LEO, ky hero i vogël i madh

 

Albina Gjergji /

Selanik, datë 25 gusht, 2015, ora 09:00! Leo ka hyrë në sallën e operacionit, i cili zgjati 15 orë!

Padyshim kjo ka qenë pritja më e gjatë e jetës për prindërit Ervin dhe Anxhela Hasanllari, pritja më ankthioze dhe vendimtare për ecurinë e shëndetit të të birit. Një pritje që në fund u shpërblye më një lajm të mirë, “OPERACIONI U KRYE ME SUKSES” dhe pas kësaj, dëshira e mirë për ta parë djalin sa më shpejt në këmbë. Një aureolë gëzimi që padyshim u përhap tek të gjithë dashamirësit dhe ata që mezi e kanë pritur këtë çast, pjesa më e madhe e të cilëve edhe u bënë pjesë e fushatës për mbledhjen e shumës së parave, të domosdoshme për kryerjen e këtij operacioni. Kjo nismë fillimisht mori hov nga ideja dhe vendimi kurajoz i nënës së Leos në muajin qershor, për të vazhduar më tej me përfshirjen e shumtë të qytetarëve në rrjetet sociale, medias dhe të Albtelecom. Kjo e fundit për 9 ditë me radhë u bë zëri i fushatës “Leo do të ecë, dërgo një mesazh”!

Të shumtë ishin qytetarët që iu bashkuan kësaj kauze e që pas mbledhjes së shumës që nevojitej nuk i shkëputen kontaktet me prindërit e të 7-vjeçarit. Pikërisht për kontributin e jashtëzakonshëm që ata kanë dhënë, prindërit e Leos, Ervin dhe Anxhela Hasanllari shprehin mirënjohjen më të thellë për secilin prej tyre. “Për ata që ndihmuan nëpërmjet llogarisë bankare, me para në dorë, me mbështetje morale dhe në çdo formë njerëzore shprehim falenderimet tona më të mëdha. Për të gjithë njerëzit që ndihmuan dhe na qëndruan pranë në këtë betejë që kishim, mirënjohje… Operacioni doli me sukses, por po presim që Leos t’i dalë narkoza. Do rrimë më shumë se një muaj në Greqi, ku edhe është kryer operacioni dhe pastaj kur të hiqet allcia doktorët do i veshin “çizmet”, një aparaturë që ndihmon zhvillimin e këmbëve të tij”, shprehen prindërit e Leos për “Koha Jonë”.

Leart Hasanllari, ose siç e njohim të gjithë tashmë, LEO, vuante nga “osteogenesis imperfecta”, një anomali që ka të bëjë me deformimin e kockave të këmbëve. 7-vjeçari është operuar 7 herë që kur ka lindur, por që të 7 operacionet nuk kishin dhënë rezultatet e dëshiruara. Ky operacion, që u krye ditën e djeshme ishte vendimtar për shëndetin e tij dhe duket se gjithçka ka shkuar siç duhet. Leo do të ecë, Leo do të shkojë në klasë të parë…

SHKARKO APP