Lamtumirë Ajlen dhe Galip

Nga Ilir Levonja

Bota është e tronditur mbrëmë nga pamjet që shpërndan në internet disa fotoreporterë dhe dhe aktivistë të të drejtave të njeriut. E para qe Liz Sly reportere e Washington Post, për luftën në Siri. Më pas Nadim Houry, Peter Bouckaert dhe David Miliband. Kryetari i Laburistëve britanikë. Këto janë dhe personat më të ndjekur për momentin në twitter. Madje statuteve të tyre u referohet edhe New York Times. Bëhet fjalë për një djalë të mbytur, 3 vjeçar me emrin Ajlan Kurdi. Atë e ka gjetur një oficer i policisë së qytetit Bodrum, në Turqi. Nga ku pretendohet se fëmija është pjesë e një grupi prej dymbëdhjetë vetash. Të cilët po i drejtoheshin ishullit Kos në detin e Kretës. Mirëpo, tragjedia nuk mbaron me kaq. Diku më tutje, gjendet edhe trupi vëllait të Ajlanit. Galipi pesë vjeçar. Eshte e pabesueshme. Dhe miliona e zërave të indinjuar ka kapërdirë natën deri sa duket sikur njerëzimi është zgjuar. Nga Siria, një vajzë hedh në faqen e Los Angeles Time, gazetës më të madhe të Kalifornisë, këto vargje.

 

Toka është e mbushur plot me martirë

Detet po përpijnë trupat e tyre,

Kur zemrat njerëzore refuzojnë të japin strehë

Të jesh tashmë njeri qënka veç asgjë.

 

                                Nafisa Sulejman

Kushdo që zgjohet sot. Kushdo që merr frymë. Kushdo që ecën ca çape për diku. Kushdo prej nesh, kudo. I duhet të mbaj pak frymën dhe të provojë nëse i ka mbetur sado pak ndjesi njerëzore. Të pyesi veten, se a ka zemër të fort. Të shpiki një lutje, por jo nga ato të Zotit. Të Zotit të sunitëve, katolikëve, orthodoksëve, më the e të thashë. Ta shpiki ashtu si i vjen për mbarë. Si ia ndjen shpirti. Shpirti i tij, ai i njeriut. Sepse edhe Zotin me sa duket e ka marrë porrropia. Eshtë mekur pas absolutizmit të Tij karshi  ekzistencës së të vobektëve. A e keni vënë re. Shërbëtorët e të Madhit janë më fanatikë se ushtarët e të ashtuqujturave luftra të shenjta. Luftë për mbrojtjen e këtij apo atij. Çfarë të them…, gjithsesi lutuni për dy djem. Dy vëllezër. Dy të vegjël. Dhe mbyllini sytë kur t'i shikoni. Sidomos foton e Ajlanit tre vjeçar. Një herë përmbys. Një herë në duart e oficerit turk. Me rrobat e lagura nga uji i kripur. Me flokët plot shkëlqim. Një kërthi i pa jetë për shkak se klasa politike botërore ka dështuar. Merreni kështu pasi sot, nuk ka më qytetar lindje apo perëndimi. Por ka qytetar. Dhe në çdo grimë frymëmarrje besoni se kafshëria tek njeriu është më brutale se nga vendi i origjinës së saj.

Lamtumirë Ajlen dhe Galip, ne sot nuk jemi sirianë. 

SHKARKO APP