Lajmi i mirë, nuk ka asnjë lajm

 

Nga Lorenc Vangjeli*

Sot të gjithë sytë, kamerat, vëzhguesit vendas, të huaj, komisionerët partiakë dhe diplomatët e akredituar në Tiranë, e gjithë shoqëria shqiptare, është fiksuar tek pritja e asaj se çfarë mund të ndodhë. Si në të gjitha zgjedhjet e tjera, absolutisht në të gjitha duelet politikë në Shqipëri, vendi duket sikur zgjohet nën shenjën e frikës dhe të ankthit.

Rrugët janë pothuaj bosh, televizionet transmetojnë live nga gjithë vendi, paradite votojnë krerët e partive që gjithashtu live japin mesazhin e tyre dhe pastaj vazhdon “rutina”. Si zakonisht, tradicionali Doktor Berisha ka dhe deklaratën më të fortë: zgjedhjet janë të plagosura! Të tjerët bëjnë thirrje për pjesmarrje dhe qetësi në zgjedhje.

Në të gjitha redaksitë e lajmeve në Tiranë pyetet dhe kërkohet të gjendet lajmi:

Ku ka incidente?

Kush shtyu kë?

Cili qëlloi, ku?

U shanë, u vranë, u ndanë, u pajtuan?

Në një ditë si në ditën e votimeve në Shqipëri, edhe sherret në familje për nxehtësinë e supës shndërrohen në sherre me sfond politik. Kjo është një teknologji e njohur që ndodh edhe pa dashur, ndodh edhe për shkak të profesionit, i cili në thelb, lajm quan vetëm lajmin e keq.

Sot shpresohet të jetë ndryshe. Dita e votimit në Shqipëri është ende larg cilësimit ditë feste e demokracisë. Ajo është pothuaj epilogu i një fushate elektorale që është si një makinë “perpetuum mobile” që energjinë e merr nga interesa të forta, nga ndeshje të egra, nga tifozllik i thjeshtë apo dhe nga vetë gara e cila përcakton shumëçka.

Në Shqipëri ende është shumë i fortë ndikimi i politikës në jetën e çdo kujt. Pothuaj gjysma e qytetarëve, varësisht partisë që ata duan, së paku shpresojnë t’u ndryshojë jeta. Edhe pse si rregull kështu ndodh vetëm me një pakicë shumë herë më të vogël.

Ajo çfarë do të bënte fitimtarë të gjithë është tjetër gjë: nëse kësaj rradhe zgjedhjet do të jenë si në Evropë, pak a shumë. Sepse ato do të ishin kështu një hap i mbarë në një proces emancipimi të shoqërisë dhe pjesës më të dukshme të saj, politikës.

Ndaj, sot lajmi më i mirë do të jetë kur të mos ketë asnjë lajm!

*Javanews.al

SHKARKO APP