Lepuri “fshihet” tek Doganat
Nga Mitro Çela
Edhe pse Rama, përpiqet ta bëjë “trarin qime”, kontrabanda dhe “ekonomia e zezë”, kullosin “pjesën e luanit” në dogana dhe tatime. Mungojnë rreth 160 milionë dollarë. Nuk janë pak për një buxhet që është sektori më i madh për të “ushqyer” ekonominë me para; për një buxhet që ka marrë firmën dhe vulën e FMN-së. Në se brenda vitit nuk “bëhet deti kos” për të realizuar të ardhurat e buxhetit, “hastalavista” kësti i FMN-së për 140 milionë euro.
Po halli? Qeveria u mblodh. U nevrikos. Mallkoi. Analizoi. Në përfundim vendosi. Dy rrugë burokratike dhe një revolucionare. Së pari, uli planin e të ardhurave buxhetore. Vërë në ujë. Duke korrigjuar planin, “ekonomia e zezë” e vë festen mbi sy, sepse nuk i futet në këmbë asnjë majë gjilpëre.
Së dyti, mori “gërshërën” dhe krasiti rëndë shpenzimet në transport, shëndetësi, arsim. Gërshëra preu më shumë investime. Shpenzimet buxhetore janë si puna e gjakut në trupin e njeriut. Sa ma pak para, aq më pak vende pune. Duke pakësuar paratë në qarkullim, tkurret më shumë konsumi i mallrave. Pastaj vjen derivati: më pak prodhim. Më pak import. Dhe më tej: më pak të ardhura nga dogana dhe tatimet. ( Import + prodhim vendi.) Nuk besoj se ekspertët e FMN-së, janë aq naivë që ta hanë “sapunin për djathë”, d.m.th që duke korrigjuar buxhetin qeveria, të hapin thesin e parave për të paguar këstin?!
Së treti, më 1 shtator nisi aksioni kundër evazionit fiskal. Aksioni, me pak retushime është rrugë revolucionare. Në aksion marrin pjesë policë, nëpunës, deputetë. I zoti i punës, taksidari, mbetet si në hije, sepse aksionin e drejtojnë udhëheqësit e lartët të PS: Gramoz Ruçi, Taulant Balla dhe vetë ministri i Jashtëm, Bushati. Përmenda vetëm tre nga udhëheqësit, që problemet fiskale i “përtypin” vetëm si përralla me mbret.
Por pa i hyrë në hak qeverisë, aksioni edhe pse revolucionar, ka rëndësinë e tij. Do shkunden taksidarët, doganierët dhe bizneset. Edhe qytetarët nuk do përtojnë të "zgjatin dorën” për të marrë kuponat. Por unë mendoj, se qeveria nuk e njeh peizazhin e të ardhurave të buxhetit. Po të bësh një arithmetikë të thjeshtë, del se 75 përqind e të ardhurave të buxhetit vinë nga importi. Kusuri “korret” nga ekonomia e vendit. Kjo do të thotë se buxheti varet nga “kapriçot” dhe kontrabanda në import.
Ideja ime. Qeveria pa harruar aksionin, në radhë të parë sytë dhe mendjen duhet ta ketë tek doganat. Jam dakord me analizën e kryeministrit Rama qe deficitin që erdhi në dogana nga rënia e çmimit të naftës në bursë dhe ulja e importit të energjisë elektrike. Por është “shaka” për të qeshur kontrabandistët, kur thotë se është pakësuar importi i duhanit, sepse shqiptarët, pinë më pak cigare, sepse qeveria ua ka bërë “rrup-sup” me ligjin antiduhan.
Kohë më parë është bërë një studim. Çdo vit shqiptarët tymosin rreth 6 mijë ton cingare. Për pesë – gjashtë vitet e fundit janë çdoganuar rreth 4 mijë tonë. Me plus minus. Vetëm këtë 7 mujor kontrabanda ka "pirë" rreth 1000 tonë cigare…Kjo tablo, pak a shumë edhe për naftën, kafen, pijet. Mallrat e forta, de, që mbushin "thesin" e buxhetit.