Kushti i BE-së për çeljen e negociatave: Frenimi dhe kontrolli i eksodit
Nga Shezai Rrokaj
Përveç kushteve të bëra publike që i janë vënë Shqipërisë nga BE-ja, si: lufta kundër korrupsionit, drogës, drejtësisë që po kapet, politizimit të administratës, dialogut politik, të drejtat e njeriut etj., ajo që po rikthehet si kusht kohët e fundit në vizitat e kryeministrit është presioni i kancelarive për frenimin e dy tipeve të eksodeve: njëri ku Shqipëria po përdoret si një korridor tranziti për azilikërkuesit që vijnë prej zonave të konfliktit si Siria, dhe tjetri që ka të bëjë me largimin masiv të vetë shqiptarëve këto vitet e fundit.
Këtë tip eksodi kryeministri është rrekur ta trajtojë si një fenomen normal, që ka prekur vendet ish-komuniste, por fakt është se këto vite Shqipëria ka një eksod në po ato përmasa si dhe vendet që njihen tashmë si vatra konflikti.
Në të gjitha vizitat e fundit Gjermania, Franca, Austria, por edhe vende si Holanda, Belgjika kanë vënë theksin në çështjen e azilkërkuesve, duke e trajtuar si një problem serioz në agjendën e integrimit.
Po cila është “vatra e konfliktit” që i bën qytetarët shqiptarë të braktisin vendin? Ajo ka një emër: quhet Rilindje. Qytetarët po ikin prej politikës së keqe që ka sjellë varfëri, pabarazi sociale, kushte të vështira për një jetesë minimale në zonat rurale si: rrugët, uji, shërbimi shëndetësor. Qytetarët po ikin prej mungesës së shpresës se ky vend është i jetueshëm. Dhe mungesa e shpresës për mundësi jetese normale në vendin tënd është kriza më e rëndë që mund t’i ndodhë një vendi, e pakrahasueshme edhe me çdo varfëri ekstreme.
Qeveria i ka lënë qytetarët në rënie të lirë, sepse ajo është e kapur prej oligarkëve dhe krimit të organizuar dhe nuk merret më me qytetarët, por me fasadat dhe me goditjen e opozitës.
Mungesa e tregut të punës, pagat më të ulta në Evropë, ku pjesa kryesore e të ardhurave shkon vetëm për ushqimet bazë, po i detyrojnë shqiptarët të braktisin vendin. Këto janë çështje që tregojnë ekuilibrin e shtetit, të cilat lidhen me aftësinë shtetformuese dhe shtetpërfaqësuese, pra me fytyrën që duhet të ketë një shtet anëtar i BE-së. Pa e kapërcyer këtë prag çelja e negociatave, edhe nëse bëhet për mëshirë, nuk mund të kthehet në një realitet.
*Deputet i LSI, shkrimi është postuar në profilin e facebook-ut