Kush qëndron pas sulmeve ndaj Tahirit? Pse Rama përzgjodhi gazetën që po sulmon ministrin e tij?

 

Prej dy ditësh gazeta “Dita” po sulmon fort atë që në këto dy vite konsiderohet si ministri i preferuar i Edi Ramës. Kjo gazetë po sulmon edhe më shumë se vetë opozita ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Pikërisht në ditën që “Dita” denoncoi pushimet luksoze në Korfuz të Saimir Tahirit, kryeministri Edi Rama ka përzgjedhur këtë gazetë për të dhënë intervistën e verës. Intervistë që kryeministri as mohoi e as e pohoi problemin me aleatin e tij, Ilir Meta.

Por gazeta që ka përzgjedhur kryeministri Rama përbën lajm me vete. Të gjitha mediat ishin në radhë për të intervistuar kryeministrin. Edhe ato me audiencë të madhe. Po pse zgjodhi pikërisht këtë media relativisht modeste dhe që po e sulmon ashpër ministrin Tahiri?

Kryeministri Rama është një njohës brilant i efektit të përzgjedhjes së një media për të dhënë mesazh. Dhe kryeministri zgjodhi gazetën që po i sulmon ministrin më të rëndësishëm të tij, pikërisht në ditën që kjo gazetë denoncoi Tahirin.

Përzgjedhja që kryeministri i bëri gazetës logjikisht konfirmon akuzat e gazetës ndaj Saimir Tahirit. Pyetja e parë për kryeministrin Rama është kjo:

A qëndron kryeministri pas akuzave për ministrin Tahiri, apo e përzgjodhi këtë media që të shuaj sulmet ndaj ministrit në ditët në vazhdim?

Pyetja e dytë për kryeministrin ka të bëjë me një lajm tjetër pezull, që nuk po merr konfirmim por as mohim.

Kryeministri Rama u pyet për shumëçka por nuk u pyet dhe nuk foli për lajmin e javës. Nëse e ka ftuar për ndihmë dhe është takuar me ish-kryeministrin Fatos Nanon në kryeministri.

Pse nuk e përgënjeshtroi kryeministri Rama takimin me Fatos Nano?(syri.net)

SHKARKO APP