Kush ndëshkohet në Shqipëri?

Të dy palët janë në të drejtën e tyre. Punonjësit e Bashkisë po zbatojnë ligjin. Ligji është një dhe nuk ju lë atyre të drejtën e interpretimit. Pra nuk i lë të selektojnë kush mund të gjobitet dhe kush jo. Nëse do ta bënin një gjë të tillë, ligji nuk do të kishte më kuptim, do të ishte selektiv”

Nga Blendi Fevziu –

Më shumë se sa debati politik; më shumë se sa deklaratat dhe kundërdeklaratat për PS, dje ka dominuar lajmet një foto e thjeshtë. Një grua e moshuar, me një tufë qepësh në këmbët e saj, që sheh gjithë trishtim punonjësit e bashkisë që i vendosin një gjobë! Foto është bërë hit dhe ka gjeneruar postime ironike dhe solidare. Kryetari i Bashkisë ka paguar gjobën në vend të saj, por as kjo nuk do të thotë asgjë. Për fatin e keq, përtej keqardhjes dhe trishtimit fotoja dhe gjesti hap një debat thelbësor në shoqërinë shqiptare.

Të dy palët janë në të drejtën e tyre. Punonjësit e Bashkisë po zbatojnë ligjin. Ligji është një dhe nuk ju lë atyre të drejtën e interpretimit. Pra nuk i lë të selektojnë kush mund të gjobitet dhe kush jo. Nëse do ta bënin një gjë të tillë, ligji nuk do të kishte më kuptim, do të ishte selektiv.

Por edhe gruaja e moshuar është në të drejtën e saj, madje dy herë. E para sepse ajo e ka bërë këtë gjë gjithnjë, prej vitesh. Kjo ka qenë puna e saj mbase prej kur ka lindur. E dyta, ajo ka nevojë të ushqehet dhe të jetojë. E drejta për t’u ushqyer dhe për të jetuar janë fondamentale, garantohen me ligj, por dalin edhe mbi çdo ligj. Nuk po vjedh, nuk po grabit, nuk me merr asgjë më dhunë. Po kërkon të ushqehet duke shitur prodhimet e saj në një cep rrugë, duke shpresuar që të ketë pak më shumë fat se dje. Mbase edhe duke shkelur ligjin. Një ligj që as e njeh as e ka dëgjuar. Sepse ajo njeh një ligj: puno, prodho, shiti prodhimet e tua dhe jeto.

Debati mbi gjobën e gruas së moshuar, një gjobë sipas ligjit dhe padyshim e pakontestueshme, nuk është një debat mbi zbatimin e ligjit, por mbi faktin se nga nis ai. Thënë ndryshe, zbatime të tilla drastike të ligjit nuk nisin me njerëz që mezi mbajnë frymën gjallë, por me uzurpatorët e mëdhenj: me ata që kanë zaptuar hapësira publike dhe i përdorin si biznes dhe fitim të madh; për ata që fitojnë benefite të pamerituata; ata që kanë shkallmuar hapësirat publike me gropa pallatesh; ata që nuk paguajnë kurrë gjoba, e para sepse nuk gjobiten dhe e dyta sepse edhe kur kjo ndodh i shmangin me vendime gjykate; ata që ligjin e shkelin në kurriz të të tjerëve dhe jo thjeshtë për t’u ushqyer si e moshuara dje.

E fundit, unë besoj se kontestimi i atij gjesti dhe asaj fotoje nuk vjen as thjeshtë nga keqardhja për të moshuarën dhe as si shenjë mërie ndaj punonjësve të bashkisë. Unë vijoj të besoj që të dyja palët janë në të drejtën e tyre. E moshuara e ka shkelur ligjin dhe punonjësit e Bashkisë duhet ta ndëshkojnë.  Kontestimi vjen sepse të gjithë e dinë që ligji në Shqipëri është selektiv; sepse ai nuk zbatohet njësoj për të gjithë; sepse ai nuk ndëshkon pothuajse kurrë keqbërësit e vërtetë dhe njerëzit e pushtetshëm apo të lidhur me pushtetin; sepse përpara ligjit në këtë vend nuk kanë qenë kurrë të gjithë të barabartë. Se në këtë vend të dobëtit dhe të pafuqishmir janë ndëshkuar, ndërsa të fuqishmit janë tallur me ta! Ndaj ajo foto u bë hit në rrjetet sociale, si për të ilustruar se shteti, ndëshkon një grusht qepësh të njoma me të cilat mban frymën ose familjen një grua në moshë, por Ligji nuk ka ndëshkuar ende asnjë prej atyre që i kanë vjedhur këtij shteti dhe të gjithëve ne, miliona dollarë! Dhe ky është mëkati më i madh në këtë vend! Një mëkat nga i cili duhet të kemi turp të gjithë! (Opinion.al)

SHKARKO APP