Lërini gjyqtarët të bëjnë punën e tyre! “Lajthitja” e avokatëve presion ndaj gjyqtarëve
Që sistemi ynë gjyqësor ka probleme të shumta kjo dihet dhe nuk është gjë e re për shqiptarët. Por edhe që gjyqtarë apo avokatë të veçantë ‘lajthisin” hera-herës, për të mos thënë shumë herë, edhe kjo është tashmë familjare për qytetarët.
Përveç rasteve korruptive, ku qytetarëve iu duhet të paguajnë shifra të mëdha parash si rryshfet për të zgjdhur çështje të caktuara, ka edhe raste pretendimesh nga më qesharaket, të cilat kur i dëgjon mendon me vete: “Si ka mundësi, a janë vërtet të lajthitur këta avokatë apo gjyqtarë apo bëjnë si të tillë?”.
Kur shkon në Gjykatë dëgjon histori e halle nga më të ndryshmet të qytetarëve, të cilët në përpjekje të dëshpëruar për ti zgjidhur këto halle enden dyerve të gjykatave e “u shkojnë nga pas” pas gjyqtarëve e avokatëve. Gjykatat tona janë vendi ku thuhen e bëhen të gjitha, janë pasqyra më e mirë e katrahurës së vendit tonë.
Përpjekjet për të kapur sistemin gjyqësor e për të shantazhuar gjyqtarët janë të shumta. Por një rast qesharak do ta quaja unë, është kur një avokat kërkon që një gjyqtar të përjashtohet për të gjykuar një çështje, me pretendimin se ky i fundit kishte konflikt interesi. Bëhet fjalë për një rast ku paditësi është një qytetar i dëmtuar nga përplasja me një makinë, e cila ishte e siguruar tek një kompani sigurimi. Dhe meqë gjyqtari i çështjes ka një sigurim të shëndetit tek kompania e sigurimit, avokati i palës paditëse pretendon që ky gjyqtar nuk e gjykon çështjen në mënyrë të drejtë.
Për arsye etike, nuk mund të përmendim emra, as atë të avokatit, të klientit të tij, të gjyqtarit apo të kompanisë së sigurimeve, pasi në thelb çështja është më e gjerë dhe nuk synohet të nxirret në pah njëra palë apo një emër konkret, por fenomeni apo precedenti.
Qytetari ka të gjithë të drejtën të kërkojë dëmshpërblim, për sa kohë që është dëmtuar dhe faji i përket palës tjetër, në këtë rast faji është i një qytetari tjetër që e ka goditur me makinë, makinë të cilën e ka të siguruar tek kompania e sigurimeve. Kjo e fundit detyrohet të paguajë dëmshpërblimin në bazë të kontratës së nënshkruar me klientin e saj. Deri këtu nuk ka asgjë “jashtëtokësore”, është krejt normale kërkesa e qytetarit. Por ajo që është absurde, është fakti që avokati i qytetari kërkon që të mos jetë X gjyqtar ai i cili do të gjykojë çështjen, me pretendimin se ky u fundit ka konflikt interesi, sepse ka një kontratë sigurimi të shëndetit të tij personal tek kompania e sigurimit në fjalë.
Ky lloj pretendimi nuk shkon as logjikisht e as ligjërisht apo procedurialisht. Nëse do ti referohemi Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë, neni 72, përcakton qartë se kur përjashtohet gjyqtari nga çështja:
- Kur ka interes në çështje ose në një mosmarrëveshje tjetër që ka lidhje me atë në gjykim;
- Kur gjyqtari vetë ose bashkëshortja e tij është i afërt deri në shkallë të katërt apo krushqi deri në shkallë të dytë, ose është i lidhur me detyrime birësimi apo bashkëjeton në mënyrë të përhershme me njërën nga palët ose nga mbrojtësit;
- Kur vetë gjyqtari ose bashkëshortja e tij janë në konflikt gjyqësor ose në armiqësi apo në marrëdhënie kredie apo huaje me njërën prej palëve, ose njërin prej përfaqësuesve;
- Kur gjyqtari ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim për çështjen në gjykim, apo ka marrë pjesë në gjykimin e çështjes në një shkallë tjetër të procesit, është pyetur si dëshmitar, si ekspert ose si përfaqësues i njërës apo tjetrës palë;
- Kur gjyqtari është kujdestar, punëdhënës i njërës prej palëve, administrator ose ka një detyrë tjetër në një ent, shoqatë, shoqëri ose institucion tjetër që ka interesa për çështjen në gjykim;
- Në çdo rast tjetër kur vërtetohet, sipas rrethanave konkrete, arsye serioze njëanshmërie.
Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve shqyrtohet në seancë nga një gjyqtar tjetër i së njëjtës gjykatë.
Fakti që një gjyqtar ka blerë një produkt sigurimi tek kompania e sigurimeve nuk e bën atë të korruptuar. Ka me mijëra shqiptarë që kanë siguruar shëndetin e tyre tek kompanitë e sigurimeve, të cilët punojnë në institucione të ndryshme publike e private, por kjo nuk i bën ata të korruptuar. Rasti i blerjes së një produkti sigurimi nuk përfshihet në asnjë nga pikat e mësipërme të Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë dhe nuk përbën asnjë shkak për njëanshmëri të gjyqtarit. Kompania e sigurimeve është një operator ekonomik në treg që ofron produktet e saj, sikurse bëjnë edhe shumë operatorë të tjerë.
Nëse do të nisemi nga kjo logjikë, që një gjyqtar të mos gjykojë asnjë çështje ku njëra nga palët në proces ka blerë produkte tek një nga operatorët ekonomikë të Republikës së Shqipërisë, pyetaja që shtrohet në këtë rast është: Kush do ti gjykonte çështjet gjyqësore ku palë është edhe OSHEE, kur palë është Ndërmarrja e Ujësjellësit apo Zyra e Regjistrimit të Pasurive? Sipas logjikës të përmendur më sipër rezulton që çështjet gjyqësore ku janë të përfshira entet e mësipërme të ngelen pezull, të pashqyrtuara për shkak se gjyqtarët, si çdo qytetar tjetër janë klientë të këtyre enteve, furnizohen me energji eleketrike, me ujë etj. Për ta thjeshtëzuar akoma më tepër, është njëlloj sikur të kërkohej përjashtimi i një gjyqtari për shkak se ka blerë artikuj ushqimorë në një supermarket apo ka blerë bukë tek furra e lagjes.
Kjo është jashtë çdo koncepti ligjor, procedurial dhe mendor. Pretendime të tilla, vetëm sa krijojnë anomali si për gjykatat, për vetë gjyqtarët dhe avokatët, e mbi të gjitha pasojat do të binin mbi qytetarët, të cilëve do tu zvarritej çështja pambarimisht e do të vazhdonin të endeshin dyerve të gjykatës, duke lënë punën dhe çdo angazhim tjetër.
Nëse raste të tilla do të pranoheshin nga gjykata, pra që gjyqtari të përjashtohej, ky do të ishte një precedent tejet negativ, i cili do t’i hapte rrugë shumë rasteve të tjera të ngjashme që të kërkonin përjashtimin e gjyqtarëve nga çështja për arsye qesharake, të pabazuara në fakte e mbi të gjitha të pabazuar në Kodit të Procedurës Civile, të cilit i referohen këto raste, apo në ligjet e vendit tonë. Nëse do të krijohej ky precendent, mundësitë për presion mbi gjyqtarët dhe për të tentuar për ti korruptuar ata do të ishin shumë herë më të mëdha. Nëse duam procese gjyqësore të lira duhet ti lëmë palët të bëjnë punën e tyre, ose ndryshe siç thuhet në sport: “Fair Play”.
Alfons Marku