Ky vend është mësuar të ketë heronj!
Nga Alban Daci -Doni të shikoni fytyrën e këtij shteti, shikoni se çfarë pajisjesh kanë zjarrfikëset tona?! Ndodhi tërmeti e nuk kishin as qen shpëtimi dhe tashmë prej ditësh zjarri tek “Casa Italia” dhe zjarrfikëset nuk kanë mjetet dhe teknologjinë që duhet të kenë! Imagjino sikur të binte zjarri në Tiranë ashtu siç ja vuri Neroni Romës, çfarë tmerri do të ishte! Ja, pra ky është shteti ynë, mos harroni se kanë kaluar 30 vjet nga rënia e Komunizmit! Viktimat e njerëzit që kanë nevojë nuk mund t’i qajnë hallin shtetit se s’ka pajisje, por ato kërkojnë me të drejtë siguri dhe mundësi që të shpëtojnë nëse gjenden në një situatë zjarri apo fatkeqësie natyrore! Dhimbje e madhe për të afërmit e rojës së “Casa Italia”, i cili është hero i ditëve tona! Akoma asgjë për fatin e të riut! Ky është ritmi i zhvillimit dhe i progresit në vendi tonë, akoma konsiderojmë lluks si mjet pune lopatën dhe kazmën! Bota po mendon të shkoj me pushime në Mars. Për shumë sektor vital të jetës, jemi akoma në kushtet e mesjetës e madje edhe Skënderbeu ka pasur me shumë mjete e burime njerëzore për të shpëtuar kalatë nga zjarret! Të paktën në kohën e Skënderbeut uji nuk mungonte e po ashtu nuk mungonin as shkallët e drurit apo profesionalizmi i atyre që merreshin me çështjen e zjarreve!
Pak klm larg Tiranës, ose më sakt në hyrje të sja, një zjarr prej ditësh nuk menaxhohet dot! Po nëse bie zjarri në Skrapar çfarë mund të ndodh? Me siguri do të luteshin që të binte shi dhe të fikej zjarri! Një zjarr kaq shumë masiv në hyrje të Tiranës dhe një heshtje, sepse me të drejtë votat dhe fushata janë më të rëndësishme!
Ky vend është mësuar të ketë heronj, por ajo që më çudit është fakti se heronj janë gjithmonë njerëzit e ndershëm dhe të thjeshtë. Ata, që nuk marrin asgjë, as privilegje dhe me të parën që ju kërkohet, sakrifikohen pa u menduar dy herë duke e vënë jetën e tyre në shërbimin e të tjerëve!