Lasgushi në “duel” me Sejfulla Malshovën
Nga Mitro Çela
Isha në Pogradec. Kur ra muzgu u ula karshi premendores se Lasgush Poradecit…Ndërmend më erdhi një histori. Në vitin 1987 punoja në gazetën “Bashkimi”. Teodor Keko punonte në gazetën “Drita”. Të dy me shërbim në Pogradec. Secili për hesap të vet. Në mbrëmje, zumë një tavolinë ne lulishten e hotel turizmit të vjetër. Me një gotë birrë përpara, në gjysëm errësirë, shijonim melodinë e dalgëve të liqenit…Para nesh u shfaq një burrë i vjetër. Me një shkop në dorë. Nëpër këmbë i vërdallisej një kone…Kur u afru tek tavolina jonë, u dëgjua një zile…Plaku futi dorën në xhep. Nxorri një sahat tavoline. Pa orën duke thënë: “ Pusho, moj e flamosur?!”
”Çësht mo kjo fantazmë,- pëshpëriti Dori,- duke zgurdulluar sytë…Pastaj thirri: O Zot! Na mbiu fati mbi tavolinë! Ky është Lasgushi?!…” I bëmë vend në tavolinë. Na pa vëngër. Nuk na njohu. Nuk na kishte dëgjuar…Lëshojë vetëm një psherëtimë: “Këta të Komitetit Ekzekutiv duhen vrarë me bukë në gojë!…Më sjellin vërdall…Nuk ma marrin vajzën në punë…E kam mësuese dhe më duhet ta kem në Pogradec”…U ngrit duke mërmëritur…I zgjatëm dorën. Na mbeti kobure!
Lasgushi u largua. Pa na dhënë dorën. Pa na përshëndetur…E përpiu errësira, nën melodinë e valëve të liqenit…”Si fantazmë erdhi, si fantazmë u largua, – tha Dori, duke hapur bllokun e shënimeve”…(Vite më vonë, më tregoi disa vargje të shkruara në atë natë.)
-Të të tregoj një perrlë,- më thotë Dori.- Ma ka treguar Ismail Kadare. Në vitin 1946 ministër i Arsimit ishte Sejfulla Malshova. Edhe ky poet. Edhe ky i ditur e me shumë gjuhë si Lasgushi. Ministri i Arsimit, diku kishte bërë humor me poetin nga Pogradeci. Lasgushi e mori për tallje. Vjen në Tiranë. Kërkon Sejfullanë dhe fton…në duel! Si në mesjetë! Si kalorsit…Vetëm një poet i madhërishëm, që jeton me kokën mbi re, mund të bëjë proçka të tilla në socializëm?!
Një ditë më von shkova në Komitetin Ekzekutiv. Do shkruaja për një shkollë. Përfitova nga rasti dhe pyeta për vajzën e Lasgushit…Më thanë si ishte në Tiranë. Lasgushi është në pikë të hallit. I varfër dhe i vetmuar. Kërkon ta bjerë vajzën të punojë në Pogradec. Por lëvizjen e mësuesve e bën ministria e Arsimit…
Teodori vazhdoi rrugën për në Korçë. Unë qëndrova edhe një ditë në Pogradec. Në darkë takova Vaso Samsurin. I tregova për takimin me Lasgush Poradecin. Kaq mjaftoi që Vaso të “shpërthejë”. Në fillim nisi të recitojë poezi. Unë hapa bllokun për të shënuar një varg, që më ka ndjekur gjithë jetën: “Dashuronte…dashuria…”…Të të tregoi edhe një sekret,- më thotë Samsuri? Poezitë më të bukura, Lasgushi i shkroi në rini…I frymëzuar nga dashuria për një vajzë të huaj…Ajo e ndjek si fantazmë edhe në pleqëri poetin plak…Dhe dashuria të bën si të marrë…
Tre vjet më parë, Ismail Kadare publikoi dy letra që ja kishte dërguar Lasgushi. Në letrën e parë poeti shkruan se nga Pogradeci është larguar Ana Luka, mësuese e letërsisë. Vendi është bosh. I kërkon ndihmë Kadaresë. Të ndërhynte në ministri të Arsimit. Të nisninin dy gisht letër, për të emëruar vajzën e Lasgushit si mësuese. Në letrën e dytë poeti shkruante se kishte qënë në Komitet. Puna zgjidhet edhe me telefon. “I dashuri Ismail! Të lutem! Ndërhy që ministria të marri në telefon Komitetin?!…”