Kush po kërkon kokën e Lulit?

Placeholder Image

Nga Andi Bushati.

Humbja dërrmuese që pësoi Partia Demokratike në Dibër i ka motivuar edhe njëherë, ashtu sikurse pritej, një lukuni “opinionistësh të pavaruar” të vënë përpara togës së pushkatimit liderin e opozitës.

Në pamje të parë e drejta duket sikur është me ta.

Mposhtja me 4 mijë vota është më e thella që PD ka pësuar ndonjëherë në ato anë.

Ajo bëhet edhe më e rëndë po të mendohet se erdhi pas skandalit të brekëve të grisura.

Ajo bëhet edhe më e paperceptueshme, po të kujtohet se vetë Lulzim Basha, e shpalli këtë garë lokale, një plebishit nga do të niste orteku i pushtetit të tij të nesërm.

Të gjitha akuzat kundër Lulzim Bashës, sot mund të duken të justifikuara.

Edhe njëherë akoma, ai përsëriti disfatën e zgjedhjeve vendore të një viti më parë, me të vetmin ndryshim, se këtë radhë, nuk doli që ta shpallë humbjen si një fitore mbresëlënëse.

Ai vërtetoi, në një zonë tradicionalisht të djathtë, se PD-ja është në një krizë të pashërueshme, identiteti, reflektimi dhe raporti me të ardhmen.

Ai dëshmoi se ajo ka mbetur një parti me kokën pas, që ka prioritet më të madh ti tregojë shqiptarëve se Berisha ka qeverisur mirë dje, sesa ti dëshmojë atyre, se Luli do të drejtojë më mirë nesër. Që ka për qëllim tu mbushë mendjen  zgjedhësve se janë gabuar me votën e 2013 dhe jo ti japë atyre shpresë për verën e 2017.

Pasojë e kësaj mendësie të mykur, ishte edhe propozimi i Sherefedin Shehut për bashkinë e qytetit. Përpos vlerave individuale dhe profesionale të këtij kandidati, figura e tij lidhet ende ngushtë me qeverinë që shqiptarët rrëzuan me votë tre vite më parë. Ajo asociohet gjithashtu me tre mandatet e ish kryebashkiakut pd-ist Krosi, i cili ka qenë tejet i afërt me Sherefedin Shehun.

Pra, PD-ja humbi në Dibër edhe si pasoje e kokfortësisë për të mos reflektuar mbi të shkuarën.

Por, këtij argumenti, sipas meje primar, “opinionistët e pavarur”, rastësisht gjithnjë anti opozitë, i kanë shtuar edhe mjaft të tjera. Njësimin e Bashës me Saliun, pamundësinë për tu shkëputur nga hija e tij, qëndrimin ambig ndaj reformës në drejtësi, fjalorin e egër dhe denoncimin ndaj kujtdo dhe për çdo gjë, pafuqinë morale të opozitës, zvarritjen e saj pas LSI-së etj.

Të gjitha këto arsye së bashku mund të plotësojnë pazllin e asaj se pse edhe njëherë më shumë, Lulzim Basha dështoi në zgjedhje.

Për të gjitha këto, unë jam dakord me kolegët e mij antiopozitarë, madje mund të shkoj edhe më larg, duke pohuar pa droje, se me këtë rrugë, PD e ka të sigurtë deshtimin në zgjedhjet e vitit 2017.

Por, ajo ku unë ndahem me kritikët e Bashës është tjetër gjë. Eshtë pyetja themelore: A ishte sot dita për të vënë Lulin në gijotinë?

Apo mos vallë pas rezultatit të thellë duheshin ngritur të tjera pikpyetje?

Si për shembull, si shpjegohet që shifrat e Dibrës u dhjetëfishuan pas skandalit të Shukriut? Si shpjegohet që diferenca arriti në katër mijë vota, pikërisht tani që PD-ja nuk ka prej tre vitesh përgjegjësi në pushtetin qëndror dhe prej një viti në pushtetin lokal? Pse Rama e mbushi fushatën me të fortë, madje afroi edhe “të kriminalizuarit që kishte larguar sa për sy e faqe? Pse kryeministri u ul vetë kokë më kokë me persona të dyshimtë, për ti dhënë mandat për këto zgjedhje? Pse papritur Dibra u gdhi një qytet çamësh? Pse PS u detyrua ta ndajë përgjysëm pushtetin me falangat e Idrizit?

Natyrisht të gjitha këto pikpyetje, janë të mjafta edhe për ata që nuk disponojnë kamerat e Fiksit edhe për ata që nuk i kanë parë vetë thasët me miell për të cilat flet PD-ja, madje edhe për ata që nuk kanë shkelur fare në Dibër, që të kuptojnë se kemi të bëjmë me një anomali.

Çdo mendje e prirë të gjykojë lirisht e dallon se diçka jo e zakontë, jashtë kufijve të normales dhe përtej caqeve të logjikës, ka ndodhur në këto zgjedhje.

Pikërisht, këto çudi të pashpjegueshme, dhe jo mësymja kundër Bashës, mendoj se duhet të qe në epiqendrën e vëmendjes së atyre që pretendojnë se bëjnë “opinionistin e pavarur”.

Duke qenë dakord me ta për të gjitha fajet e Bashës, jam i bindur se pasqyrimi që i bënë rezultatit të Dibrës është i gënjeshtër. Një gjysëm e hidhur e së vërtetës që përdoret për të fshehur të tërën.

Të tërën e dhimbshme të një pushteti që po kriminalizohet dita ditës, që po vazhdon me bindje të përdorë të fortët dhe metodat e tyre në politikë.

Natyrisht, paaftësia e Bashës për tu ndarë nga e shkuara, mungesa e busullës dhe amoraliteti i qëndrimeve, e favorizojnë këtë pushtet, por ato nuk mund të serviren kurrëesesi si shkaku kryesor i mëkateve të tij.

Aq më pak mund ta bëjnë këtë, ata njerëz që pretendojnë se mbrojnë interesin publik dhe që emër të tij janë ngërthyer në një paradoks: edhe thonë se opozita e ka të pamundur të kthehet në pushtet edhe shohin atë si të keqen më të madhe.

Po vërtet, në këtë gjëndje që është, PD ja e Bashës e ka të largët dritën në fund të tunelit.

Por, pikërisht për këtë, fatkeqësisht për këtë, të gjithë projektorët duhen kthyer nga ata që kanë realisht në dorë fatet tona. Nga ata që gatuan çudinë e Dibrës. (Lapsi.al)

SHKARKO APP