Lapsi.al thotë se ka plasur sherri mes Tahirit dhe Veliaj
Një mbledhje urgjente solli në mëngjes herët në selinë e PS, Saimir Tahirin dhe Erion Veliajn. Ata u panë të hynin njëri pas tjetrit dhe të ngjiten në zyrën e kryetarit. Të dy me hap të nxituar dhe me çehren e dikujt që diç’ bluan në kokë. Përballë gjetën Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin.
Nuk kishte asgjë të surprizës në përbërje të takimit, pasi ata ishin njoftuar më parë se do të ishin të katërt për të biseduar. Dhe as për qëllimin e tij. Ajo që i shqetësonte dy rivalët e rinj në PS ishte përballja e tyre në prani të kryetarit.
Një burim i tha redaksisë së lapsi.al se ata diskutuan për afro 1 orë mbi rezultatin e zgjedhjeve për Asamblenë Kombëtare, kryesisht për Tiranën.
Një dyshim i Erion Veliajt i kishte sjellë herët në zyrat e PS. Ky dyshim duket se ia prishur paksa edhe gëzimin Edi Ramës për “triumfin” e arritur në Kongres ndaj kundështarëve në parti.
Veliaj ka qenë i pakënaqur me rezultatin e votimeve për Tiranën dhe ka hedhur dyshime për një orientim të delegatëve të kryeqytetit për të votuar kandidatë të caktuar: një pjesë e mirë e kandidatëve të mbështetur prej tij nuk u votuan nga delegatët e Tiranës!
Ervin Mete dhe Gentian Elezi, njëri zv/ministër i Financave dhe tjetri zv/ministër i Integrimit, të dy ish –anëtarë të ish –partisë së Erion Veliajt, G99, nuk janë fitues.
Dyshimet e Veliajt bien mbi drejtuesit e degës së PS në Tiranë. Saimir Tahiri është kryetar i kësaj dege. A ka ai gisht në këtë rezutat?
Rreth këtyre dyshimeve duket se është zhvilluar edhe takimi i mëngjesit. Edhe vetë Rama mund të ketë qenë i lëkundur nga ajo çka dyshon i besuari i tij në Bashkinë e Tiranës. Në Asamble nuk u zgjodh një nga të përzgjedhurit e tij, Ergys Hoxha, drejtor i Antikorrupsionit në Kryeministri. Hoxha ka patur përplasje të forta me Tahirin, aq sa u përfol edhe për një konflikt fizik mes tyre. Ky fakt i shton dyshimet për ndikimin e Tahirit në votim.
Nga ana tjetër janë votuar thuajse të gjithë njerëzit pranë Ministrit të Brendshëm, përfshirë dy zv/ministra.
Dyshimet shtohen edhe më tepër pas një dokumenti të publikuar nga gazeta “Sot” si provë se zgjedhjet për Asamblenë në listën e Tiranës janë manipuluar. Dokumenti dëshmon se si delegatët e Tiranës janë udhëzuar të votojnë disa kandidatë, kryesisht të mbështetur nga Saimir Tahiri.
Lista e delegatëve ishte e ndarë në dy pjesë: në njërën anë ishin delegatët meshkuj dhe në tjetrën ato femra. Sipas “Sot”, bashkë me fletën e votimit delegatëve u është dhënë një fletë tjetër me rekomandimet se kë duhet të votonin.
Orientimi për femrat ishte për numrat 1, 2, 4, 6, 8, 14, 15, 16. Për meshkujt për numrat 1, 4, 5, 8, 9, 10, 13, 17, 18, 20, 21, 22, 23, 24, 26.
Këto fletë janë të printuara, çka i bën akoma më të besueshme dyshimet se praktika për ta manipuluar procesin ka qenë e parapërgatitur dhe nuk ka qenë një skenar i momentit.
Femrat që u korrespondojnë numrat janë: Alketa Hila, Alma Skënderaj, Blerina Doracaj, Elisa Spiropali, Ogerta Lubonja, Mirvjena Xhema, Ogerta Manastirliu, Silda Cepe. Ndërsa janë: Adriatik Kupi, Altin Gjino, Arben Seferi, Artan Lame, Aurel Veizaj, Azbi Arapi, Eridian Salianji, Ervin Shehaj, Johan Sterjo, Krenar Cancollari, Leonard Kuçi, Mezan Malaj, Rudolf Xhillari dhe Stefan Çipa.
Thuajse të gjithë ata u shpallën fitues, përvec Silda Cepe, Altin Gjino, Aurel Veizaj, Leonard Kuçi dhe Mezan Malaj.
Fitues janë edhe emra të padëgjuar më parë, as si aktivistë të PS dhe aq më pak si figura publike, përkundër dy zëvendësministrave që kanë mbështetjen e Veliajt.
Këto fakte e dyshime i thellojnë edhe më shumë ndarjet mes Tahirit e Veliajt, fërkimet mes të cilëve nuk janë gjë e re dhe janë bërë më të dukshme pas zgjedhjeve vendore të 2015 –ës.
Tahiri ishte pak javë më parë në krye të protestuesve të zonës së Kombinatit, ku ai u zgjodh deputet dhe i mbështeti ata në protestën kundër ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve që është në vartësi të Bashkisë së Tiranës, për faturat e kripura të ujit të pijshëm.
Largimi i të besuarve të Veliajt nga Asambleja Kombëtare duket si nisja e një ere të re përplasjesh mes kryebashkiakut të Tiranës dhe Ministrit të Brendshëm, një lufte mes dy politikanësh të rinj që kanë shfaqur hapur ambiciet për t’u ngritur sa më lart në kupolën e PS. /Lapsi.al