Lapsi i Shkullakut dhe Bushatit:TV Klan e lëshon pa frena/ Kërcënon Monika Stafën

TV Klan ka hartuar sot një fletërrufe të fortë nga ato që dikur i qëndiste Edi Ramës apo Erion Velisë kur ishin në opozitë. Por këtë herë Televizioni që nuk ka më fuqi të merret me viktimat e tij të dikurshme i është kthyer një gazetareje. Ajo është ish spikerja e Top Channel, Monika Stafa e cila në Gazetën Shqiptare kishte bërë një shkrim ku mbronte ambasadoren Vllahutin në lidhje me botimin e dokumentave për deklarimin e pasurisë së saj në Kroaci. Për këtë ngjarje u shkrua edhe shumë më fort seç shkroi Monika Stafa. Përshembull gazeta Tema në editorialin e Mero Bazes theksonte: “Shtypi ynë puritan, që nuk ia fal dot një qytetareje kroate, pse nuk e ka marrë në kohë kërkesën për deklarim pasurie, është shtypi i Sandrit, që zapton pasuri publike dhe bëhet milioner nga pushtetet që ndërrohen dhe ai u lëpihet, shtypi i “Obezit”, që mund të rigëlltisë disa herë honoraret vetëm mos t’i shpëtojë ndonjë pa marrë për shërbimin e radhës…”

Por përsëri sot TV Klan u morr me Stafën sipas vesit të tij për të goditur ata që i duken më të dobët.

Edhe pse ajo nuk e përmend me emër TV Klanin, ky i fundit reagoi sot “se është e qartë kujt i drejtohet, pasi ka qenë ky televizion ai që ka zbardhur dhe ka publikuar dokumentin”. TV Klan e quan këtë shkrim të Stafës një tregues të injorancës profesionale dhe aspak të paanshëm, dhe zotohet se do të ngrejë padi mbi të për dëmtim të imazhit, shpifje dhe fyerje. Ja çfarë thuhet në kronikën e publikuar në tv klan.al: ‘Minimumi, ajo ka treguar injorancë profesionale dhe kjo analiste, që sulmon televizionet nuk mund të marrë rrogën nga taksat e televizioneve dhe nuk mund të jetë e paanshme me këto qëndrime. Ajo, nëse do të sulmojë televizionet, është e lirë ta bëjë dhe nuk përbën problem, por kurrsesi nuk mund të jetë edhe Drejtoreshë në Autoritetin e Mediave. Edhe prokurore edhe gjyqtare e televizioneve, ajo nuk mund të jetë” thuhet në fletërrufenë e TV Klan ku në mënyrë aspak qytetare i kujtohet gazetares se ky TV nuk ka pranuara ta marri në punë dhe kërcënohet se do ta hedhi në gjyq.

E kishim harruar këtë gjuhë të Klanit që prej kohës kur i hakërrehej Edi Ramës.

Ja teksti i plotë i TV Klan:
Kryetarja e Këshillit të Ankesave në Autoritetin e Mediave Audiovizive, Monika Shoshori Stafa ka sulmuar sot Televizionin Kombëtar Klan.
Në një shkrim, që nuk ia vlen të citojmë ndonjë paragraf për shkak të cektësisë së mendimit dhe mungesës së përmbajtjes, kjo zyrtare e punësuar për të bërë gjyqtaren e paanshme të televizioneve, merr përsipër të quajë një Televizion Kombëtar, si një media të palirë, për shkak se publikoi një dokument zyrtar të shtetit kroat, sipas të cilit, Komisioni i Përcaktimit të Konfliktit të Interesit kishte arritur në përfundimin se Romana Vlahutin kishte shkelur ligjin.
Pas lënies së detyrës së Këshilltares për Punët e Jashtme të Presidentit kroat, zonja Vlahutin, sot Ambasadore e BE në Tiranë, nuk kishte deklaruar me saktësi dhe në kohë pasurinë e saj, siç ia kërkonte ligji. Televizioni Klan e botoi pa as më të voglin ndryshim e koment këtë dokument. Drejtoresha në Autoritetin Mediave Audiovizive e quan këtë si sulm të egër të medias së palirë shqiptare.
Edhe pse Shoshori nuk përmend emër të mediave, kuptohet qartë që e ka për Klan, se dokumentin e zbuloi dhe e transmetoi Televizioni Klan.
As vetë Ambasadorja Vlahutin nuk e ka kontestuar dokumentin, por ka dhënë shpjegimet e saj, se përse ishte proceduar për shkelje të ligjit.
Atëherë, si mund të thotë një punonjëse e Autoritetit të Mediave që media nuk është e lirë, se botoi një dokument zyrtar të institucionit që kontrollon pasurinë dhe parandalon konfliktin kroat?
Minimumi, ajo ka treguar injorancë profesionale dhe kjo analiste, që sulmon televizionet nuk mund të marrë rrogën nga taksat e televizioneve dhe nuk mund të jetë e paanshme me këto qëndrime. Ajo, nëse do të sulmojë televizionet, është e lirë ta bëjë dhe nuk përbën problem, por kurrsesi nuk mund të jetë edhe Drejtoreshë në Autoritetin e Mediave.
Edhe prokurore edhe gjyqtare e televizioneve, ajo nuk mund të jetë.
Televizioni Klan do ta padisë Kryetaren e Këshillit të Ankesave të Autoritetit të Mediave Audiovizuale për shpifje, fyerje dhe dëmtim të imazhit, pasi shkrimi i saj s’përmbante asgjë tjetër veç kësaj. Ky shkrim, përveç servilizmit ndaj Romana Vlahutin, vjen edhe për shkak se Televizioni Klan nuk e mori atë në punë, pasi u largua nga Top Channel.
(Marre nga lapsi.al)

 

SHKARKO APP