Ky është testi i vërtetë për SPAK

Nga Ylli Manjani –
Nejse, ku e lamë?
Te shembja barbare e Teatrit Kombëtar.

Nuk e di, arriti SPAK të sekuestrojë ndonjë dokument?!

Kush e kishte në inventar atë godinë? A u transferua godina sipas inventarit në Bashki? Ku është fizikisht aseti i inventarizuar?

Po drejtori i Teatrit di gjë për këtë punë? Në mos ai, shefi/shefja i financës apo dikush nga administrada e drejtorisë?

E ekziston ende ligjërisht drejtoria e Teatrit Kombëtar? Nëse po, ku e marrin rrogën? Ku luajnë teatër? Çfarë asetesh kanë e ku i kanë ato fizikisht?

Kush vendosi zyrtarisht shembjen?
Ku është akti i shembjes?
Si u vendos shembja pa patur një projekt zhvillimi të konsultuar e miratuar zyrtarisht?
E kujt ishte fadroma? Me urdhër të kujt u vu në lëvizje?

Po materialet brenda godinës në cilin inventar ishin? Ku janë ato fizikisht?

Kush e thirri policinë dhe Renean për ndihmë?
Kush dha urdhër për dhunë policore ndaj njerëzve?

Kush e plagosi Alfred Lelën? Po atij studentit të arteve kush ja vuri këmbë e gjunj në kokë?!
Po të shoqëruarit përdhunisht në komisariate si u trajtuan?

Po rregullat e pandemisë kush urdhëroi të shkelen?

Po i presim përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe përgjegjësit përkatës.

Ka ndodhur një krim i rëndë të paktën ndaj pasurisë publike, në mos ndaj trashëgimisë historike.

Ka ndodhur një shpërdorim klasik i detyrës publike.

Kanë ardhur pasoja me dëme të rënda financiare, nga sjellja antiligjore e disa personave njëkohësisht.

Dikush duhet të përgjigjet. Dukshëm janë persona me pushtet qendror e vendor që përpiqen të luajnë pingpong përgjegjësish.

Por ligjet janë të qarta dhe, janë dhunuar po aq qartë.

Ky është testi i vërtetë për SPAK.

SHKARKO APP