Kush nuk e do reformën në drejtësi?

Nëse një motorr kërkimi do të maste fjalët më të përdorura në mediat on line dhe rrjetet sociale nuk ka asnjë dyshim që togfjalëshi “Reforma në drejtësi” do të ishte hiti i fundjavës. Me gjasë, do të linte pas edhe fjalë kyçe që dominojnë portalet si: “seks”, “fashion”, “travel”, “futboll” etj. Në fakt fundjava ka qenë tejet intensive në këtë drejtim dhe duket se politika në Shqipëri ka mbetur në rrjetën e reformës më shumë se në çdo çështje tjetër. Por përtej ike jakeve dhe deklaratave, çdo njeri që ka pak eksperiencë politike e di mirë që për të pasur sukses, reforma ka nevojë për një konsensus të gjerë. Ajo o bëhet o ngec. Të gjitha palët janë shprehur në favor të saj, por në fund, janë 3 pika pa të cilat reforma vështirë se do funksionojë.

E para është a janë realisht palët të interesuara për reformën në Drejtësi? Pra, a besojnë realisht PS, PD, LSI dhe aktorë të tjerë që vendi ka nevojë për një reformë të tillë apo e shprehin gadishmërinë e tyre thjeshtë për të përcjellë Ambasadorin Lu që ju ngeli në derë për t’ju marrë konsensusin? Pra më shumë se sa nga besimi ata deklarohen në favor nga sikleti dhe bëjnë gjithçka mundin për ta sabotuar. Kësaj pyetjeje vështirë t’i japësh përgjigje direkte, por duket qartë që më shumë se një forcë politike nuk është e interesuar për ndryshime të mëdha. Ndoshta edhe me paranojën se reforma mund të përdoret nesër kundër tyre.

E dyta a janë të bindura palët që kjo reformë kërkon konsensus? Dhe konsensusi arrihet me lëshime të dyanshme. Dmth nëse mazhoranca vendos që zgjedhjet e stukturave që do dominojnë drejtësinë bëhet me 84 vota, kjo ngjall dyshime për opozitën. Mazhoranca arriti t’i sigurojë 84 vota edhe në një tjetër votim dhe mund t’i arrijë sërish pa pasur nevojë për opozitën. Në këtë rast, duhet gjetur një mekanizëm që garanton që asnjë reformë nuk do zbatohet pa përfshirë opozitën dhe pa marrë miratimin e saj. Ky është konsensusi. Kjo nuk duket po ashtu se i pëlqen së paku njërës prej palëve.

E treta, palët duhet të binden që referma nuk bëhet as për të larguar emra konkretë dhe as të të sjellë emra të rinj konkrete. Reforma bëhet për një rregullim afatgjatë të sistemit, ku emrat zhvleftësohen shpejt dhe s’kanë asnjë rëndësi. Pra politika nuk duhet të kërkojë garanci tek emrat por tek zbatimi i ligjit dhe kjo duket më e vështira për t’u pranuar prej tyre.

Për të treja këto arsye duket se reforma mund të mbetet në mes. Deri atëherë ju do dëgjoni vazhdimisht togfjalëshin: “reforma në drejtësi” dhe do shihni politikanët që akuzojnë njëri – tjetrin për dështimin. Por reformë sërish nuk kemi për të pasur…

SHKARKO APP