Ky është lajmi më i keq për shqiptarët, që kaloi pa u vënë re

Nga Edi Oga –

Cili është lajmi më i keq për shqiptarët sot?
Nuk është asnjë nga ato që gjeni në titujt kryesorë të gazetave apo në headlines të edicioneve informative. Nuk janë lajmet më të shpërndara nga portalet.
Është një lajm që ka kaluar pothuajse pa u vënë re dhe rrjedhimisht edhe pa u komentuar përsa i rëndësishëm është.
Është një statistikë.
Për herë të parë që nga nuk dihet se kur, numri i vdekjeve në Shqipëri është më i madh sesa ai i lindjeve!
Kjo është drama më e madhe kombëtare e imagjinueshme!
Shqiptarët jo vetëm po largohen nga ky vend, por edhe ne që kemi mbetur këtu, nuk po rigjenerohemi, nuk po shtohemi më natyralisht!
Ky është lajm i kobshëm!
Kjo do të thotë se kemi hyrë tashmë praktikisht në një rrugë pa kthim, në rrugën e pabesueshme të pakësimit deri në zhdukje të asaj kategorie njerëzore me emrin shqiptar!
A është kjo diçka e rastësishme apo e kërkuar dhe e planifikuar? Këtë le ta analizojnë sociologët, antropologët e kush më shumë di. Neve thjesht duhet të kthjellohemi dhe të dimë të lexojmë lajmet. Të dallojmë lajmet e këqija nga lajmet e rënda, si ky më lart.
Më thoni ju cili mund të jetë sot, një lajm më i keq se ky?!
Ah, edhe një gjë. Këtë hall të mënxyrshëm le ta zgjidhin politikanët! Prandaj i votojmë, që të na zgjidhin hallet dhe ky është halli më i madh që kemi sot!

SHKARKO APP