Kushtetuesja, kur frika fiton mbi Amerikën

Kushtetuesja po kërkon ta kthejë Vetingun në Komisionin e Venecias, me një lëvizje të dëshëruar dhe krejt pa sens. Sepse Komisioni i Venecias është shprehur tashmë për reformën dhe e ka miratuar hapur marrjen e masave drastike, për të dalë nga një situatë po aq drastike dhe e paprecedent, në të cilën  vegjeton Shqipëria prej një çerek shekulli…

Nga Skënder Minxhozi

Mesa duket reforma në drejtësi do të hyjë në analet e shtetit shqiptar, si tentativa për ndryshim më e anatemuar dhe e goditur me gur në historinë 25 vjeçare të postkomunizmit. Pas luftës dyvjeçare të njërës pjesë të politikës, pas oponencës së dëshpëruar të një aradhe të madhe politikanësh, zyrtarësh dhe personazhesh gjithfarësh (përfshi edhe kreun e shtetit), pas peripecish që çuan gati në rënien e qeverisë dhe shpërndarjen e Kuvendit gjatë korrikut, kapitulli më sensitiv i reformës, Vetingu, mori një “Jo” të madhe të martën edhe nga Gjykata Kushtetuese. Paneli i gjyqtarëve që kanë për detyrë të peshojnë aktet ligjore, në raport me ligjin themeltar, ka hedhur një hap që shumëkush e shihte si të pamundur: kanë kthyer mbrapsht të vetmin ligj që e kanë shkruar nga fillimi deri në fund ndërkombëtarët.

Një sentencë kundër SHBA dhe BE mund të quhet pa mëdyshje vendimi i Kushtetuese. Një sentencë që tenton të blejë kohë, për të ngadalësuar procesin e pastrimit me themel të sistemit të drejtësisë. Ka fituar presioni i politikës dhe i kastës, mbi presionin e Uashingtonit dhe Brukselit. Kjo provë e vetme mjafton për të kuptuar sesa frikë dhe makth ka zgjuar reforma tek ata që historikisht kanë bërë servilin e çdo ambasadori amerikan të rradhës. Pa folur për mbështëtjen masive që opinioni publik shqiptar i kishte dhënë reformës, qysh në hapat e parë të saj.

Rrëzimi në Kushtetuese i ligjit të Vetingut përbën një akt të pastër sabotazhi ndaj nismës më të rëndësishme kushtetuese të 25 viteve të fundit, për të filluar normalizimin e shoqërisë shqiptare. Të mos harrojmë që me reformën në dorë, Shqipëria trokiti në dyert e Bashkimit Europian, duke marrë premtimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit në dhjetor. Ishte ky hap që mundësoi një zbutje të tillë tonesh në Bruksel, edhe në këto kohë të zymta për projektin e zgjerimit të BE.

Kushtetuesja po kërkon ta kthejë Vetingun në Komisionin e Venecias, me një lëvizje të dëshëruar dhe krejt pa sens.

Sepse Komisioni i Venecias është shprehur tashmë për reformën dhe e ka miratuar hapur marrjen e masave drastike, për të dalë nga një situatë po aq drastike dhe e paprecedent, në të cilën  vegjeton Shqipëria prej një çerek shekulli. Si i tillë, ky gjest ka vetëm qëllimin që të fitojë pak kohë, për të ndalur lupën e reformës mbi dosjen e pistë të drejtësisë shqiptare. (Javanews.al)

SHKARKO APP