Kush po i çon Ambasadorët në mbledhjet e partive?

E dyta a duan ata realisht reformën, apo edhe kjo mund të përfundojë si ligji i dekriminalizimit, ku duke hequr ca këtu e ca aty, rrezikojmë të kemi sërish në parlament ata kriminele që kishim e mbase disa të rinj”…

Nga Blendi Fevziu –

Ka një debat në vijim që nga e enjtja për pjesëmarrjen e disa Ambasadorëve në mbledhjet e grupeve parlamentare të PD, PS dhe LSI. Mbledhje në të cilat do të diskutohet mbi reformën në drejtësi dhe qëndrimin që këto forca politike do të mbajnë për këtë.

Ka një habi dhe një debat në rritje mbi faktin se si Shqipëria mbërriti këtu!

Ka edhe zëra pro e kundër një gjesti që ngjan më shumë i denjë për një proktektorat se sa për një vend sovran. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Nuk e di nëse Ambasadorët e disa vendeve do të shkonin të asistonin në një mbledhje të grupit parlamentar të një vendi politikisht normal, por problemi nis pikërisht këtu. Shqipëria nuk është një vend politikisht normal. Ajo nuk po e dëshmon në asnjë rrethanë dhe me asnjë gjest që është e tillë. Saç është anomali pjesëmarrja e disa ambasadorëve në mbledhjet e grupeve parlamentare të partive, po aq anomali dhe e papërgjegjshme është sjellja e politikës shqiptare ndaj vendeve që këta ambasadorë përfaqësojnë.

Që prej më shumë se një viti e gjysëm politika shqiptare po dëshmohet e paaftë, e papërgjegjshme dhe mbi të gjithë e pavullnetshme për të kryer misionin e saj. Të gjithë shprehen pro reformës në drejtësi dhe asnjë nuk e voton atë. Ata që janë kundër nuk guxojnë ta thonë, kanë frikë nga ambasadorët, më shumë se sa nga qytetarët e tyre, ata që i votojnë. Janë aq të interesuar vetëm për të “t’u justifikuar” tek ambasadorët, sa çdo njeri normal mund të shtrojë pyetjen: reforma po bëhët sepse duhen kënaqur ambasadorët apo reforma është domosdoshmëri për këtë vend.

E dyta a duan ata realisht reformën, apo edhe kjo mund të përfundojë si ligji i dekriminalizimit, ku duke hequr ca këtu e ca aty, rrezikojmë të kemi sërish në parlament ata kriminele që kishim e mbase disa të rinj.

Po i rikthehem sërish argumentit të parë. 25 vjet të shkuara, klasa politike shqiptare nuk kishte as eksperiencë dhe as njohje të rregullave demokratike. Por atëherë kishte më shumë bindje për të ardhmen e Shqipërisë dhe më shumë besim se ajo që bënte kontribuonte për mirëqënien dhe zhvillimin e qytetarëve të saj. Ndaj Ambasadorët nuk patën nevojë atëhere të shkojnë në asnjë mbledhje partie, as në momente kur realisht kishim nevojë për ta. Por u rikthyen tani, 25 vjet më pas. Ose më mirë të themi, i rikthyem ne me papërgjegjshmërinë totale dhe me bindjen e krijuar rëndom se politika nuk i shërben më qytetarëve, por një cikli të mbyllur klientësh të saj.

SHKARKO APP