Lëreni rehat Ambasadën e SHBA, ku ishit kur flitej për ligjin
Për hir të së vërtetës ka shumë momente kur duket se ka gjëra që çalojnë nga Ambasada amerikane, por ne përfaqësuesit e një vendi të vogël na duhet më së pari të shikojmë veten tonë dhe pastaj të gjykojmë për vendimet e një strukture diplomatike. Që do të thotë: Çdo ambasadë bën raportet e veta dhe ka konjukturat e veta…
Nga Ben Andoni
Në orët e fundit, një nga drejtueset e Aleancës kundër Importit të Plehrave, Kozara Kati ka komentuar se: do kërkoj takim me ambasadorin Donald Lu, e do i kthej dekoratën që i dha paraardhësi i tij. Të paktën, kështu referohet në media. E nxituar.
Deklarata e bërë mbrëmjen e pardjeshme nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë vërtet ka qenë e tepruar, por askush nuk mund të gjykojë vendimin e një institucioni që ka kredencialet të mbrojë qytetarët e vet dhe të japë gjykim me aq tagër sa ka për vendin ku është e akredituar.
Për hir të së vërtetës ka shumë momente kur duket se ka gjëra që çalojnë nga Ambasada amerikane, por ne përfaqësuesit e një vendi të vogël na duhet më së pari të shikojmë veten tonë dhe pastaj të gjykojmë për vendimet e një strukture diplomatike. Që do të thotë: Çdo ambasadë bën raportet e veta dhe ka konjukturat e veta. Nëse nuk na pëlqejnë, atëherë shteti ka mekanizma që i adreson në burimin diplomatik. Një gjë e tillë s’ka ndodhur, kurrë me SHBA-të.
Kurse patetizmi i drejtueses së AKIP dhe i shumë patetikëve të këtyre ditëve duhet të frenohet sepse Shqipëria gjendet para një udhëkryqi të frikshëm, atij të mbetjeve. Në këtë stad, ku kemi arritur, njerëzit dhe grupet e interesit nuk pyeten, ndërsa ligjvënësit bëjnë zhurmë thjesht pasi miratojnë ligjet.
Me pak fjalë, lëvizja e AKIP nuk duhet të binte në gjumë, por me fijet e veta, e me shumë specialistë që janë kudo, duhet të merrte masa që në korrik kur filloi ridiskutimi i ligjit. Që në atë moment, duhej të bënte sensibilizimin, duhej të bënte sërish pasqyrimin e lajmit në media dhe të merrte masa. Por atëherë zotërinjtë pushojnë, më vonë udhëtojnë dhe tashmë prehen në Bllok. Tani është pak si vonë, ndërsa ndihma që po bëjmë të gjithë gazetarët, duket si e pamundur të ndryshojë gjë. Pasi, ju njerëzit që merreni me organizma të tilla, vuani më shumë protagonizmin sesa realisht filtrimin në popull të problematikave reale.
Shikojeni pak më shumë Shqipërinë në terren dhe aty do të kuptoni se Shqipëria ka nevojë për një zë që të jetë i vazhdueshëm dhe jo sporadik, siç ndodh shpesh me ju. Realisht, zëri i shumë prej organizmave jo qeveritarë është me hope dhe shumë pa vend.
Jemi para një gjendje ku duhet të gjithë të mbështesim njëri-tjetrin kundër plehrave, kurse ju patetikët të mblidheni dhe t’i orientoni më mirë njerëzit.
Sa i përket Ambasadës amerikane është më mirë të mbyllim gojën dhe ta lëmë rehat. Aty është i vetmi vend, ku shumica e shqiptarëve, duan të drejtohen dhe e kujtojnë madje ambasadorin e saj si njeriun më të fortë të vendit. Provojeni po të doni edhe këtë me një referendum! Ndaj, lëreni shoë-n për emisionet televizive, tek e fundit te ambasada amerikane faleni të gjithë! Edhe Ju. (Javanews.al)