Kush përbuz shqiptarët është tradhtar e nëse ky shtë kryeministër është po antikombëtar!
Nga Alban Daci-
Ka një parim të rëndësishëm në këtë shkenca sociale që ndalohen përgjithësimet. Ata mund të përdoren për efekt studimi për të studiuar raste të veçanta e për të bërë konkluzione të rëndësishme me bazat shkencore.
Sigurisht, një kryeministër nuk paguhet për të bërë studime sociale e po ashtu nuk paguhet as për opinione e sidomos mbi popullin e tij. Ofendimet e vazhdueshme se shqiptarët nuk punojnë, shqiptarët merren me thashetheme, më shumë punojnë gratë e më pak burrat, jo vetëm nuk kanë asnjë bazë shkencore, por janë të ndaluara, sepse kanë prapavijë racizmi dhe stimulojnë konflikte sociale.
Edhe kur bëhen studime në shkenca sociale që kanë përfundime negative, ato nuk kanë qëllim të bëjnë paragjykime apo stereotipe e as të jenë raciste, por për të gjetur problemin dhe për ta shëruar atë. Pra, edhe sikur të ishte e vërtetë se shqiptarët janë dembel- që nuk është aspak e vërtetë- duhet të gjendet zgjidhja se si mund të mos jenë.
Kur këto përfundime bëhet nga Kryeministri, pa asnjë bazë shkencore, janë thashetheme dashakeqe dhe po ashtu konsiderohen fyerja të rënda. Por a janë vetëm ofeza? Të ofendosh e përgjithësosh një popull të tërë do të thotë kurajë e madhe e sidomos nga Kryeministri! Atëherë sipas kësaj teorie e kjo mund të jetë edhe më e besueshme, se shqiptarët që kanë votuar e besuar një kryeministër të tillë janë dele e kaluar delet!
Detyrimi i një kryeministri është të krijoj kushte më të mira ekonomike, mirëqenie, të rris punësimin, të rris pagat si dhe të luftoj po ashtu çdo lloj forme skllavërie. Një ndër format më të reja të skllavërisë si pasojë e globalizmit është pikërisht fasoneria dhe prania e tyre në vendi tonë dëshmon qartë se sa vend i varfër jemi ne, sa pak dinjitet kanë punëtorët dhe po ashtu sa pak ose aspak i mbron kryeministri dhe qeveria të drejtat e punëtorëve. Në shoqëri të zhvilluara masonerit nuk mbijetojnë asnjë ditë!
Nëse shqiptarët refuzojnë masivisht punësimin e fasonerisë është lajmi më i mirë që dëshmon faktin se shqiptarët po zgjohen të luftojnë e të mos pranojne asnjë formë skllavërie e po ashtu se ata meritojnë më shumë dinjitet dhe të drejta.
Tu thuash shqiptarëve se janë dembel me rrogat që marrin, me oraret e punës që kanë, me trajtimin njerzor që kanë në vendin e punës, do të thotë se i preferon ata në statusin e skllavërit. Është akoma më e rëndë kur këto sulme vijnë nga një kryeministër që pretendon se është kryetar i një partie të majtë.
Në fakt, PS në dy qeverisjet e fundit, përveç stilit të pushtetit si model autoritar të një të majtë eksteme, nuk ka asgjë të majtë. Kjo qeveri ka dështuar në reformën e punësimit dhe në shpërndarjen e pasurive dhe e dini pse ka ndodhur kjo? Sepse, të mirat e pasuritë janë përqendruar në një grup oligarkësh të lidhur me pushtetin dhe pjesa tjetër e shqiptarëve është kthyer në një masë skllevërish që fakt pak dallim kanë ose fare me banorët e Bangladeshit që janë shembulli më i madh i skllavërisë botërore si pasojë e globalizimit.
Për të kuptuar se sa punëtorë janë shqiptarët duhet të studiojmë historitë e suksesit të emigracionit. Shqiptarët në Europë dhe në Amerikë janë punëtorët me të mëdhenj, duke bërë çdo punë të ndershme e duke punuar me orë të gjata dhe po ashtu edhe të dielave. Po pse punojnë kaq shumë shqiptarët në Europë apo në Amerikë? Sepse, janë të respektuar, gëzojnë të drejta e paguhen për djersën që japin.
Si mund të pretendohet që një zonjë të punoj në masoneri për 12 ore dhe po ashtu për 200 euro në muaj, pa llogaritur se mund të pushohet pa asnjë motiv e ndoshta edhe mund të mos paguhet edhe me aq ose të paguhen me vonesë?! A do të ishin dakord ministrat e PS të dërgonin bashkeshortet e tyre me këto kushte dhe më këto pagesa në fasoneri? Joo! Përkundrazi, të afërmit e tyre, pa asnjë meritë profesionale punojnë në institucione duke marrë rroga e trajtime të mira ekonomike edhe kur nuk kanë asnjë aftësi profesionale. Si mundet të flas politika shqiptare e pushteti sidomos për punëtorët, kur ata kanë të afërm që marrin rroga edhe pa shkuar edhe fare në punë!
Kushdo qoftë ai që ofendon shqiptarët e padrejtësishtnuk meriton respekt, mirëbesim e as përfaqësim! Nëse këtë e bën Kryeministri, shqiptarët kanë arsye më shumë që ta rrëzojnë atë me votë më 25 prill!