdorin atë thjeshtë si justifikim. E bëjnë e zhbëjnë, e hapin e mbyllin, në interes të liderëve të tyre. Dikur Nano e ndau Kryetarin nga Kryeministri se donte të bëhej President. Nuk u bë President dhe i bashkoi prapë. U bë Kryeministër. Një herë Rama fliste për nevojën e menjëhershme të fraksioneve dhe e shtjellonte këtë gjatë në TV. Kur u bë vetë kryetar ndërroi mendje dhe statut dhe i hoqi fraksionet.

Nuk më intereson fare kush do ta udhëheqë PS. As me kë do bëjë koalicion e aleancë. Këto janë probleme dite me të cilat ne merrmi si çdo njeri që bën punën e tij. Nuk më intereson nëse PS do ta rizgjedhë Ramën apo do ta lërë deri ditën që ai do largohet nga Kreu i qeverisë. E di që Kryetarët e partive në parim nuk munden kurrë. Asnjë nga këto s’më lë shije të keqe. Janë pjesë e lojës politike, të vogël, hilacake, meskine.

Nuk dua të merrem as me historinë e PS. Nuk dua të them se mes Metën e Meidanit pati një gare reale më 1996; ashtu si mes Majkos e Nanos për Kryetar në Tetor 1999; mes Nanos e Metës një debat real politik më 2001 – 2002. Se Nano i hapi podiumin dhe i dha emra në listë Ramës me 2003. Sepse besoj se në 2003 Rama kishte të drejtë.

Ajo që më tmerroi ndërsa shihja pamjet e Blushit që përballej me një sallë vandalësh; me një kor injorantësh apo që shtyhej nga një bandë që zyrtarisht njihen si anëtarë të PS, ishte fakti se në Shqipëri po bjerret dhe parimi i fundit i paprekur, por edhe më kryesori, Liria e fjalës. Nevoja dhe detyrimi për të dëgjuar mendimin ndryshe, mendimin e kundërt.

25 vjet më parë Shqipëria fitoi dy parime që i kishin munguar për dekada. Lirinë e votës dhe lirinë e shprehjes. çdo gjë tjetër është derivat i tyre: ekonomia e tregut, konkurenca politike, rrugët e zhvillimit dhe ecja përpara.

25 vjet më pas, në një takim ku anëtarësohen në parti ata që kanë lindur pas rrëzimit të komunizmit, një sallë injorantësh tenton t’i presë fjalën, t’i presë të drejtën për t’u shprehur dhe refuzon të dëgjojë një deputet të PS, një deputet të zonës, sepse mendimet e tij nuk i pëlqejnë. Në një shoqëri demokratike ky është fundi. Blushi mund të ketë të drejtë ose gabim. Mbase ai thotë gjëra që nuk qëndrojnë. Por e drejta e tij për të folur dhe detyrimi i anëtarëve të partisë për ta dëgjuar, është një e drejtë dhe një detyrim që lind nga fondamenti i një shoqërie të lirë. Pa të s’ka më liri!

Liria e votës ka kohë që po cënohet në këtë vend. Diku blihet, diku shantazhohet, diku joshet me premtime punësimi apo favore. Por lirinë e shprehjes nuk e kishin prekur ende. Dhe e gjitha kjo në një sallë ku ndodhej edhe Kryetari i Partisë, Kryeministri dhe njeriu që 25 vjet më parë, e mbronte lirinë e shprehjes po ashtu si Blushi dje. Edi Rama ose duhej të ishte larguar nga ajo sallë, ose duhej të ngrihej dhe t’i bënte thirrje të dëgjonin deputetin e tij. Sepse nëse preket edhe fjala, kësaj demokracie e i mbetet fare pak gjë. Dhe fjalën s’e ka prekur askush. Për ta sanksionuar të drejtën e saj brenda partisë ka pasur plot beteja: kujtoni Neritan Cekën, Gramoz Pashkon, Arben Imamin, Preç Zogajn, ose po deshët vetë Ramën në kohën që konkuronte me Nanon në PS. 25 vjet më pas, kjo konsiderohej një betejë e fituar; një kapitull i mbyllur. Por ajo që ndodhi me Blushin, më bën të besoj se jemi ende aty ku kemi qenë. Ndaj duke ju referuar asaj që ndodhi atje, po ju jap përgjigjen time për shumë pikëpyetje në këtë vend:

Doni ta dini përse Shqipëria është vendi më i varfër i Europës? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbsan. Përgjigjen e keni aty!

Doni ta dini përse Shqipëria është e fundit në rrugën integruese në Europë? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbasan. Përgjigjen e keni aty!

Doni të dini përse jemi vendi i fundit për nivelin e shkollimit në Europë? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbsan. Përgjigjen e keni aty!

Doni ta dini përse jemi të fundit për respektimin e Shtetit Ligjor dhe zbatimin e ligjit? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbsan. Përgjigjen e keni aty!

Doni ta dini përse gjykatat nuk funksionojnë? Përse spitalet janë katastrofë? Përse trafiku është kaotik? Përse trojet publike e private zaptohen dhe problemi i pronës nuk respektohet? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbsan. Përgjigjen e keni aty!

Doni ta shiheni se si e shkuara totalitare është e gjallë mes nesh? Se sa pak ka ndryshuar në mentalitetin tonë? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbsan. Përgjigjen e keni aty! Opinion.al

SHKARKO APP